Ungjilli i Jezus Krishtit është fuqia e Perëndisë….
(Pjese teatrale)
Personazhet: Një i ri, Plaku, një vajzë, besimtari dhe shoferi.
Janë në një autobus. Shoferi përpara dhe ulur nëpër stola, një i moshuar me syze që lexon gazetën, një pasagjer afër tij “besimtar“ lexon Biblën. Përballë tyre një vajzë. Nga mbrapa plakut, një i ri çohet dhe përpiqet të lexojë gazetën.
Djali: (Përkulet sipër plakut)
Plaku: (Kthehet dhe e shikon)
Djali: (Vazhdon të lexojë pa përfillur shikimin e plakut).
Plaku: (Kthehet dhe e shikon përsëri)
Djali: (Nuk i jep rëndësi dhe vazhdon të lexojë. Besimtari lexon Biblën dhe vajza i shikon).
Plaku: (Kthehet papritur nga djali i nxehur). Në qoftë se doje të lexoje gazetë, pse nuk bleve një po më rri si xhandar sipër kokës dhe lexon gazetën time? Nuk e kupton se më bezdis?
Djali: Një minutë, një minutë… (I ngre gazetën dhe e lexon). Thotë diçka me interes këtu…
Plaku: E! Nuk durohesh dot më! (Zhubros gazetën dhe ja jep me vrull). Merre, lexo çfarë të duash dhe kur të mbarosh ma jep, se na vdiqe.
Djali: (Merr gazetën, e drejton dhe fillon të lexojë).
Plaku: (Qëndron në vëndin e tij dhe i drejtohet vajzës që është përballë). E patë? E patë se ku u katandis rinia? Unë në ktë moshë isha djalë i jashtëzakonshëm (përdredh mustaqet e tij), i sjellshëm, i edukuar. Të hyja në autobus dhe të ulesha? Jo zonjushë! E lija vendim tim për të tjerët.
Vajza: (Lëviz kokën me fanatizëm).
Plaku: E patë mënyrën që më mori gazetën? E patë? Pa më thuaj, nuk është kjo moskokëçarje, nuk është kjo paturpësi? Po apo jo?
Vajza: Për fat të keq, ashtu është zotëri.
Plaku: Gëzohem që bini dakort zonjushë. Dhe e dini, kam dhe një dobësi (rregullon syzet e tij). Kur jam në ndonjë automjet dua të lexoj diçka, sepse më merren mënd.
Vajza: Ç’po më thoni, me të vërtetë?!
Plaku: Po, zonjushë, sado që duket e çuditshme, sepse të gjithë njerëzve u merren mend kur lexojnë në autobus, kurse tek unë ndodh e kundërta.
Vajza: Nuk keni problem me sytë?
Plaku: Jo, aspak. (Kthehet nga djali). Hajde zotëri, mbarove?
Djali: (Nuk përgjigjet. Është i përqëndruar në lexim).
Plaku: Zotëri! Më dëgjon? Ty po të them! ( E shkund) Mbarove? Dua të lexoj edhe unë!
Djali: Çfarë the? Po, po. Për një minutë mbaroj.
Plaku: Kjo do të thotë të japësh gishtin e të marrin krahun! Nuk mjafton që i dhashë gazetën, por më sillet sikur do të ma jepte ai gazetën e tij. Dhe kë! Gazetën time. Ku është parë e dëgjuar një gjë e tillë.
Vajza: Ju e keni fajin që ia dhatë.
Plaku: Keni të drejtë zonjushë, unë e kam fajin. Por çfarë ti bëja ashtu si më rrinte si xhandar mbi kokë, gati për të më marrë frymën?
Djali: E jo dhe frymën! Gazetën tënde doja.
Plaku: Hajde, e mbarove?
Djali: Po, këtë artikull e mbarova.
Plaku: Shyqyr!
