Zemërbutësia e Palit
“Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj. Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur. Sepse ju, o vëllezër, e mbani mend lodhjen dhe mundimin tonë: si kemi punuar ditë e natë që të mos i bëhemi barrë asnjërit prej jush, dhe predikuam ungjillin e Perëndisë ndër ju” (1 Thesalonikasve 2:7-9).
Parathënie
Ka shumë të krishterë, që e konsiderojnë apostullin Pal si një njeri të ashpër e strikt, por e vërteta qëndron ndryshe. Pali iua përshtati natyrën e vet njerëzve, me të cilët kishte vazhdimisht lidhje: ai ishte i ashpër me ata, që kërkonin ta shkatërronin fjalën e Perëndisë, kurse me ata që e donin Zotin, ai ishte një mësues i dashur dhe zemërbutë. Zemërbutësia gjithmonë del fitimtare mbi ashpërsinë: “Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat” (Fjalët e Urta 25:15). Ata që nuk besojnë, e shohin Perëndinë si një tiran, që sundon nga qielli, por ata që e njohin Krishtin si Shpëtimtar, e dinë se Ai mbretëron me dashuri, edhe pse është një Perëndi i drejtësisë: “Ja, Perëndia, Zoti, vjen i fuqishëm dhe krahu i tij sundon për të. Ja, e ka shpërblimin me vete, dhe shpërblimi i tij e pararend. Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjëlit e tyre” (Isaia 40:10-11). Shoqëria jonë nuk e vlerëson zemërbutësinë, por vlerëson të qënit agresiv dhe të kërkuarit e të drejtave personale. Të krishterët nuk duhet të kenë një vlerësim të tillë si shoqëria e sotme.
Njeriu zemërbutë
Kishat, zakonisht, e harrojnë se edhe predikuesi, pastori, apo ungjillizuesi ka ndjenja. N.q.s. Pali do të kishte qenë një mësues zemërgur e i pashpirt, atëherë këtë gjë do ta vinim re në vargjet e këtij studimi. Përkundrazi, këto vargje e paraqesin Palin si një njeri të afrueshëm, të dashur dhe zemërbutë. Pali i trajtoi njerëzit me zemërbutësi. U kujdes për ta, ashtu siç kujdeset nëna për fëmijët e vet. Madje, edhe kur iu desh të merrej me ata, që ishin zënë në kurthin e mësimeve të rreme, ai shfaqi një shpirt zemërbutë: “Duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën, dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij” (2 Timoteut 2:25-26). Qëllimi i të qënit zemërbutë është që njerëzit të vijnë tek e vërteta. Një sjellje e ashpër dhe agresive i largon njerëzit prej Zotit: “Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin” (Fjalët e Urta 15:1). Pali nuk ishte hipokrit; ai e vinte në praktikë atë, që predikonte: “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj” (Galatasve 5:22-23). Detyra e Frymës së Shenjtë është që t’i bëjë zemërbutë ata, që e ndjekin Krishtin. Mateo Henri ka thënë: “Butësia dhe mirësia e bëjnë fenë shumë të rekomandueshme. Ato i përngjajnë mënyrës, me të cilën vetë Perëndia i trajton mëkatarët në Bibël. Kështu fitohen njerëzit për Zotin”. Një zemërbutësi e tillë do të thotë se Pali nuk u soll sikur të ishte një njeri superior e shumë i rëndësishëm, përkundrazi, ai ishte gati të shpenzonte e të shpenzohej për hir të ungjillit: “Sa për veten time, unë do të shpenzoj me gëzim dhe do të shpenzohem për shpirtrat tuaja, megjithse ju dua
më fort dhe më doni më pak” (2 Korintasve 12:15).
Nëna që kujdeset
Fjala “mëndeshë” (në greqisht “trophos”) do të thotë “ajo që rrit”. Kjo fjalë nënkupton nënën, që kujdeset për fëmijët e saj dhe i ushqen ata. Në komentimin që i bën këtij vargu, Gjon Ueslli shkruan kështu: “Qemë zemërbutë - të ëmbël e të mirë, midis jush - si klloçka, që i rrethon zogjtë e saj. Ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj - ata që kanë dalë nga barku i saj”. Pali dhe grupi i tij ungjillor e kuptuan mirë se mesazhi i ungjillit duhet t’iu përshtatet nevojave të atyre që e dëgjojnë, por pa e kompromentuar çiltërsinë e fjalës së Perëndisë: “Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm” (2 Timoteut 2:24). Ndoshta, edhe ne mund të mësojmë diçka prej asaj që shkroi Pali: “Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!” (Galatasve 4:19).
Dashuria
Dy shprehjet: “duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush” dhe “na u bëtë të dashur” na shfaqin dashurinë dhe kujdesin që tregoi Pali për besimtarët thesalonikas. Fjala “dashuri” (në greqisht “homeiromenoi”) përdorej në rastin e një nëne, që ishte gati të jepte jetën e saj për të mbrojtur të vegjëlit e vet: “Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit” (1 Gjonit 3:16). Ka të ngjarë që, kur Pali tha, “edhe vetë jetën tonë”, ai e kishte fjalën për një dashuri shumë të thellë: “Sepse do të doja të isha vetë i mallkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit” (Romakëve 9:3). Pali, jo vetëm që iu dha të tjerëve mesazhin e ungjillit, por ai iu dha atyre edhe vetë jetën e vet. Ai iu shërbeu besimtarëve të tjerë me orë të tëra, derisa u lodh e u rraskapit. Ashtu si një prind i dashur, ai pranonte më mirë t’i hidhte poshtë të drejtat e veta, sesa t’i bëhej barrë kishës. Rrallë gjen besimtarë të tillë, që e vënë në praktikë atë, që besojnë. Ajo që mungon në kishat e sotme është pikërisht kjo: gatishmëria për t’ia kushtuar gjithçka punës së Perëndisë: “Me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes” (Efesianëve 4:2-3).
Përfundim
Kishës i bëhemi barrë, po nuk e patëm këtë lloj dashurie, zemërbutësie e përkushtimi. Pali është shembull i të krishterit të vërtetë, sidomos i atij që është përgjegjës në drejtimin e të tjerëve drejt pjekurisë në Krishtin. Pali me të vërtetë që kishte natyrën e Krishtit: “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin” (Filipianëve 2:5)… “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet” (Gjoni 10:11). Ndoshta, kemi nevojë që zemërbutësia e Palit të jetë edhe zemërbutësia jonë: “Të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve” (Titit 3:2)… “Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite” (Jakobit 3:17). Zemërbutësia nuk është dobësi, apo mungesë guximi. Zemërbutësia ka të bëjë me kujdesjen për të tjerët, sidomos për ata që janë të dobët e që kanë nevojë për mbrojtje. Të jesh zemërbutë do të thotë të mos e kesh mendjen gjithmonë tek dëshirat e tua, por të bësh për dikë tjetër atë, që kërkon Perëndia prej teje.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



