Zhgënjimi i Davidit



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 22.06.2008

Teksti i Studimit: 2 Samuelit 7:1-29

Parathënie
Ka momente në jetën tonë, kur na duket sikur asgjë nuk po na shkon ashtu siç e kishim planifikuar. Ka nga ata njerëz, që nuk dinë se si të veprojnë, kur ballafaqohen me zhgënjime, ndaj edhe reagojnë ashpër, sikur jeta të mos ketë më vlerë për t’u jetuar. Por Perëndia dëshiron që të jemi fitimtarë në çdo situatë e rrethanë, sidomos në ato situata, që na bëjnë të ndihemi të dëshpëruar.

Plani
Davidi e deshte Zotin, ndaj edhe kishte shumë dëshirë që të bënte diçka të madhe për ta nderuar e për ta falenderuar Atë për bekimet e shumta, që i kishte dhënë. E kishte parë sesi Zoti kishte punuar në jetën e tij, që nga dita që e kishte thirrur. Kishte arritur t’i mundtte Goliathian dhe filistenjtë. Mbretëria e tij tani ishte e siguaruar nga të gjitha anët. Jetonte në një pallat të mrekullueshëm, por Arka e Besëlidhjes ishte brenda një tende në Jeruzalem: “Kështu e prunë arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tabernakullit që Davidi kishte ngritur për të; pastaj ofruan olokauste dhe flijime falenderimi përpara Perëndisë” (1 Kronikave 16:1). Ky fakt e kishte mërzitur aq shumë Davidin, saqë ai bëri plan që të ndërtonte një tempull për Perëndinë. Të njëjtin pikëllim do të ndjente edhe profeti Hagai ca shekuj më vonë, lidhur me gjendjen, në të cilën ndodhej Shtëpia e Perëndisë: “A është vallë për ju koha për të banuar në shtëpitë tuaja të mbuluara mirë, ndërsa ky tempull është ende i rrënuar?” (Hagai 1:4).
Nga pamja e jashtme, plani i Davidit ishte i mirë, sepse, pa dyshim, që Perëndia meritonte më shumë sesa një tendë (apo një çadër). Ndërtimi i një tempulli të bukur do t’i tregonte Izraelit dhe të gjitha kombeve që e rrethonin, se Zoti adhurohej dhe nderohej me të vërtetë prej popullit të Tij. Plani i Davidit nuk erdhi nga mendja, por nga zemra. Edhe ne, po të uleshim e të fillonim t’i numëronim të gjitha bekimet që Perëndia na ka dhënë në jetën tonë, do të donim të bënim më shumë për Të: “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri; ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja” (Psalmi 103:1-5).
Profeti Nathan e përkrahu planin e Davidit. Davidi i shpjegoi tij se ç’kishte ndër mend të bënte dhe Nathani mendoi se kjo ishte një ide e mirë. Patjetër që profeti duhej të ishte gëzuar pa masë, kur e pa se mbreti donte ta nderonte Zotin në këtë mënyrë.

