Zbulesa e Perëndisë
Teksti i Studimit: Psalmi 19
Parathënie
Në ç’mënyrë na është shfaqur Perëndia? Sipas psalmit 19-të, Ai na është shfaqur nëpërmjet Krijimit, si edhe nëpërmjet Shkrimeve të Shenjta (ose Biblës). Si të krishterë që jemi, do të shtonim gjithashtu se Perëndia na është shfaqur me anë të Krishtit: “Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta” (Hebrenjve 1:3). Në këtë studim, do ta shtjellojmë më shumë këtë çështje, duke e parë atë me sytë e autorit të psalmit.
Natyra
“Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij” (Psalmi 19:1). Perëndia është Krijuesi i çdo gjëje që egziston. Egzistenca e Perëndisë është e vërteta themelore, me të cilën fillon edhe Bibla: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën” (Zanafilla 1:1). Një ide e tillë gjendet e përsëritur shpeshherë nga Zanafilla e deri tek Zbulesa. Bibla na e bën të qartë se vetë krijimi i botës shërben për të vërtetuar se një dezinjator inteligjent (d.m.th. Perëndia) krijoi gjithçka. Nuk duhet të habitemi, pra, kur e shohim se si teoria e evolucionit është mënyra, me të cilën Satanai mundohet për ta shtrembëruar e për ta hedhur poshtë fare këtë të vërtetë. Teologët thonë se kjo është ‘zbulesa e përgjithshme e Perëndisë’, ngaqë i gjithë njerëzimi, sidomos ata njerëz, që nuk e kanë në duar fjalën e shkruar të Perëndisë, kanë se si ta vërtetojnë egzistencën dhe madhështinë e Tij, duke parë botën, që Ai vetë e ka krijuar.
“Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës” (Psalmi 19:2). Që prej ditës së parë të Krijimit, Perëndia e ka shfaqur vazhdimisht Veten në natyrë. Një zbulesë e tillë ka egzistuar edhe më përpara se profetët të na jepnin të gjitha ligjet dhe urdhërimet e Perëndisë. Vetëm ai njeri, që s’ka mend, i ngre sytë lart nga qielli dhe thotë se gjithçka u formua aksidentalisht: “Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua” (Romakëve 1:20-21). “I pamendi ka thënë në zemër të tij: “Nuk ka Perëndi” (Psalmi 14:1).
“Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet; por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin; dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij. Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij” (Psalmi 19:3-6). Krijimi ka gojë vetë; nuk ka nevojë për përkthyes. Krijimi përmban të njëjtin mesazh për të gjitha kombet e botës, pavarësisht nga prania e gjuhëve të ndryshme. Vini re se si Davidi përdor fjalën ‘harmoni’, në bazë të së cilës do të gjykohen të gjithë ata, që nuk kanë dëgjuar gjë akoma për Krishtin, apo nuk e kanë akoma Biblën për ta lexuar në gjuhën e tyre. Kjo “harmoni” nuk njeh pengesa gjuhe, kulture apo distance. Psalmi 18-të mbyllet me fjalët: “Prandaj, o Zot, unë do ta kremtoj midis kombeve emrin tënd me këngë” (vargu 49). Autori i psalmit mund ta bënte një gjë të tillë, duke iu treguar atyre që nuk besonin tek Zoti, mrekullitë e Krijimit. Të gjithë i ulim sytë poshtë e shikojmë të njëjtën tokë; i ngremë sytë lart e shikojmë të njëjtin qiell. Krijimi i botës mund të shërbejë si pika fillestare për ungjillizim, sepse bota e krijuar, në të cilën jetojmë, na shfaq dhe na reflekton Krijuesin e saj.
Shkrimet e Shenjta (Bibla)
“Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë. Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë. Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta; janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet. Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë” (Psalmi 19:7-11). Tek vargu 6-ë, lexuam se si nxehtësia e diellit arrin të depërtojë deri në tokë, por tani autori i psalmit na tregon se si fjala e Perëndisë arrin të depërtojë në çdo zemër njerëzore. Ai na shpjegon karakteristikat e fjalës së Perëndisë: ‘e përsosur, e vërtetë, e drejtë, e pastër, mbetet përjetë’. Kur Perëndia na shfaqet nëpërmjet fjalës së Tij, Ai pret që ne t’i përgjigjemi, prandaj edhe Davidi na përshkruan veprimtarinë e fjalës në shpirtin tonë: ‘përtërin shpirtin, e bën të ditur njeriun e thjeshtë, gëzon zemrën, ndriçon sytë’. Ashtu siç i përgjigjemi Biblës, ashtu i përgjigjemi edhe vetë Perëndisë.
Njeriu mund ta kuptojë se Perëndia egziston, thjesht duke vështruar natyrën. Por ai nuk mund ta gjejë dot Perëndinë tek natyra. Natyra nuk na është dhënë, që të na shfaqë fjalën e Perëndisë. Ai ka vendosur që të na e shfaqë Veten edhe më shumë, nëpërmjet gjuhës njerëzore. Krijimi i botës i vërteton njeriut mëkatar se Perëndia egziston, edhe sikur askush të mos shkojë e t’i tregojë atij të vërtetën për Të. Por ne e kemi për detyrë që ta ndajmë fjalën e Perëndisë me ata që nuk besojnë, me të humburit. Pali na sugjeron se zbulesa e Perëndisë nëpërmjet Krijimit nuk është e mjaftueshme për t’i shpëtuar njerëzit nga mëkati: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet”. Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!” (Romakëve 10:13-15).
Përfundim
Krijimi i botës i ngjan një pikture. Nuk njeh kufij njerëzorë dhe flet vetë rreth faktit se dikush e ka krijuar. Por, nuk mund ta njohim mirë artistin, thjesht duke e admiruar krijimin e tij.
Fjala e Perëndisë na është dhënë, për të na treguar atë, që kërkon Ai prej nesh. Zbatimi i fjalës së Tij na mban larg mëkatit: “Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë” (Psalmi 19:11). Fjala e Tij na mëson se duhet të pendohemi për mëkatin, nëse duam të kemi vërtet një marrëdhënie të mirë me Perëndinë: “Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh. Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha” (Psalmi 19:12-13). Fjala e Tij na bën thirrje, që t’i përkushtohemi Perëndisë në çdo aspekt të jetës sonë: “U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im” (Psalmi 19:14).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



