Zemrat e fituara



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 07.06.2011

“Mbas kësaj Absalomi gjeti një karrocë, disa kuaj dhe pesëdhjetë njerëz që të vraponin para tij. Absalomi ngrihej herët në mëngjes dhe rrinte anës rrugës që të çonte te porta e qytetit. Kështu, në qoftë se dikush kishte ndonjë gjyq dhe shkonte te mbreti për të siguruar drejtësi, Absalomi e thërriste dhe i thoshte: “Nga cili qytet je?”. Tjetri i përgjigjej: “Shërbëtori yt është nga filan fis i Izraelit”. Atëherë Absalomi i thoshte: “Shif, argumentat e tua janë të mira dhe të drejta, por nuk ka njeri nga ana mbretit që të të dëgjojë”. Pastaj Absalomi shtonte: “Sikur të më bënin mua gjyqtar të vendit, kushdo që të kishte një proçes apo një çështje do të vinte tek unë dhe unë do t’i siguroja drejtësi”. Kur dikush afrohej për të rënë përmbys përpara tij, ai shtrinte dorën, e merrte dhe e puthte. Absalomi sillej kështu me të gjithë ata të Izraelit që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi; në këtë mënyrë Absalomi fitoi zemrën e njerëzve të Izraelit.” (2 Samuelit 15:1-6).

Parathënie

Jeta kishte për t’u bërë akoma më e vështirë për Davidin, ngaqë ai shumë shpejt do të ballafaqohej me një periudhë rebelimi, në të cilën vetë djali i tij, Absalomi do ta detyronte të atin të shkonte në mërgim. E shohim se si Davidit as që ia mori mendja se do t’i ndodhte kjo gjë, sidomos atëherë kur nuk i zgjidhi problemet, që i kishin dalë përpara në Jeruzalem, probleme të cilat do t’i shkaktonin kaq dhimbje në të ardhmen. Karroca Absalomi tani po e bën realitet planin e tij, për ta hequr të atin nga froni. Nga mënyra se si vepron, e shohim se ai e kishte planifikuar me kohë këtë gjë. Ky komplot ndaj Davidit nuk ishte, pra, thjesht një ide e çastit, sepse Absalomi kishte sjellë me vete ushtrinë e tij private. Ashtu si politikanët e sotshëm, edhe Absalomi erdhi në Jeruzalem me grupin e shoqëruesve të vet, për t’iua tërhequr vëmendjen turmës dhe për ta reklamuar edhe më mirë kauzën e tij. Cirku, pra, kishte ardhur në qytet dhe prania e tij pruri rezultatin e dëshiruar, ngaqë njerëzit shumë shpejt u mashtruan prej metodave karizmatike të Absalomit politikan. Absalomi, duke qenë se ishte njeri mendjemadh, hyri në Jeruzalem me karrocë dhe kuaj, ndërsa i ati zotëronte vetëm një mushkë si mjet transporti. “Mbreti u tha atyre: “Merrni me vete shërbëtorët e zotit tuaj, e hipeni birin tim Salomon mbi mushkën time dhe e zbrisni në Gihon” (1 Mbretërve 1:33). Profeti Samuel e kishte paralajmëruar popullin për këtë gjë. “Këto do të jenë të drejtat e mbretit që do të mbretërojë mbi ju. Ai do t’i marrë bijtë tuaj dhe do t’i caktojë në qerret e tij, me qëllim që të bëhen kalorës të tij dhe të vrapojnë përpara qerreve” (1 Samuelit 8:11). E gjithë kjo bujë u bë, me qëllim që njerëzit ta kuptonin se një ditë Absalomi do të bëhej mbreti i tyre i ardhshëm. Ai po përpiqej që t’i bënte ata për vete, edhe pse nuk e dinte ditën se kur do të bëhej mbret. Njerëzit nuk do ta kishin pranuar Absalomin si mbret, po qe se ai thjesht do ta kishte rrëzuar të atin nga froni. Përkundrazi, me pak kohë e me pak durim, ai me dinakëri do t’i bënte ata të mendonin se ai vetë do të bëhej një ditë një mbret më i mirë sesa mbreti i tanishëm.