Djali: Por, këtu ka diçka tjetër që më intereson shumë! Një minutë akoma dhe
do të ta jap, të qetësohem nga grindja jote.
Plaku: Të qetësohet nga grindja ime! E dëgjuat? Ç’farë do të bënit ju në vendin
tim?
Vajza: Do t’ia merrja me zor!
Plaku: Një fjalë goje është zonjushe! Nëse do t’ia marr do bëhet këtu lëmsh
bota.
Ç’ti bësh. Më ka kaluar mosha dhe nuk do të mundem të mbrohem. Ç’farë të
bëj? Do pres derisa ta mbarojë. Do bëj edhe pak durim.
Besimtari: Keni të drejtë zotëri. Me durim do të fitoni më tepër.
Plaku: Po, por duhet të dini se kam durimin e “Bobit”.
Besimtari: “Jobit” deshët të thoshit. Domethënë, si durimin e Jobit.
Plaku: E Bobit, e Jobit, nuk e di. Di që ka fillur të më merren mendtë. Hë të shkretën mbarove?
Djali: Ja, ja një minutë akoma.
Plaku: Një minutë tani, një minutë pastaj, dhjetë minuta më pas,… ka kaluar gjysëm ore dhe ti akoma nuk po ma jep gazetën.
Djali: Oh me këtë gazetë edhe ti. Më hëngre! Të thashë që po mbaroj.
Plaku: Ç’paturpësi! Zotëri! Zonjushë! Shikoni ç’njeri i paturp është ky.
Vajza: Unë, ju thashë se ç’farë të bënit por ju nuk më dëgjuat.
Plaku: E çfarë të bëj? Po përpiqem të bëj durim. Trullosja që më filloi, sa po vjen e po bëhet më e fortë.
Vajza: Aha. Në këtë gjendje që jeni, do t’ju hanë të gjallë. “Durim”, këtë fjalë fshijeni nga fjalori.
Besimtari: Përkundrazi zonjushë, durimi gjithmonë fiton.
Vajza: Se ku është fitimi, nuk e di. Ai e tha qartë: I me-rren me-ndtë.
Plaku: Po zonjushë, po.
Vajza: Noshta do i bjerë të fikët nëse kjo gjendje vazhdon.
Plaku: (I shqetësuar) Me të vërtetë, po si e kuptuat?
Vajza: Po ju shoh. Jeni bërë i bardhë si çarçaf.
Plaku: Po, po jua thashë. (Nxjerr shaminë dhe fshin djersët). Nuk ndihem mirë. Ç’farë të bëj tani?
Vajza: Ju thashë që vetëm një zgjidhje ka. Merjani gazetën.
Plaku: I mjeri unë… nuk mundem…. nuk jam frikacak…. por…. ah… ah… nuk ndihem mirë. (Fshin djersët)
Besimtari: Uluni zotëri, qetësohuni. Nuk besoj se keni diçka. Ndoshta është ideja juaj.
Vajza: Ideja e tij? Nuk e shikoni se si është zverdhur? Nuk e shikoni se si i kanë dalë sytë jashtë?
Plaku: Është e vërtetë. E ndiej se po keqësohem nga minuta në minutë.
Vajza: Ndoshta do të ndiheshit më mirë nëse do të zbrisnit nga autobusi.
Plaku: Ndoshta. Po gazeta ime? Çdo bëhet me gazetën time? Pastaj, si do eci gjithë këtë rrugë?
Vajza: Nuk është nevoja të ecni. Do blini një gazetë dhe do të prisni autobusin tjetër.
Plaku: Domethënë do pres autobusin në diell edhe një gjysëm ore dhe të paguaj dhe biletë tjetër? Do vonohem shumë dhe gruja ime do bëhet merak. Jo jo. Asnjëherë nuk më ka ndodhur diçka e tillë, mua Muço Kapedanit.
Vajza: Atëhere mos u ankoni.
