Zbulesa e folur dhe e shkruar



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 27.03.2007

“Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmi 119:105).

Parathënie

Shkrimet e Shenjta të Biblës na janë dhënë nga Perëndia, përmes njerëzve, të cilët u zgjodhën dhe u vajosën prej Tij për këtë qëllim. Historitë më të hershme të Biblës duhet të jenë transmetuar brez pas brezi në mënyrë gojore, por më vonë, fjala e Perëndisë u regjistrua me shkrim. Kjo nuk do të thotë se familjet e hershme ishin primitive e nuk dinin të shkruanin. Përkundrazi, transmetimi gojë më gojë i së vërtetës ishte i mjaftueshëm, deri atëherë kur njerëzimi u shumëfishua në numër dhe u përhap në mbarë botën (dhe shkrimi u bë i domosdoshëm).

Patrikët (Etërit) 

Burrat dhe gratë e kapitujve të parë të Biblës jetuan për një kohë të gjatë, disa madje edhe për gati 1000 vjet. Që nga Adami e deri te Noeu, ngjarjet e Javës së Krijimit, Rënia (në mëkat), dhe ngjarje të tjera si këto, duhet të jenë treguar gojarisht me qindra herë. Është pothuajse e pamundur që të ketë pasur ndonjë njeri gjatë asaj periudhe, që të mos i dinte të gjitha detajet e këtyre ngjarjeve. Gjithashtu, nuk kishte mundësi që faktet të mund të korruptoheshin (ose të shtrembëroheshin), ngaqë patrikët (ose etërit e besimit) ishin vetë të pranishëm për ta ruajtur të vërtetën, sepse (siç e thamë më lart) ata jetuan për një kohë të gjatë.

Shkrimet e Moisiut  

Moisiu është autori i pesë librave të parë të Dhiatës së Vjetër, që njihen zakonisht me emrin “Pentatuk”. Ka të ngjarë që Moisiu t’i ketë grumbulluar vetë faktet, nga Adami deri tek Jakobi, dhe t’i ketë regjistruar ato në formë libri. Moisiu ishte i kualifikuar mirë për këtë punë, sepse Perëndia e vajosi dhe bëri që ai të edukohej në shkollat më të mira të Egjiptit: “Kështu Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e Egjiptasve dhe ishte i pushtetshëm në fjalë e në vepra” (Veprat e Apostujve 7:22).

Ishte Fryma e Shenjtë Ajo, që e frymëzoi Moisiun të shkruante rreth Krijimit, Rënies, premtimit të Mesias, Përmbytjes, Kullës së Babelit, Abrahamit, skllavërisë së Izraelit, eksodit të tij dhe dhënies së Ligjit. Kritikët, të cilët e mohojnë se këto pesë libra u shkruan nga Moisiu, bien në kundërshtim me fjalën e Perëndisë: “Moisiu na la të shkruar…” (Marku 12:19)… “Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Shkruaji këto fjalë…” (Eksodi 34:27). Jezusi tha: “Sepse nëqoftëse ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua. Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?” (Gjoni 5:46-47).

Moisiu do të kishte qenë në gjendje për t’i mbledhur detajet e historive të hershme prej atyre, që e kishin njohur personalisht Abrahamin, Isakun dhe Jakobin. Pjesa tjetër e shkrimeve të Moisiut është regjistrim i atyre ngjarjeve, për të cilat ai ishte vetë dëshmitar. Prandaj, nuk egziston asnjë mundësi që Shkrimet e Shenjta të jenë të korruptuara. Shkenca e arkeologjisë dhe shkrime të tjera të lashta vërtetojnë se dëshmitë e Moisiut janë të vërteta. E dimë se Dhjetë Urdhërimet u shkruan në fillim mbi rrasa prej guri, e më vonë, mbi letër papirusi. Askush nuk u përpoq që të nxirrte një variant tjetër të ripunuar të asaj që ishte tanimë e shkruar, sepse kishin frikë nga Perëndia.

A ka mundësi që Biblën ta kenë shkruar njerëz të ligë?

Bibla iu dha njeriut nëpërmjet frymëzimit Hyjnor: “Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 Pjetrit 1:21). Ka nga ata, që e hedhin poshtë këtë ide dhe sugjerojnë se Bibla është thjesht vepër e njeriut.

A do ta shkruanin, vallë, të ligët një libër, i cili vazhdimisht ua gjykon mëkatet? “Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit” (Psalmi 7:11)… “Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë” (Psalmi 9:17).
Vallë, a do ta shkruanin vetë njerëzit e mirë një libër dhe pastaj, të tregoheshin kaq të ligë, saqë ta quanin librin e tyre Fjala e Perëndisë? A do të ishin, vallë, aq të gatshëm këta autorë, sa të jepnin jetën për një libër, që e kishin shpikur vetë? 66 librat e Biblës janë shkruar nga 35 njerëz të ndryshëm në rajone të ndryshme, nga Lindja e Mesme e deri në Evropë, brenda një periudhe kohe prej më shumë se 4000 vjetësh. Edhe pse Bibla përmban stile të ndryshme shkrimi, në të nuk egziston asnjë kontradiktë apo mosmarrëveshje. E ç’gjë tjetër përveç kësaj mund të pritet prej një Libri të Shenjtë!
Po qe se Bibla është vepër e njeriut, atëherë, gjatë këtyre 6000 viteve, me miliona njerëz do të kenë besuar një gënjeshtër.
 Autorët e librave të Biblës vazhdimisht deklarojnë se ata shkruan nën vajosjen e Perëndisë: “Zoti më tha: “Merr një rrasë të madhe dhe shkruaj mbi të me shkronja të zakonshme” (Isaia 8:1)… “Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua ndërgjegja ime me anë të Frymës së Shenjtë” (Romakëve 9:1).
Bibla është një libër i mrekullueshëm, i cili i ka rezistuar kohëra dhe flakëve të zjarrit të fesë së rreme. Ajo akoma vazhdon të mbetet libri më i shitur, numër 1 në botë (best-seller). Bibla është gjithashtu një libër mrekullish, sepse në të janë të regjistruara ngjarje të mrekullueshme, që e mbështesin vërtetësinë e saj: “Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij. Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”. Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë” (2 Pjetrit 1:16-18).  
 

Përfundim

Bibla është në vetvete një mrekulli. Ajo vazhdon të ndriçojë mendjet e atyre, që i hapin faqet e saj me respekt dhe besim në zemër. Si të krishterë që jemi, ne besojmë se ky libër (Bibla) ka pushtet dhe se ajo është fjala e frymëzuar dhe e zbuluar nga vetë Perëndia.

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net