Zelli



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 06.06.2009

 

Parathënie 
Ç’është zelli? Një njeri i zellshëm është një njeri entuziast dhe i pasionuar, komplet ndryshe nga ai, që është dembel dhe i fjetur. Shumica e arritjeve në fushën e industrisë, shkencës, apo arsimit, nuk do të ishin bërë fare realitet, po të mos kishin egzistuar njerëzit e zellshëm. E njëjta gjë mund të thuhet për rilindjet e ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, për veprat misionare, apo edhe për kishën, në përgjithësi. Të jesh i zellshëm, do të thotë t’i jesh besnik qëllimit, që i ke vënë vetes.

Domosdoshmëria për zell
Çdo pasues i vërtetë i Jezus Krishtit duhet të jetë i zellshëm. Gjëra të mëdha fillojnë e bëhen realitet, atëherë kur të krishterët bëhen të zellshëm për Zotin. Në fakt, Zoti nuk pranon të veprojë aty, ku nuk ka zell. “Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë! Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime” (Zbulesa 3:15-16). Ata, që janë të kënaqur me gjendjen e tyre të vakët, në fakt, nuk kanë fare besim tek Krishti, apo tek fjala e Tij, prandaj edhe janë të pavlefshëm për Të. “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5).
Besimtari i zellshëm nuk do gjë tjetër, veçse t’i shërbejë Perëndisë. Kishës së sotshme i duhen punëtorë të tillë të palodhur e të përkushtuar. Kishat po dobësohen dita-ditës, ngaqë të paktë janë ata besimtarë, që duan vërtet t’i shërbejnë Zotit me zell.

Zelli është ngjitës
Ata që kanë zell, iu japin frymëzim të tjerëve, që t’i shërbejnë edhe ata Perëndisë. “Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë” (Galatasve 4:18). Nëse një anëtar i familjes sëmuret me grip, shumë shpejt edhe të tjerët, fillojnë e teshtijnë, ngaqë gripi është ngjitës. Virusi i gripit përhapet, kudo që shkon i sëmuri. Një situatë e tillë duhet të ndodhë edhe në kishat tona dhe mjafton vetëm një njeri i zellshëm, që ta përhapë zellin kudo. “Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira” (Titit 2:13-14). Sa të paktë janë ata sot, që tregojnë sadopak zell për kauzën e Krishtit! Budallallëku, doktrinat e rreme dhe hipokrizia, që vihen re në kishat e sotshme, janë dëshmi të mungesës së zellit besnik.

Zelli duhet urgjentisht
“Duke e shfrytëzuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta” (Efesianëve 5:16). E si mund të luajmë e të argëtohemi, kur e shohim se bota po vrapon me shpejtësi drejt Ferrit? Zoti Jezus Krisht, njeriu më i zellshëm që ka parë ndonjëherë bota, e dinte se zelli duhej urgjentisht. “Dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat, dhe shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!”. Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: “Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!” (Gjoni 2:15-17). E si mund të argëtohej Ai në praninë e njerëzve, që kishte ardhur për t’i shpëtuar? “Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë” (Gjoni 9:4). E shohim, pra, se Jezusi jetoi vetëm për ta kënaqur Atin e Tij, duke bërë vullnetin e Tij. Ai u tregua i zellshëm, që prej djepit e deri në kryq. “Më duhet të merrem me punët e Atit tim” (Luka 2:49)… “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij” (Gjoni 4:34)… “Mos u bëftë vullneti im, por yti” (Luka 22:42).
Zoti Jezus Krisht duhet të jetë shembulli ynë, përsa i përket zellit, si edhe përsa i përket çdo aspekti tjetër të jetës së krishterë. “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij” (1 Pjetrit 2:21). A jemi aq të shqetësuar për ata, që nuk besojnë, saqë t’iu tregojmë lajmin e mirë rreth Shpëtimtarit? Këtë qëllim kishte edhe Pali dhe ky duhet të jetë edhe qëllimi ynë. “Kështu, aq sa varet nga unë, jam gati t’ju predikoj ungjillin edhe juve që jeni në Romë” (Romakëve 1:15)… “Por unë nuk dua t’ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë” (Veprat e Apostujve 20:24). Ku do të ishte kisha sot, pa zellin besnik të pasuesve të parë të Krishtit? Fryma e Shenjtë do ta ndezë edhe më shumë flakën e zellit, nëse ky zell është vetëm për kauzën e Krishtit.
  
Përfundim
Pse është kisha e sotshme në një gjendje kaq të mjeruar? Jeremia na sugjeron se arsyeja qëndron tek plogështia e popullit të Perëndisë. “Si u nxi ari, si u prish ari më i mirë! Gurët e shenjtërores u shpërndanë në hyrje të të gjitha rrugëve” (Vajtimet 4:1). Kjo plogështi vjen ngaqë ne, si besimtarë, nuk e vlerësojmë siç duhet ungjillin e lavdishëm të Krishtit, nuk i qëndrojmë besnikë standarteve të tij dhe nuk e shpallim fuqishëm të vërtetën e tij. Duhet të tregohemi të vendosur, për ta korrigjuar këtë situatë, në të cilën ndodhemi. “Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde” (Predikuesit 9:10). Kjo epokë ka nevojë për besimtarë të zellshëm, që t’i shërbejnë me besnikëri Zotit, sepse vetëm besimtarë të tillë mund ta transformojnë shoqërinë, kombin dhe kishën.

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 
  

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net