Plaku: (Ngrihet me vendosmëri dhe i rrëmben djalit gazetën nga dora) Ose ma jep gazetën ose nuk e di se çfarë do bëhet.
Djali: Si guxon ore të më marrësh gazetën nga duart!
Plaku: Ose ma jep përsëri gazetën ose….
Djali: Ki kujdes xhaxho. Më duket se të vjen vërdallë. Ma jep gazetën. (Dhe ia rrëmben nga duart)
Plaku: Guxon dhe më flet kështu? Pjellë e keqe. Judë. Kthema shpejt gazetën.
Djali: Xhaxho, rri mirë se do të të shqep në dru.
Besimtari: (Plakut) Uluni zotëri, qetësohuni.
Plaku: Nuk do ulem derisa të më japë gazetën. Mori fund durimi im.
Djali: Nëse nuk ta jap, çfarë do bësh?
Plaku: Do thërras shoferin. Shofer.
Djali: Tani po. Do kem unë frikë nga shoferi.
Plaku: Shofer, eja shpejt këtu!
Shoferi: Do më lini rehat të bëj punën time?
Plaku: Shofer, duhet të vish këtu të vendosësh drejtësinë. Edhe kjo detyra jote është.
Shoferi: (Ndalon autobusin dhe afrohet) Çfarë po ndodh këtu? Ring e bëtë autobusin?
Plaku: Shofer, ma mori me gazetën me zor dhe nuk ma jep. Ndërsa unë….
Djali: Kujdes se çfarë thua. Nuk ta mora me zor gazetën, ti ma dhe. Kam deshmitarë.
Vajza: Ai ta dha por ti e detyrove. Ashtu siç i rrije përsipër ti për të lexuar, do ta haje të shkretin.
Plaku: Unë shofer kam një dobësi. Kur jam në autobus, duhet të lexoj diçka, përndryshe më merren mendtë. Thuajini ju lutem të ma japë.
Shoferi: Ja shiko ku u katandisa. Nga shofer autobusi të bëhem gjykatës! Ja uluni të gjithë. (ulen) Atëhere që ta kuptoj edhe unë. Ti kishe një gazetë dhe ia dhe për ta lexuar djaloshit.
Vajza: Nuk ia dha me dëshirë. Ky përkulej kaq shumë mbi të, sa zotëria u nevrikos dhe ia dha gazetën pa e dashur me të vërtetë.
Djaloshi: Sidoqoftë ma dha vetë, kjo ka rëndësi.
Plaku: Ta dhashë për pak, por ti e mbajte gjysëm ore.
Djali: Jo dhe gjysëm ore. Njëzet e pesë minnuta e kisha.
Plaku: Jo kërriç po gomar. E njëjta gjë është.
Shoferi: Qetësi ju lutem. Me sa kuptova ti i dhe gazetën djaloshit.
Plaku: Po, por jua shpjegova. Për pak sepse më nevrikosi sjellja e tij.
Vajza: Ashtu është, e pashë edhe unë. Përkulej mbi të dhe ishte bërë me të vërtetë i padurueshëm.
Djali: Mos i jep rëndësi shofer. Egzagjërojnë. Do të ta shpjegoj unë se çfarë ndodhi. Kur zotëria po lexonte, unë hodha sytë dhe pashë një artikull për fushatën zgjedhore. Ishte interesant dhe kështu padashur u përkula për ta lexuar.
Plaku: Pikërisht atë po lexoja edhe unë në atë moment.
Djali: Ndërsa isha i zhytur në lexim, ky zotëria këtu filloi të bërtasë sepse po i lexoja gazetën. Dhe kështu humba çdo shpresë se do lexoja vazhdimin.
Plaku: Dëgjoni dëgjoni. Po e thotë edhe vetë.
Djali: Papritur më jep gazetën dhe më thotë: “Na merre. Lexo çfarë të duash dhe kur të mbarosh ma jep prapë.”
Vajza: Po, por ti po e mban një orë. Ai ta dha për pak.
