Vlera e Biblës
“Prandaj çdo skrib, që është mësuar për mbretërinë e qiejve i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra” (Mateu 13:52).
Parathënie
Bibla e Shenjtë është libri më i famshëm dhe më i rëndësishëm, që ka parë ndonjëherë bota. Ajo, jo vetëm që përmban shkrime të lashta profetësh, burrash shteti, mbretërish, priftërinjsh dhe dishepujsh të Krishtit, por ka të regjistruar githashtu edhe historinë e vërtetë të marrëdhënieve të Perëndisë me njeriun. Bibla ka influencuar çdo lloj qytetërimi dhe ka transformuar si shoqëri të ndryshme, ashtu edhe individë. Çdo fjalë e saj i ofron lexuesit udhëzim, ngushëllim dhe bekim. Bibla meriton nderin, respektin dhe vëmendjen tonë.
Dy Dhiatat
Të dyja Dhiatat të marra së bashku ia rritin vlerën njëra-tjetrës. Dhiata e Re përfshin brenda saj edhe Dhiatën e Vjetër, kurse Dhiata e Vjetër i jep shpjegim Dhiatës së Re. Dhiata e Re përmban 260 citate të marra drejtpërsëdrejti nga e Vjetra, si edhe 350 raste, ku bëhet fjalë rreth Dhiatës së Vjetër. Edhe pse të dy Dhiatat u shkruan brenda një periudhe kohe prej disa shekujsh, ato prapëseprapë kanë një plan dhe një qëllim të përbashkët. Disa komentues të Biblës e kanë përshkruar këtë fakt si “filli i kuq i Biblës”, d.m.th. tema kryesore është shpëtimi nëpërmjet gjakut. Nuk është e mundur që ta kuptojmë plotësisht njërën Dhiatë, pa kuptuar tjetrën. Nga Zanafilla e deri tek Zbulesa, shohim se si e vërteta hyjnore zbulohet në mënyrë progresive (gjithnjë e në rritje). Secila pjesë e Biblës përgatit rrugën, për ta kuptuar më mirë pjesën tjetër që vjen pas saj. Prandaj, po qe se e hedhim poshtë dëshminë e Krijimit dhe të Rënies në mëkat (të gjendur tek Zanafilla), atëherë nuk kemi fare bazë se ku ta mbështesim pjesën tjetër të Biblës, dhe si pasojë, nuk do të arrijmë ta kuptojmë se përse Shpëtimtarit i duhej të vinte në tokë e të shpëtonte mëkatarët (shiko 1 Timoteut 1:15).
Kuptimplotë
Gjatë gjithë jetës sonë, ne mund ta lexojmë Biblën me qindra herë e prapëseprapë, nuk do të arrijmë kurrë që t’ia nxjerrim fundin thesareve dhe mësimeve të saj. Fjala e Perëndisë është aq e përjetshme, sa edhe vetë Përëndia. Ata që e lexojnë dhe e studiojnë me besnikëri Biblën, vazhdimisht zbulojnë thesare në të. Sa herë na ka qëlluar që ta kemi gjetur në Bibël atë fjalë ngushëllimi, këshille dhe udhëzimi pikërisht në momentin, kur kemi patur më shumë nevojë për të! Sa herë ka patur raste kur Bibla na ka korrigjuar ide të gabuara, të cilat prej vitesh kujtonim se ishin të drejta! Përveç Krishtit, nuk ka patur asnjë njeri, që ta ketë ditur gjithçka që thotë Bibla, sepse lartësia, gjerësia dhe thellësia e saj ia kalojnë të kuptuarit njerëzor.
Interpretuesi
Po qe se Fryma e Shenjtë nuk na i shfaq thesaret e Biblës, atëherë ne nuk do të mund t’i zbulojmë dot vetë ato: “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd” (Psalmi 119:18)… “Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet” (Luka 24:45)… “Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do vijnë” (Gjoni 16:13). Ne mund ta kuptojmë më mirë Biblën vetëm nëpërmjet dritës së Frymës së Shenjtë: “Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore” (1 Korintasve 2:13). Fryma e Shenjtë na drejton tek lexojmë Biblën, duke na sjellë në mendje faktin se pasazhet që janë të paqarta, gjejnë shpjegim diku tjetër në Bibël: “Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26).
Jezusi – Qendra e Biblës
Po ta heqim Jezusin nga Bibla, atëherë ky libër kthehet në një libër të zakonshëm fetar, mbushur plot e përplot me shprehje pa kuptim: “Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij…Pastaj u tha atyre: “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet” (Luka 24:27, 44)… “Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!” (Gjoni 1:45)… “Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij” (Veprat e Apostujve10:43). Bibla flet për Jezus Krishtin nga fillimi e deri në fund. Vetëm tek Ai, ne mund të gjejmë vlerën dhe kuptimin e vërtëtë të Biblës.
Përfundim
Fjala e Perëndisë është thesar brenda një thesari. Sa më thellë që të gërrmojmë në faqet e saj, aq më të pasura do të jenë mësimet që gjejmë. Prapëseprapë, edhe pse mund të gërrmojmë thellë, ne thjesht vetëm sa po zbulojmë sipërfaqen e saj: “Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak. Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua” (Psalmi 119:96-100). Ata që ia ulin vlerën Biblës, i bëjnë dëm vetëm vetes së tyre. Është e qartë se askush nuk mund ta mbivlerësojë dot Biblën. Fjala e Perëndisë është sa e çmuar, aq edhe e përjetshme.
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



