Zemra të burgosura
“Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin, përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin. Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj” (Mateu 6:19-21).
Parathënie
Ka shumë besimtarë, që e kanë harruar paralajmërimin e Zotit Jezus, të shprehur në këtë tekst. Ata jetojnë, duke e patur mendjen tek gjërat e kësaj bote. Ato gjëra, të cilave iua kemi vënë syrin, vjen dita kur, më në fund, na bëjnë skllav të tyre, si nga ana morale, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. Ka me miliona të ashtu-quajtur të krishterë, zemrat e të cilëve janë të burgosura në burgun e pronës e të pasurisë së tyre.
Zemra e njeriut në momentin e Krijimit
Perëndia i krijoi njeriut zemrën, me qëllim që ai të komunikonte shpirtërisht me Të. Zemra e njeriut kishte privilegjin e mrekullueshëm e të fluturuarit përtej tokës, drejt hapësirës qiellore, për t’u takuar ballë për ballë me Perëndinë. Para se mëkati të hynte në botë, zemra e njeriut ishte e pastër dhe e shenjtë. Ndaj edhe njeriu mund të ecte në praninë e Zotit Hyjnor. “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë” (Mateu 5:8). Por, zemra e njeriut ndryshoi, sapo mëkati hyri brenda saj: “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9).
Zemra e burgosur
Zemra, që duhet të adhurojë Krijuesin në Qiell, adhuron tani gjërat e tokës. Njeriu nuk ka më një zemër të lirë. Përkundrazi, zemra e tij tani është e mbyllur me çelës në kasafortën bankare, apo në kutinë e xhevahirëve. “Thesari”, të cilit ia kemi vënë sytë, mund të mos jetë vetëm paraja, por gjithashtu edhe moda, prona, apo gjëra të tjera të kësaj bote. Ai/ajo që e mbyll kutinë e xhevahirëve të vet me çelës, mbyll me çelës edhe zemrën e vet në të njëjtën kuti. “Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme” (Mateu 13:22).
Prona e ka si zakon që të na i grabisë bekimet e vërteta, që kemi marrë prej Perëndisë. Njëherë, Jezusi foli rreth një pasaniku, zemra e të cilit ishte e mbyllur në burgun e hambarit të vet: “Dhe ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: “Tokat e një pasaniku dhanë të korra të bollshme; dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: “Ç’të bëj, sepse nuk kam vend ku t’i shtie të korrat e mia?”. Dhe tha: “Këtë do të bëj: do të shemb hambarët e mia dhe do t’i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera, dhe pastaj do t’i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo”. Por Perëndia i tha: “O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?”. Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë” (Luka 12:16-21). Ai u quajt “i pamend”, ngaqë zemrën e kishte të ngulitur tek pasuria, jo tek Perëndia. Nuk është gabim të jesh i pasur, por, kur pasuria ta rrëmben zemrën, atëherë ajo të çon drejt Ferrit, të lidhur me zinxhirë ari e argjendi. “Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit” (Jakobi 5:3)… “Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim” (1 Timoteut 6:9)… “Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?” (Marku 8:36).
Thesari ynë Qiellor
“Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:1-2)… “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë” (1 Gjonit 2:15-17)… “Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje” (1 Timoteut 6:10). Nuk ka asgjë në këtë botë, që të mund të krahasohet me thesarin tonë Qiellor. Banka e Qiellit nuk emeton stërlina, apo dollarë. Përkundrazi, ajo është një depo bekimesh, të cilat i ka përgatitur vetë Perëndia për të gjithë ata, që e duan dhe e ndjekin Krishtin.
Si mund t’i grumbullojmë thesare të tilla në Qiell? Para se të udhëtojmë për në një vend të huaj, na duhet t’i kthejmë paratë tona në paratë e atij vendi ku po shkojmë. Në të njëjtën mënyrë, mund ta kthejmë pasurinë që kemi në këtë botë, në thesar të përjetshëm, duke mbështetur financiarisht ata që kanë nevojë për ndihmë, p.sh. misionarët, apo njerëz të tjerë, që bëjnë punën e Zotit. Pasuria jonë në Qiell nuk është as prej ari, as prej argjendi, por është pasuri e shpirtrave të njerëzve, jetët e të cilëve ne vetë i kemi influencuar sadopak për Perëndinë. Ajo zemër që e ka mendjen tek gjërat qiellore, ajo zemër do të jetë përjetësisht në duar të sigurta. “Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar, të bëjnë të mira, të bëhen të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm për të dhënë, duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme” (1 Timoteut 6:17-19).
Ashtu siç thotë edhe apostulli Pal, duhet të jemi të kënaqur në Krishtin dhe në gjërat, me të cilat Ai na ka bekuar për momentin: “Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq” (1 Timoteut 6:6-8).
Përfundim
Sa njerëz ka, që e kanë mendjen vetëm për të fituar llotarinë, apo vetëm për të blerë një makinë të re, apo vetëm për t’ia bërë qejfin vetes, duke blerë rrobat e modës së fundit! Kështu pra, zemra e tyre është e burgosur prej gjërave të kësaj jete. Besimtari duhet ta ketë mendjen e zemrën të ngulitur tek Krishti. Zemra e tij duhet të jetë e mbushur me dëshirën për ta ndjekur Atë, kudo që ta drejtojë. “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mateu 22:37).
Thesari ynë më i madh gjendet në Krishtin, por këtë thesar nuk mund ta marrim, po qe se nuk e kryqëzojmë mishin dhe dëshirat mishore: “Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim” (Filipianëve 1:21), po qe se nuk i braktisim gjërat e kësaj bote: “Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje. Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin” (Filipianëve 3:7-8).
“Që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianëve 3:16-19).
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



