Vdekja e Davidit



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 27.01.2012

“Duke iu afruar Davidit dita e vdekjes, ai urdhëroi të birin Salomon, duke i thënë: “Unë jam duke shkuar atje ku shkojnë tërë banorët e tokës; prandaj tregohu i fortë dhe sillu si burrë! Respekto urdhrat e Zotit, Perëndisë tënd, duke ecur në rrugët e tij, duke zbatuar në praktikë statutet e tij, urdhërimet e tij, dekretet e tij dhe porositë e tij, ashtu siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me qëllim që ti t’ia dalësh mbanë në të gjitha gjërat që do të bësh dhe nga çdo anë që të kthehesh, dhe me qëllim që Zoti ta plotësojë premtimin që më ka bërë kur tha: “Në qoftë se bijtë e tu do të kujdesen për të ecur para meje me të vërtetë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do të mungojë kurrë dikush mbi fronin e Izraelit”. Edhe ti e di ç’më ka bërë mua Joabi, bir i Tserujahut, dhe ç’u ka bërë dy krerëve të ushtrive të Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amas, birit të Jetherit, që ai i vrau; në kohë paqeje ka derdhur gjak lufte dhe ka njollosur me gjak lufte brezin që mbante në mes dhe sandalet që mbante në këmbë. Vepro, pra me urti dhe mos lejo që flokët e tij të bardha të zbresin në paqe në Sheol. Por trego mirësi me bijtë e Galaaditit Barzilai dhe ata të jenë ndër ata që hanë në tryezën tënde, sepse me një mirësi të njëllojtë ata erdhën tek unë kur po ikja me vrap para Absalomit, vëllait tënd. Ja, pranë teje është edhe Shimei, bir i Beniaminitit Gera, nga Bahurimi. Ai shqiptoi një mallkim të tmerrshëm ditën që shkoja në Mahanaim, por pastaj zbriti të më takojë në Jordan dhe unë iu betova në emër të Zotit: “Nuk do të bëj të vdesësh nga shpata”. Tani, pra, mos e lër të pandëshkuar, sepse ti je njeri i urtë dhe di atë që duhet të bësh. Bëj që flokët e tij të bardha të zbresin të lyera me gjak në Sheol”. Kështu Davidin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit. Davidi mbretëroi mbi Izrael dyzet vjet, shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jeruzalem” (1 Mbretërve 2:1-11).
 
Parathënie
Studimit tonë lidhur me jetën e Davidit i ka ardhur fundi. Do t’i hedhim tani një sy testamentit të këtij mbreti, lidhur me vizjonin e tij për të ardhmen. Kishte mbretëruar për 40 vjet me rradhë dhe kishte patur shumë probleme e telashe gjatë jetës, të cilat kishin ardhur, në përgjithësi, si pasojë e mëkatit të tij. Por Davidi kishte përjetuar edhe shumë bekime. Po ia linte tani rradhën Salomonit, judenjve dhe mbarë botës.
 
Këshilla
Davidi e inkurajon Salomonin, që të jetojë në jetë të drejtë në sytë e Zotit dhe të popullit. E nxit atë që të bëhet i fortë, që të sillet me integritet dhe t’i bindet fjalës së Perëndisë. Ndoshta Davidi kishte shpresë se i biri nuk do të binte në të njëjtat  kurthe, që kishte rënë edhe ai vetë. Si baba që ishte, ai kishte merak për gjendjen shpirtërore të Salomonit, sepse, nëse i biri nuk do ta vinte Zotin në plan të parë, atëherë mbretëria e tij do t’i sillte vetëm shkatërrim kombit. Davidi i kishte siguruar Salomonit gjithçka, që i nevojitej për ndërtimin e tempullit (1 Kronikasve 22-29), prandaj ajo që i mbetej tani Salomonit, ishte thjesht që të ecte në gjurmët e të atit.
Davidi, jo vetëm që e këshilloi Salomonin, por edhe e thirri të gjithë popullsinë , për t’iu dhënë atyre ca këshilla të perëndishme dhe për t’iu thënë që ta pranonin të birin si mbret të caktuar prej Perëndisë (1 Kronikasve 28:1-7). Me pak fjalë, pra, Davidi po i thoshte popullit, që të luante një rol të rëndësishëm në forcimin e mbretërisë, me qëllim që të merrte bekimet e Zotit. Vëmë re se tek 1 Kronikasve 29:22-30, dikush mund të ketë patur dyshim, lidhur me vajosjen e Salomonit si mbret, a ishte apo jo e ligjshme një gjë e tillë. Prandaj, kur kjo çështje u zgjidh përfundimisht, “për herë të dytë e shpallën mbret Salomonin” dhe ai “u ul në fronin e Zotit si mbret në vend të Davidit, atit të tij” (1 Kronikasve 29:22-23).
 