Debatet

Për shumë vite me rradhë, para se të ngrihej kundra të atit, Absalomi e kishte bërë si zakon të ngrihej herët në mëngjes, për t’u takuar me ata, që kishin probleme. Atij nuk i shkonte për shtat një zell i tillë, por, ngaqë kishte dëshirë ta qeveriste vetë Izraelin, e hiqte veten sikur interesohej për mirëqënien e popullit. Në ato kohë, ishte si zakon që problemet e vogla, ankimet apo çështjet gjyqtare të zgjidheshin prej gjykatësve, të cilët rrinin të ulur tek porta e qytetit. Çështjet më të vështira i paraqiteshin vetëm mbretit për gjykim dhe ishin pikërisht këto çështje, me të cilat po merrej edhe vetë Absalomi, ngaqë donte të dukej sikur ishte mbret. Si çdo grup tjetër njerëzish që kanë ankesa kundra të tjerëve apo kundra shtetit, edhe izraelitët shumë shpejt filluan të bëhen të zhurmshëm dhe të debatonin, ndërkohë që i tregonin Absalomit se si e kishin hallin. Këtë lloj situate të favorshme kërkonte edhe Absalomi, ngaqë kishte mundësi t’i bënte njerëzit të kujtonin se qeveria dhe shteti iua kishin me të keq dhe se do të ishte më mirë, po të ishte ai mbret. Gjithashtu Davidi e kishte vendosur qeverinë në qendër të Jeruzalemit, duke i bërë të pavlefshme kështu ligjet dhe të drejtat e mëparshme të fiseve të ndryshme, të cilat ndoshta tani ishin të pakënaqura me këtë ri-organizim të pushtetit qeveritar. Absalomi iu thoshte gjithmonë njerëzve se kishin të drejtë, me qëllim që ata të kujtonin se ai po iu dilte përkrah. E dimë se ai, përveç vetes, nuk e vriste mendjen për asnjë tjetër dhe se, sapo të bëhej mbret, njerëz të tillë do t’i kishte si barrë. Të njëjtën taktikë përdorin edhe politikanët e sotshëm, kur takohen me njerëz në rrugë. Bëjnë premtime, duke thënë se punët do të shkojnë më mirë, po qe se njerëzit do të votojnë për ta. Por fjalët e tyre të dhimbshme janë thjesht sa për t’iu siguruar votat! Absalomi iu tha njerëzve se asnjë prej qeveritarëve, duke përfshirë këtu edhe Davidin, nuk ishte i kualifikuar, apo nuk kishte kohë të merrej me problemet e tyre. Me pak fjalë, pra, ai po iu thoshte atyre se udhëheqësit nuk po iua vinin veshin shqetësimeve të popullit, në një kohë që vetë ata jetonin në lluks në pallatin mbretëror. Po qe se njerëzit do ta besonin vërtet se qeveria e Davidit ishte e pavlefshme, atëherë do të ishin gati për ta ndërruar atë me një tjetër. Kjo ishte, pa dyshim, një gënjeshtër skandaloze, ngaqë në Bibël na thuhet se Davidi ishte gati për t’iua dëgjuar njerëzve ankesat dhe problemet që kishin (shiko 2 Samuelit 14).

Dinakëria

Absalomi u tregua i zgjuar. Nuk iu tha njerëzve se donte të bëhej mbret. Përkundrazi, iu tha se do të kishte shumë dëshirë të bëhej gjyqtar. E si mund të bëhej ai një gjyqtar i mirë e i drejtë? A nuk ishte vetë një vrasës, i cili s’ishte ndëshkuar kurrë për krimin që kishte bërë? A nuk ia kishte djegur fushën Joabit dhe nuk ishte ndëshkuar kurrë për këtë gjë? Ishte ai vetë e jo mbreti, që nuk ishte i kualifikuar për t’i gjykuar njerëzit, sepse Davidi të paktën ishte penduar për mëkatin që kishte bërë dhe ishte gati ta pranonte ndëshkimin, kurse Absalomi nuk kishte treguar kurrë qoftë edhe keqardhjen më të vogël për veprimet e tij. Ai gjithashtu i bëri njerëzit për vete, duke i pyetur se nga ishin dhe duke treguar gjoja interes për nevojat e qytetit të tyre. E ngaqë njerëzit kishin ardhur në Jeruzalem prej rajonave të ndryshme për të dëgjuar rreth planeve të mëdha, që ishin thurur dhe rreth materialeve të shumta, që ishin grumbulluar për ndërtimin e tempullit, Absalomi mund ta përdorte këtë situatë, për t’i bërë ata që të mendonin se problemet e tyre nuk ishin aq të rëndësishme për mbretin sa detyra kolosale, që ai i kishte vënë vetes. Metoda e tij dinake iua fitoi zemrat njerëzve, sepse, edhe pse Absalomi iu tha atyre se donte të bëhej vetëm gjyqtar, për ta ai ishte dikush, i cili mund të bëhej një udhëheqës i madh. Që nga ky moment e deri sa ta detyronte Davidin të largohej nga Jeruzalemi, Absalomi do të fitonte mbështetjen e shumicës së njerëzve. Një mbështetje e tillë nuk do të arrihej me drejtësi, por me dinakëri politike dhe dyfytyrësi. Teksti i studimit tonë na thotë se ai bëri edhe një krim tjetër kundra shtetit, ngaqë iua fitoi, ose iua “vodhi” zemrat njerëzve. Kjo na tregon se ai nuk iua fitoi zemrat atyre me anë mjetesh ligjore, por me taktika të korruptuara, ai u vodhi atyre fuqinë për të arsyetuar vetë llogjikisht. Njerëzit, pra, u mashtruan prej planit që kishte thurur Absalomi, për ta hequr Davidin nga froni e për t’u bërë vetë mbret i Izraelit.

Përfundim

Absalomi e kishte gabim, por askush nuk po ia vinte re gabimet. Përkundrazi, e donin, e nderonin dhe e konsideronin si idhull. Ai ishte në prag të realizimit të ëndrrave të veta. E dimë se u deshën shumë vite që këto ëndrra të bëheshin vërtet realitet, por pyesim veten se si Davidi apo qeveria e tij nuk e kishin vënë re atë që po ndodhte? Mos, vallë, e kishin neglizhuar veprimtarinë e Absalomit dhe mbështetjen që ai po gjente tek populli, duke kujtuar se ajo do ta kishte jetën e shkurtër?

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip

http://fjalaegjalle.2truth.com/


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com