Djali: Më tha:”Lexo çfarë të duash dhe kur të mbarosh ma jepë” E pra nuk kam mbaruar akoma.
Plaku: Shofer, e kuptuat se si ndodhën gjërat.
Shoferi: E kuptova. Ti e ke pasur fajin.
Plaku: Çfarë thoni. Unë kam të drejtë.
Shoferi: Nuk di gjë unë. Unë bëj punën time. Më lini rehat të vazhdoj rrugën se jam vonouar.
Plaku: Po, po gazeta ime…?
Shoferi: Të kishe kujdes. Mos ia jepje.
Plaku: Veçse siç ju thashë, kam dobësi…..
Shoferi: Ohu me këtë dobësinë tënde. Do më lësh të vazhdoj punën apo jo?
Plaku: Por ju si shofer autobusi duhet të vendosni drejtësi….
Shoferi: Unë e nxora vendimin. Dhe tani qetësohu se do të të zbres fare nga autobusi.
(Shoferi largohet, djali vazhdon të lexojë dhe plaku ulet i mërzitur dhe i inatosur)
Plaku: Ah, rashë nga shiu në breshër…..Çfarë ke për të thënë tani zonjushë?
Vajza: Kam për t’ju thënë se nuk ka drejtësi në botë.
Plaku: Ç’farë të bëj unë tani që më merren mendtë?
Besimtari: Dëshironi të lexoni këtë libër? ( I tregon Biblën)
Plaku: Cili është ky libër?
Besimtari: Është Bibla.
Plaku: Bibla? Hmm…. do ta lexoj.. Çfarë të bëj? Që të mos më merren mendtë…
Besimtari: (Ja jep) Nëse dëshironi lexoni me zë të lartë të dëgjoj edhe unë.
Plaku: Sigurisht zotëri i sjellshëm. Po nga të lexoj?
Besimtari: Po deshët filloni nga këtu…..
Plaku: Në rregull. (Lexon ngadalë). “Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.” Ja prisni. Ka shpresë se bota mund të shpëtohet.
Besimtari: Siç e shihni, ka.
Plaku: Unë kisha humbur çdo shpresë. Gazetat dhe televizioni thonë se po shkojmë keq e më keq. Po lexoj më poshtë të shohim se çfarë thotë: “Ai që beson në të nuk do të dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.”
Besimtari: Domethënë, ata që nuk besojnë në Jezu Krishtin, janë të humbur përjetë.
Plaku: Me të vërtetë? Kjo është shumë interesante. Kjo është e tmershme. Kjo është më e rëndësishme se ato që shkruante gazeta! Domethënë zotëri i mirë, është sikur të më thuash se të gjithë njerëzit janë të dënuar.
Besimtari: Jo të gjithë. Siç e shihni Apostulli Gjon, shkrua se të gjithë ata që nuk besojnë në Jezus Krishtin janë të dënuar.
Plaku: Ka besimtarë të vërtetë?
Besimtari: Sigurisht që ka, por janë pak.
Plaku: Unë të gjithë ata që shoh të shkojnë në Kishë, më duken më të këqij se të tjerët që nuk shkojnë. Gruaja ime, shkon në kishë vetëm që të shohë se çfarë kanë veshur gratë e tjera.
Besimtari: Të gjithë ata që përmendët, nuk shkojnë në Kishë që të takojnë Krishtin. Shkojnë për të qetësuar ndërgjegjien e tyre dhe për të thënë se janë të krishterë të mirë.
Plaku: Edhe unë shkoja dikur, por kur pashë gjendjen e keqe të fetarëve, nuk shkela më.
Vajza: Keni bërë gjënë më të mirë.
Besimtari: Njerëzit bëjnë gabime qofshin këta edhe të Krishterë. Por Perëndia asnjëherë. Atë duhet të shikoni.
Plaku: Ndoshta keni të drejtë.
