Zemërmirësia



nga: anila.shyti, botuar me: 12.02.2007

Tregojne se nje druvar,

domëthënë një fshatar,

në pyll poshtë e lartë,

humbi sëpatën një natë.

Për të blerë një të re,

besa nuk kish me se.

Thërrit e bërtit duke qarë

Sëpatën kush e ka marrë?

Me lot ndër sy nuk vonoi,

dhe ndihmën e Zotit kërkoi.

Zoti kur e dëgjoi,

me vrap engjëllin dërgoi.

Tek qante me lot si gratë,

i tregoi një sëpatë,

që e kish bishtin me ar,

dhe tha: -Ja tek e ke.

U përgjigj i shkreti druvar:

-S’është e imja kjo që më dhe.

Engjëllit si erdhi rëndë,

një tjetër sëpatë nxorri,

që e kish bishtin t’argjendë.

Por druvari nuk e mori.

Kur engjëlli i pruri,

një sëpatë me bisht druri,

tha druvari me gëzim:

-Ja, kjo është sëpata ime.

-Të bekoftë Perëndia,

të tuat qofshin që të tria.

Po t’i jap me shumë dëshirë,

se je burrë zemërmirë.

U hap fjala tek qyteti.

Druvar me sëpatë s’mbeti.

Të humbur nëpër rrëpira,

që të të gjejnë më të mira.

Në këtë dëshirë e shpresë,

çdo druvar zu të thërresë:

“Zot i madh e fuqiplotë,

mbeta pa sëpatë në botë”.

Zoti që është zemërmirë,

engjëllin sërisht dërgoi,

sëpatën e artë ta japë,

që zemrat t’ua provojë.

Kur pa sëpatën me ar,

u hodh e tha çdo druvar:

“Sëpata ime, ma gjeti…”

Por engjëlli s’u gënjye,

me sëpatë pas u mbeti.

Mos gënjeni miq e shokë,

kënaquni me gjënë tuaj,

mos lakmoni gjënë e huaj!


per autorin:



Lidhje te tjera..

 

  • #
  • #
  • #
  • No related posts