Zemërimi pa mëkat

Categories: Predikime

“Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj” (Efesianëve 4:26).
 
Parathënie 
Jetojmë në një botë, e cila është e zhytur në lloj-lloj mëkatesh. Duket sikur ligësisë së njeriut nuk i gjendet fundi, ngaqë ai vazhdimisht shpik mënyra të reja për ta ofenduar shenjtërinë dhe drejtësinë e Perëndisë. Është e vështirë, pra, për ata që duan të jetojnë për Zotin, që ta mbajnë veten të pastër e të veçohen nga të tjerët, sepse, siç e thotë edhe apostulli Pal, mëkati është i tepruar (Romakëve 5:20). Këtë e vëmë re thjesht po ta hapim një revistë, apo kur shohim një program televiziv, apo kur dëgjojmë radion, apo kur jemi në internet. Djalli i ka mbushur të gjitha këto me pisllëkun e vet! Mirë e thotë Salomoni: “Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell” (Predikuesit 1:9). Pavarësisht sesa i avancuar mund të bëhet njerëzimi, apo pavarësisht sesa mënyra të ndryshme mund të përdorin njerëzit për të kryer mëkate, prapëseprapë ata vazhdojnë të shfaqin të njëjtin rebelim kundra Perëndisë, që dikur i solli aq shumë ndëshkim Adamit dhe Evës.
 
Reagimi ynë
Nuk është e lehtë të jesh i krishterë në këtë brez të sotshëm. Por le të mos e harrojmë faktin se besimtarëve gjithmonë iu është dashur të jetojnë në një botë mëkatare, e cila i urren ata dhe Perëndinë, së cilës i shërbejnë. E megjithatë, ka shumë rëndësi që të mos e harrojmë faktin se Ati ynë Qiellor gjithmonë na gjendet afër për të na mbrojtur, ruajtur dhe për të na ngushëlluar. Shpesh, për shkak të vështirësive që na dalin nga të jetuarit në këtë botë, bëhemi me nerva dhe mundohemi të marrim hak, kur na ofendojnë të ligët. Tek Romakëve 12:19, Pali na thotë kështu: “Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti”. Duhet të meditojmë mbi këtë varg, sidomos kur njerëzit na sillen keq, apo na shajnë.
Është normale që natyra jonë njerëzore kërkon të hakmerret, kur na ofendojnë. Por a ka fund hakmarrja? Fatkeqësisht, hakmarrja ta mbush mendjen plot urrejtje dhe zemërim dhe, për më tepër, i ngatërrojmë edhe të tjerët në debatin tonë, ngaqë mundohemi të gjejmë aleatë dhe miq, që të na e mbajnë anën. Por besimtarët duhet të reagojnë ndryshe. Ai që është pasues i vërtetë i Krishtit, nuk përpiqet që të marrë hak. Po, vërtet që të tjerët mund të na ofendojnë me fjalë, por ne nuk duhet të mëkatojmë. “Zemërohuni dhe mos mëkatoni” (Efesianëve 4:26). Zemërimi është një emocion tepër i fuqishëm, që na e ka dhënë Perëndia, ndaj edhe në vetvete, zemërimi nuk është mëkat. Duhet të zemërohemi, kur shohim përditë mëkate të ndryshme, ngaqë e dimë se edhe Zoti “zemërohet çdo ditë me keqbërësit” (Psalmi 7:11). Por ajo që ka rëndësi, është fakti se si reagojmë, kur na ofendojnë.
 
Zemërimi ynë
Nuk është e lehtë të kesh një zemërim të drejtë, në vend që të kesh një zemërim mëkatar. Si mund të zemërohemi pa mëkatuar? Një pyetje e tillë na vë në dukje faktin se ka vetëm dy lloj zemërimesh: zemërim të drejtë dhe të padrejtë. Zemërimi i drejtë ndodh atëherë, kur kauza e Krishtit ofendohet dhe shahet, qoftë prej jobesimtarëve, qoftë prej besimtarëve që flasin apo sillen si të marrë. Zemërimi i drejtë ndodh atëherë, kur dikush flet në favor të abortit, homoseksualitetit, apo fesë së rreme. Perëndia i urren mëkate të tilla të neveritshme, ndaj edhe ne duhet të reagojmë në të njëjtën mënyrë si Ai. Ndoshta mund të na thonë: “S’duhet të inatosesh, se je i krishterë!” Por duhet t’iu themi njerëzve se jemi të zemëruar, për shkak të mëkatit. Njerëz të tillë zakonisht nuk e dinë se edhe vetë Zoti u zemërua me mëkatarët. “Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave. Dhe u tha atyre: “Është shkruar: “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje,” por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh” (Mateu 21:12-13). Jezusi reagoi, duke u inatosur me të drejtë. Ai mbajti qëndrim ndaj padrejtësive. Pa dyshim që Ai nuk do të ishte i mirëpritur në shumë kisha sot, ku luhet bilardo, apo ku zhvillohen shfaqje argëtuese, për të tërhequr njerëzit.
Zemërimi i padrejtë nuk është aspak shpirtëror, por thjesht natyra jonë njerëzore, që reagon ndaj ofezave. Ky lloj zemërimi kërkon që ta vrasë ofenduesin, si nga ana emocionale, ashtu edhe nga ajo fizike. Një zemërim i tillë i ka rrënjët tek mendjemadhësia. Si duhet të reagojmë ndaj një zemërimi të padrejtë? Zoti Jezus iu përgjigj mirë kësaj pyetjeje, por a jemi gati për ta vënë në praktikë përgjigjen e Tij? “Ju keni dëgjuar se qe thënë: “Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd”. Por unë po ju them: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin” (Mateu 5:43-44). Ky urdhërim është një ndër më të vështirët për t’u zbatuar në Bibël. E megjithatë, nëse e vëmë atë në praktikë, do ta shohim se kemi për t’u pajtuar me atë që na ofendon, në vend që të hakmerremi pa pushim. Jezusi gjatë gjithë jetës së Tij në tokë, edhe pse iua përmbysi tryezat këmbyesve të parave, kurrë nuk u hakmorr kundra askujt. “Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj” (Hebrenjve 12:3). Kur lutemi për ata që na ofendojnë, vërtet që mund të mos iua ndryshojmë zemrën, apo mund të mos kthehen tek Krishti, por fakti që lutemi, na afron ne më shumë tek Perëndia. Atëherë kemi paqe në zemër. “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6-7). 
   
Përfundim 
Në vargun në hyrje të këtij studimi e vëmë re se Perëndia ka për t’u hakmarrë Vetë një ditë. Ai e di se kur dhe se ku ta derdhë zemërimin e Tij mbi mëkatarët. Nuk duhet ta lejojmë zemërimin tonë të drejtë të na kthehet në inat personal. “Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim” (Jakobi 1:19). E dimë se zemërohemi pa të drejtë, atëherë kur mbajmë inat dhe nuk jemi gati për t’i falur të tjerët. “Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin” (Fjalët e Urta 12:16). Është interesant për t’u theksuar fakti se apostulli Pal, pasi na thotë “zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj”, na shton: “Dhe mos i jepni vend djallit” (Efesianëve 4:27). Kështu, pra, zemërimi ynë ose vjen nga Perëndia, ose është i frymëzuar prej djallit.
    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
magda.maylam
Author: magda.maylam

me teper per autorin Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

Leave a Reply