Besimtari: Lexoni pak më poshtë…
Vajza: Me këtë libër që filluat të lexoni do t’ju merren mendtë më keq.
Plaku: Jo jo. Më kaloi. Po vazhdoj. “Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.” Po është e qartë. Është shumë e thjeshtë.
Besimtari: Dhe më e rëndësishmja është se është e vërtetë. Të gjitha fjalët që thotë Bibla janë të vërteta.
Plaku: Nuk kam lexuar Bibël më të kuptueshme. Kam një në shtëpi por gruaja ime e ka vendosur tek ikonat se nuk e kuptoja se çfarë thoshte.
Besimtari: Me pak përpjekje, të gjitha bëhen. Nëse dëshiron dikush të kuptojë kupton. Është e njëjta Bibël por e përkthyer në gjuhë të thjeshtë.
Plaku: Është kaq interesant saqë nuk dua ta lë. Po vazhdoj: “Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij;” Në rregull. Kjo është vërtetë. Punët më të këqija bëhen natën.
Besimtari: Ju thashë që çdo gjë që thotë Bibla është e vërtetë.
Plaku: Po, po. E besoj. (Lexon) “por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë”. Zotëria im, t’ju pyes diçka? Unë dua të jem nga ata që jetojnë në dritë. Ç’farë duhet të bëj?
Besimtari: Duhet të bëheni fëmijë i Perëndisë.
Plaku: Dhe si mund të bëhet kjo? Sepse kur thoni “fëmijë” do të thotë lidhje gjaku, të kesh të drejta! Kini kujdes se ato që po thoni, janë serioze. Fëmijë i Perëndisë!
Besimtari: Pikërisht. Fëmijë i Perëndisë do të bëheni nëse do të lindeni prej Tij.
Plaku: Dhe si mund të lindë dikush nga Perëndia?
Besimtari: Një mënyrë ekziston. Lexoni vargun 16.
Plaku: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetëshme.”
Besimtari: Bëheni fëmijë i Perëndisë kur besoni në Jezu Krishtin.
Plaku: Njeri i mirë, ju lutem më falni! Kam frikë se do nxeheni me mua.
Besimtari: E përse të nxehem?
Plaku: Sepse nuk dua t’jua jap mbrapsht këtë libër. Do të ndodhë ashtu siç ndodhi me gazetën, veçse këtë rradhë do të jem unë fajtori.
Besimtari: Mos u mërzit miku im. Ky libër është i yti. Ta dhuroj.
Plaku: Me të vërtetë? Faleminderit. (Kthehet nga djaloshi) E! Zotëri! Mbaje gazetën, nuk e dua më.
Djali: Tani çfarë ta bëj. E mbarova.
Besimtari: Ky është ndryshimi midis Biblës dhe librave të tjerë. Të gjitha mbarojnë. Fjalët e Zotit nuk kanë fund. Më besoni. Nuk do të mërziteni kurrë t’i lexoni.
Plaku: Ju besoj. Mezi po pres të shkoj në shtëpi që ta lexoj me qetësi. Dua që të më jepni adresën e shtëpisë dhe telefonin tuaj.
Besimtari: Patjetër. (Çohet në këmbë) Unë zbres në këtë stacion.
Plaku: Me të vërtetë? (shikon jashtë) Edhe unë këtu zbres. Kur arritëm? E humba mendjen për pak. Jemi afër domethënë. Mrrekulli. Shofer!
Shoferi: Po zotëri.
Plaku: Ndalo të lutem. Këtu zbresim.
Shoferi: Pa shiko. U qetësua plaku. Çfarë të dha? Qetësues?
Plaku: E shikoni këtë libër? Është Bibla. Këtë më dha. Kush e lexon, bëhet tjetër njeri.
Besimtari: Ungjilli i Krishtit, është fuqi e Perëndisë për shpëtim, për çdo njerin që e beson.
FUND
Prgatiti: A Shyti



