Ungjilli i begatise ??!
huazuar nga blogu i mirenjohur “Peshku pa uje”
Ngjitur në skenë përpara mijra besimtarëve të rënduar nga borxhet dhe pasiguria ekonomike, Kenneth dhe Gloria Copeland dhe ekipi i predikuesve të “ungjillit të begatisë” i kënaqën turmat me anekdoda nga jetët e tyre luksoze që i arritën duke ndjekur Fjalën e Perëndisë. Aeroplanë privatë dhe anije. Një motorçikletë dhuratë nga një mbështetës anonim. Pushime në Havai dhe shëtitje me kryqëzorë në Alaska. Çanta firmato. Unaza me gurë të çmuar dhe diamantë.
“Hyu e di ku janë paratë, dhe Ai e di sesi të t’i sjellë paratë ty,” predikon Znj. Copeland, e veshur me pantallona të kombinuara me teshat, si ato që veshin shefat ekzekutivë.
Edhe në kohët e rënies ekonomike, predikuesit e “ungjillit të begatisë” tërheqin audienca të mëdha admiruesish. Mesazhi i tyre – që nëse ke besim të mjaftueshëm tek Zoti dhe Bibla dhe dhuron para zemërgjerësisht, Hyu do të t’i shumëfishojë njëqindfish – u jep siguri shumë njerëzve që gjenden në vështirësi.
Predikuesit nuk e përmendin thuajse fare recesionin ekonomik, por theksojnë se nuk ka arsye që besimtarët të japin më pak. “Frika të bën kurrnac,” thotë Z. Copeland.
Por kovat e ofertave nuk u mbushën aq shumë sa në të kaluarën thanë disa prej atyre që kanë marrë pjesë në kuvendet e mëparshme.
Shumë njerëz në këtë grigjë nuk u zënë besë bankave, mediave apo Uashington-it, ku Komiteti Financiar i Senatit po heton çiftin Copeland dhe predikues të tjerë të begatisë për të parë nëse këta i kanë përdorur ofertat e besimtarëve për tu pasuruar vetë dhe nëse kanë abuzuar statusin e tyre fetar që i përjashton nga detyrimet e taksave. Por këta njerëz kanë besim tek zoti dhe zonja Copeland, babai dhe nëna e kësaj lëvizjeje, të cilët duken si mishërimi i begatisë, me shëndetin top dhe të rrethuar nga fëmijë, nipër e mbesa plotë, të cilët i kanë bërë pjesë e shërbesës së tyre.
“Nëse Perëndia e ka bërë për ta, do ta bëjë edhe për ne,” thotë Edëige Ndoudi, e cila ka ardhur nga Kanadaja me të shoqin dhe tre fëmijët për të marrë pjesë në Kuvendin e Besimtarëve në Jugperëndim, e mbajtur në Fort Worth Teksas, gjatë të cilit Copelandët dhe tre miq të tyre predikuan për pesë ditë rresht, nga dhejtë orë në ditë.
Turma me mbi 9000 vetë ishte multiraciale, nga 48 shtete të amerikës dhe 27 vende të Botës. Pjesëmarrja ishte pa pagesë. Kishte motroçiklista me jelekë lëkure, pastorë, punëtorë dhe plot familje me fëmijë.
Një kontigjent i madh paralitikësh erdhën me karriget me rrota, duke shpresuar tek shërimi i mrekullueshëm. Audiencat u ulën me Biblat hapur, duke ndjekur shkrimet që citonin predikuesit, e duke mbajtur shënime në fletore dhe laptopë.
“Njerëzit që vijnë nuk janë të varfër” thotë Jonathan L. Walton, një profesor i fesë në Universitetin e Kalifornisë në Riverside i cili ka shkruar mbi këtë lëvizje dhe kishte ardhur për të bërë kërkime gjatë kuvendit. Njerëzit që vijnë këtu në shumicën e rasteve bien në kategorinë midis punëtorëve dhe klasës së mesme.
Ulur në seksionin 316, duke bërë sanduiçe me gjalpë kikiriku dhe reçel mbi një Bibël për të shtyrë drekën, gjejmë një familje që mund të na shpjegojë besnikërinë e fortë që frymëzojnë ndër njerëzit këta predikues të begatisë.
