Vreshtari



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 13.06.2010

Reflektime mbi Gjonin 15:1-16 – Pjesa I
“Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari… Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi” (Gjoni 15:1, 8).
Parathënie
Në  këtë seri studimesh, do t’iu hedhim një sy disa aspekteve të ndryshme të jetës së krishterë, të cilat na paraqiten prej Zotit Jezus Krisht tek Gjoni 15:1-16. Do t’i ndajmë këto aspekte në segmente të ndryshme, me qëllim që t’i kuptojmë më mirë çështjet, që përfshihen në to.
Vreshtari
Në kohët biblike, vreshtari ishte fshatar i fushës, kurse në ditët e sotshme, ky term i referohet sidomos rritjes së bagëtive në fshat.
Që në fillim, e shohim se “vreshtari” i përngjan Perëndisë Atë. Jezusi thotë se i Ati e ruan “hardhinë” dhe kujdeset për të. Hardhia, pra, është vetë Krishti. Zoti Jezus Krisht është “hardhia e vërtetë”, kurse ne jemi “shermendet” (d.m.th. “degët”). Kështu pra, Ati, duke u kujdesur për “hardhinë”, kujdeset automatikisht gjithashtu edhe për “shermendet”. Jezusi u bë “hardhia”, në mënyrë që ne të mund të bëheshim “shermendet”, të cilat duhet t’i sjellin lavdi Atit, ashtu siç i sjell Atij lavdi edhe Krishti.
Biri i Perëndisë, edhe pse është një me Atin dhe Frymën e Shenjtë, prapëseprapë erdhi në tokë, për të na ofruar privilegjin, për t’u bërë fëmijë të Perëndisë. Ky bekim nuk bëhet kurrë realitet, po qe se nuk ia dorëzojmë jetën Atij. Vetë Krishti e mbështeti jetën e Vet tek i Ati. “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri” (Gjoni 5:19)… “A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat” (Gjoni 14:10). Një jetë e tillë e kënaq Vreshtarin. “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” (Mateu 3:17)… “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!” (Mateu 17:5). Besimi, që kishte Krishti tek i Ati, ishte një besim i përsosur, edhe pse e dinte se do të vuante e do të vdiste mbi kryq. Prandaj edhe Ati u përlëvdua në Birin.
Vënia në praktikë
Fshatari e ka për detyrë, që të kujdeset si për të mbjellat, ashtu edhe për dheun, në të cilin janë mbjellë ato, sepse përndryshe, nuk korr dot prodhime të mbara. Perëndia na ka vendosur në pozicionin më të mirë, sepse, nëse Jezusi është “hardhia” dhe ne jemi “shermendet”, atëherë nuk kemi asnjë arsye pse të mos japim fryte. Kjo do të thotë se me forcat tona nuk mund të bëjmë dot asgjë, për të qenë të frytshëm. “Sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5). Kështu pra, në vend që t’i varim shpresat tek vetja, le t’i kthejmë sytë tek Ati dhe ta lëmë jetën tonë në duart e Tij. Kjo mund të jetë gjëja më e vështirë, që do të na duhet të bëjmë, sepse shpesh kujtojmë se mund të shkojmë në Parajsë me forcat tona. Duhet ta besojmë faktin se Ai kujdeset për ne, sepse një kopësht i pambajtur mirë shumë shpejt kthehet në shkretërirë.
Duhet ta konsiderojmë veten si të pazotë dhe t’ia dorëzojmë vullnetin tonë plotësisht Perëndisë. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur” (Romakëve 12:1). Po të mos ia nënshtrojmë veten Perëndisë, atëherë nuk do të japim kurrë ato fryte, që Vreshtari pret prej nesh. Po të mos e lejojmë Atë, që të na i sigurojë të gjitha nevojat tona, për një rritje sa më të mirë nga ana shpirtërore, atëherë do të kemi pasoja negative në jetën tonë të krishterë. “Vreshti që jep verë të kuqërremtë, këndoni për të. Unë, Zoti, e ruaj, e vadis çdo çast, e ruaj natën e ditën me qëllim që askush të mos e dëmtojë” (Isaia 27:2-3). Jemi thirrur që t’i shërbejmë Perëndisë.
E si mund të përlëvdohet Perëndia ndryshe? Ai përlëvdohet nëpërmjet fryteve të atyre, që ia kanë dedikuar jetën Atij. Ashtu siç gëzohet e nderohet fshatari, kur njerëzit ia pëlqejnë frytat e perimet, ashtu edhe Vreshtari Hyjnor përlëvdohet, atëherë kur bota sheh karakterin e Tij tek ne. “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16). Le të mos e harrojmë se gjithçka që ka lidhje me rritjen shpirtërore, vjen nga Perëndia e jo prej nesh. Gjithashtu, Perëndinë e përlëvdojmë, atëherë kur qëndrojmë brenda për brenda zonës së dheut, në të cilin na ka mbjellë Ai. “Nëse dikush flet, le ta bëjë si të shpa-llë orakullit të Perëndisë; kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i takon lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve” (1 Pjetrit 4:11). Kjo do të thotë se mund t’i shërbejmë Perëndisë vetëm në bazë të fuqisë, që na ka dhënë Ai. Ia grabisim Atij lavdinë, po të veprojmë ndryshe.
   
Përfundim
Është fshatari ai, që lavdërohet për trëndafilin e bukur, që ka mbjellë. Është Ati Ai, i Cili përlëvdohet për jetën, që jetojmë në Krishtin. Nuk rritemi dot në Zotin thjesht me forcat tona. Është Ai, që vepron tek ne, për të prodhuar fryte. “Sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 2:13). Gjithçka që na nevojitet për jetën e krishterë, vjen prej Tij. A jemi gati t’i pranojmë ato, që na siguron Ai?
Në pjesën e dytë të këtij studimi, do t’i hedhim një sy “Hardhisë së Vërtetë”.
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit tek http://fjalaegjalle.2truth.com/
 

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com