Uri për Fjalën



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 24.01.2010

“Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë” (Psalmi 119:36).
Parathënie
Psalmi 119-ë i dedikohet atyre, që e duan fjalën e Perëndisë dhe që dëshirojnë t’i dinë të gjitha të vërtetat e saj. Vargu 36-ë na tregon se, n.q.s. duam që të bekohemi prej Biblës dhe t’i mënjanojmë kurthet e mëkatit, atëherë duhet të përpiqemi për t’i kuptuar Shkrimet e Shenjta.
Duhet të përkulemi
Ushtrimet gjimnastikore i bëjnë mirë muskujve dhe kockave. Atletët i bëjnë këto ushtrime, para se të konkurojnë në fushat e tyre të ndryshme sportive. Fjala “përkul” do të thotë “të zgjatesh ose të shtrihesh” dhe ka kuptimin e të forcuarit të vetes. E njëjta ide vihet re edhe tek Eksodi 6:6, “Prandaj u thuaj bijve të Izraelit: “Unë jam Zoti; do t’ju heq nga punët e rënda që ju kanë imponuar Egjiptasit, do t’ju çliroj nga skllavërimi i tyre dhe do t’ju çliroj me krah të shtrirë dhe ndëshkime të mëdha”. Perëndia ka për të na forcuar, nëse ia përkulim (ia shtrijmë, ia zgjasim) zemrën Fjalës së Tij. Kjo do të thotë se duhet ta lexojmë rregullisht Biblën dhe ta vëmë atë në praktikë.
Duhet të kthehemi
Fjala “përkul” ka gjithashtu kuptimin e të kthyerit nga rruga jonë, me qëllim për të ndjekur rrugën e Perëndisë. Kjo ide na paraqitet tek historia e gomaricës së Balaamit. “Gomarica pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë, doli nga rruga dhe hyri nëpër ara” (Numrave 22:23). Autori i psalmit 119-ë kërkon të na thotë se duhet të kthehemi çdo ditë tek Zoti, sepse shpesh i lejojmë gjërat e kësaj bote, që të na e largojnë vëmendjen prej shërbesës së Perëndisë. Ai na e ka dhënë fjalën e Tij, në mënyrë që ta përqëndrojmë vëmendjen tek gjërat shpirtërore. Lakmia theksohet hapur në këtë varg, sepse, ashtu siç e thotë edhe Gjon Uesli: “Lakmia është armikja më e madhe e parimeve të Perëndisë. I pengon njerëzit prej së pranuarit të fjalës së Tij dhe prej së përfituarit prej kësaj fjale. Lakmia është shkatërrimtare, ngaqë është rrënja e të gjitha të këqijave”.
Na duhet drejtim
Fjala “përkul” na sugjeron gjithashtu domosdoshmërinë e të kushtuarit vëmendje fjalës së Perëndisë. Kjo do të thotë se fjala e Tij meriton kohën dhe përkushtimin tonë. Nuk është e natyrshme që një njeri të gjejë fuqi, shpëtim dhe ndihmë në faqet e një libri. Por Fryma e Shenjtë i inkurajon të gjithë ata, që e ndjekin Krishtin, që t’i gjejnë të gjitha këto gjëra në faqet e Biblës. Nëse e mbushim zemrën me fjalën e shenjtë të Perëndisë, atëherë do ta kemi më të lehtë për t’iu rezistuar sulmeve tunduese të mëkatit. “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11)… “Mos lejo që zemra ime të priret nga asgjë e keqe dhe kështu të kryejë veprime të këqija bashkë me ata që bëjnë paudhësi; dhe bëj që unë të mos ha ushqimet e tyre të shijshme” (Psalmi 141:4).
Duhet të mbushemi
Në psalmin 119-ë, lexojmë rreth nevojës për t’u mbushur me fjalën e Perëndisë. Por tek vargu 36-ë, autori na thotë se duhet të mbushemi ose me të vërtetën, ose me botën. “Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër” (Psalmi 119:2). Mbushemi me atë, së cilës ia kemi përkulur zemrën. “Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj” (Mateu 6:21). Njerëzit sot, në përgjithësi, duke përfshirë këtu edhe të krishterët, janë të mbushur plot e përplot me botën. Sa të paktë janë ata, që dinë diçka plot me kuptim rreth fjalës së Perëndisë! “Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t’ia kënaqni lakmitë” (Romakëve 13:14).
Përfundim
Ky varg i shkurtër na fton, që ta kontrollojmë zemrën tonë, për ta parë, nëse ajo po i shkon pas Zotit, apo jo. A kënaqemi me fjalën e Tij? “Por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij” (Psalmi 1:2). A ndikohemi më shumë prej botës, apo prej Shkrimeve të Shenjta?
Zoti na thërret vazhdimisht, që t’i afrohemi Atij e të përjetojmë një marrëdhënie me të vërtetë shpirtërore me Të. “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28-30)… “Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë” (Gjoni 7:37-38). Sa shumë bekime humbasim, kur nuk ia përkulim zemrën Zotit! “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd” (Psalmi 119:18). 
 
                    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 
  

per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net