Autoriteti përfundimtar
Zëdhënësi i Perëndisë i dha Davidit autorizimin për të vazhduar me planet e veta. Por, a ishte konsultuar ai më parë me Zotin? Perëndia i foli profetit; tani profeti vetë duhej të shkonte e t’i jepte Davidit lajmin e keq. Dikush ka thënë se Perëndia i hedh poshtë propozimet e njeriut. Kjo do të thotë se njerëzit mund të bëjnë plane sa të duan, por vetëm Perëndia është Ai, që e vendos se si do të shkojnë punët. Kështu ndodhi edhe në këtë situatë.
Lajmi i keq ishte ky: Perëndia e kishte hedhur poshtë idenë e Davidit për të ndërtuar një tempull. Ka katër arsye pse Perëndia bëri që Davidi të zhgënjehej atë ditë:
1. Perëndia nuk ishte kërkuar kurrë vend tjetër adhurimi, përveçse një çadre (një tende). Qysh prej ditëve të eksodit, populli i Izraelit ishte mbledhur rreth tabernakullit.
2. Askush nuk e kishte pyetur Perëndinë se ç’mendim kishte Ai lidhur me këtë çështje. Pa imagjinoheni veten, sikur dikush t’ju lëvizte nga shtëpia juaj e t’ju vendoste diku tjetër, në një shtëpi të re, pa ju marrë juve leje fare? Plani për ndërtimin e tempullit ishte inisiativa e Davidit, jo e Perëndisë.
3. Një burri lufte nuk i lejohej të ndërtonte një shtëpi për Perëndinë. Davidi e pranoi shpejt këtë fakt, sepse i tha Salomonit: “Por fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë: “Ti ke derdhur shumë gjak dhe ke bërë shumë luftëra; prandaj nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, sepse ke derdhur shumë gjak mbi tokë para meje” (1 Kronikave 22:8).
4. Pavarësisht sesa i fortë mund të ishte tempulli pasi të ndërtohej, prapëseprapë, prania e tij nuk do të ishte e mjaftueshme për t’i frenuar armiqtë e Izraelit. Për këtë arsye, izraelitët mund të humbisnin arkën, po qe se nuk do të arrinin t’i mundnin dot të gjitha kombet pagane: “Ti e di që ati im David nuk ka mundur të ndërtojë një tempull në emër të Zotit, Perëndisë të tij, për shkak të luftrave të ndërmarra nga çdo anë kundër tij, deri sa Zoti i vuri armiqtë e tij nën shputën e këmbëve të tij. Por tani Zoti, Perëndia im, më ka dhënë paqe rreth e qark; dhe nuk kam më kundërshtarë, as ndonjë fatkeqësi” (1 Mbretërve 5:3-4).
Ëndrra e Davidit ishte e mirë; arsyet e tij ishin të sinqerta; qëllimet e tij e kënaqën Perëndinë: “Ti ke pasur në zemër të ndërtosh një tempull në emrin tim, dhe ke bërë mirë që ke pasur një gjë të tillë në zemër” (2 Kronikave 6:8). Por, Davidi nuk ishte njeriu i duhur për këtë punë. Në fillim, Davidi do të ketë qenë ndjerë shumë i zhgënjyer, por Perëndia i dha një premtim të mrekullueshëm. I biri, Salomoni do të kishte miratimin e Perëndisë për ta ndërtuar Tempullin: “Do të jetë biri yt Salomon ai që ka për të ndërtuar shtëpinë time dhe oborret e mia” (1 Kronikave 28:6). Edhe pse nuk e lejoi që ta ndërtonte vetë tempullin, Perëndia i dha leje Davidit që të përgatiste materialet e duhura dhe t’i ruante mirë ato, derisa Salomoni të vajosej për këtë detyrë.
Nëse Perëndia thotë “jo”, atëherë Ai e ka një plan më të mirë sesa tonin. Është interesante tek shohim se, në vend që Davidi të ndërtonte një shtëpi për Perëndinë, ishte Perëndia Ai, që ndërtoi një shtëpi për Davidin, një shtëpi, që do të rronte përgjithmonë. Nga pikëpamja profetike, kjo quhet Besëlidhja Davidike, e cila realizohet plotësisht në Zotin Jezus Krisht (shiko Mateu 1:1, 22:42).
        
Përfundim 
E shohim se Davidi ishte një njeri sipas zemrës së Perëndisë, pikërisht nga mënyra sesi reagoi ai ndaj lajmit zhgënjyes (shiko Veprat e Apostujve 13:22). Ai thjesht shkoi dhe u ul përpara Zotit (në lutje). As nuk u ankua, as nuk u shfry. Përkundrazi, ai solli ndër mend mirësinë dhe mençurinë e Perëndisë. Po ne, si veprojmë, kur na shkojnë keq planet, madje edhe ato plane, që i kemi thurur për ta nderuar Zotin? A nuk duhet që edhe ne të ulemi përpara Zotit në lutje dhe të meditojmë ashtu siç bëri edhe Davidi? Është e lehtë të vraposh, kur të turret zhgënjimi nga mbrapa, por fitimtar është ai, që i beson Zotit: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5-6).    
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net