Urdhëri
Davidi më pas i jep ca udhëzime Salomonit, lidhur me tre njerëz, të cilët i kemi studjuar në mësimet e kaluara.
1. Jep urdhër që Joabi të vritet, ngaqë kishte vrarë Abnerin (2 Samuelit 3) dhe Amasën (2 Samuelit 20). Joabi kishte kohë që nuk ishte ndëshkuar për krimet e tij, por tani i kishte ardhur dita. “Koha nuk ia heq fajin mëkatit” (Mateo Henri). Joabi kishte vrarë gjithashtu edhe Absalomin (2 Samuelit 18) dhe kishte mbështetur Adonijahun (1 Mbretërve 1).
2. Barzilai. Ky njeri duhej bekuar prej Salomonit, për shkak të besnikërisë së tij gjatë kohës së kryengritjes, të udhëhequr prej Absalomit (2 Samuelit 17:27-29). Davidi kurrë nuk ia kishte harruar Barzilait të mirën që i kishte bërë, ndaj edhe jep urdhër, që ai të shpërblehet.
3. Shimei e kishte trajtuar shumë keq Davidin, duke e mallkuar dhe duke e ofenduar, në kohën kur mbreti po largohej prej Jeruzalemit, për t’i shpëtuar Absalomit (2 Samuelit 16:5-13). Por edhe pse Shimei gjoja i kishte kërkuar falje Davidit (2 Samuelit 19:23), koha vetë do ta vërtetonte se atij nuk i duhej zënë besë (2 Mbretërve 2:36-46). Ai do të egzekutohej një ditë prej Salomonit.
 
Varrimi
Pasi i dha bekimet e fundit të birit, Davidi vdiq dhe e varrosën në Jeruzalem (rreth vitit 970 para Krishtit). Ka të ngjarë që Davidi të ketë qenë rreth 70 vjeç, kur vdiq, sepse e dimë se ai ishte rreth 30 vjeç, kur filloi të mbretërojë (2 Samuelit 5:4). Prej këtyre studimeve kemi mësuar se jeta e Davidit ka qenë e mbushur me shumë ngjarje të ndryshme. Nga psalmet që shkroi, jemi të bindur se ai u pendua përpara Perëndisë për mëkatin e vet. Ky mbret, pra, nuk pati një vdekje dramatike, apo një vdekje të tmerrshme, por ka shumë mundësi që ai të ketë vdekur me paqe dhe besim në zemër. “Është e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij” (Psalmi 116:15).
Në pasazhin në hyrje të këtij studimi, na thuhet se “Davidin e zuri gjumi”. Varri nuk ishte vendqëndrimi i tij përfundimtar. Ky fakt na vërteton se vdekja fizike nuk është fundi i egzistencës njerëzore, sepse, një person që fle, shpreson që të ngrihet në mëngjes. Vdekja na çon në anën tjetër të përjetësisë, ku na pret një realitet tjetër. Davidi, pavarësisht nga gabimet e tij, ishte një njeri sipas vetë zemrës së Perëndisë (1 Samuelit 13:14). “Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia” (Veprat e Apostujve 13:22).  
 
Përfundim 
Le të mos e harrojmë faktin se Davidi ia la fronin Salomonit, se ai kishte bërë përgatitjet e duhura për ndërtimin e tempullit të mahnitshëm dhe se ai bëri një premtim, lidhur me ardhjen e Mesias. Nga familja e Davidit do të lindte Shpëtimtari i botës (Mateu 21:9, Zbulesa 3:7, 5:5). “Unë jam Rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit” (Zbulesa 22:16)… “Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur” (Luka 1:32-33). 
  
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip http://fjalaegjalle.2truth.com/
  
 
           
   

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com