Stiven Billier, një kamionist i distancave të gjata nga Mizuri tha se ai dhe bashkëshorja erdhën në kuvend duke u lutur se ky do të ishte “Viti i ngadhnjimit.” Ata janë 102,000 USD në borxh dhe banka nuk u jep më asnjë lloj kredie, na tregon Znj. Billier
Ata thonë se Copelandët i shpëtuan nga dështimi financiar 23 vjetë të shkuara, kur blenë kamionin e tyre të parë me interes kredie 22% dhe u desh t’ia rindërtonin motorrin dy herë brenda vitit. Asokohe Znj. Billier pa për herë të parë Z. Copeland në televizion dhe nisi t’i dërgojë shërbesës 50 cent në javë.
Të tjerët që blenë kamionë atë vit falimentuan ndërsa familia Billier ia doli mbanë.
“Do të kishim dështuar nëse Z. Copeland nuk do të ishte lutur për ne çdo ditë,” thotë Znj. Billier.
Billierët janë tani ndër 386,000 njerëzit kudo në botë që Copelandët i quajnë “partnerë”, të cilët dërgojnë kontribute rregullisht dhe në këmbim meritojnë lutje të veçanta nga Copelandët.
Qëndra telefonike e shërbesës në Nuark, Teksas punëson 481 vetë dhe grumbullon 60,000 kërkesa për lutje çdo muaj, thotë një publicist.
Transmetimi televiziv i Copelandëve arrin në 134 vende të botës, dhe të ardhurat e shërbesës janë rreth 100 miljonë dollarë në vit.
Familja Billier ishte në kuvendin e disa viteve më parë kur njerëzit u ftuan të bëhen pjesë e ekipit “Elite CX” që kishte për qëllim të grumbullonte dhurata monetare për t’i blerë Z. Copeland një avion personal të tipit Citation X (Z. Copeland është i apasionuar pas avionëve dhe ish pilot). Në atë moment Znj. Billier thotë se dëgjoi Frymën e Shenjtë t’i thoshte, “Ti ke ardhur në botë për të mbështetur këtë burrë.”
Ajo dha 2000 USD për avionin dhe së fundmi dhuroi 1,800 USD për projektin e fundit të ekipit, blerjen e pajisjeve High Definition për transmetimet ndërkombëtare të shërbesës.
Znj. Billier tha se disa miq dhe të afërm do të thonin që predikuesi po u zhvaste paratë. Por Znj Billier beson se Copelandët nuk i duan për vete paratë, por për shërbesën. Tek e fundit edhe “njerëz pa vlera si Hugh Hefner” kanë avionë personalë.
Por ndërsa grupi muzikor ngrohte pjesëmarrësit, Profesori Walton i quajti predikuesit e begatisë, “Xhepista shpirtërorë”.
“Të mos pranosh dhe të injorosh realitetin e vështirë të kësaj krize ekonomike,” thotë ai. “është e papërgjegjshme dhe e papranueshme.”
Z. dhe Znj Copeland refuzuan kërkesën e New York Times për një intervistë, por njëra nga bijat e tyre, Kellie Copeland Swisher, dhe bashkëshorti i saj Steve Swisher, të cilët punojnë me shërbesën, folën në emër të tyre.
Znj. Swisher na tha se shërbesa jep minimumi 10% të të ardhurave për bamirësi. Për momentin e preferuara e të atit të saj është një jetimore katolike në Meksikë.
Shërbesa ka refuzuar t’I japë hetuesve të Senatit amerikan të gjithë dokumentat e kërkuar, na thotë ajo, sepse Copelandët nuk duan të zbulojnë publikisht emrat e “partnerëve” të tyre. Një nga zëdhënësit e komitetit hetimor na siguron se hetimet vazhdojnë dhe mund të prodhojnë ligje të reja. Njëri nga njerëzit nën hetim është një predikues aktiv në kuvendin e Copelandëve, me emrin Creflo Dollar.
Z. Swisher na thotë se edhe gjatë rënies ekonomike, të ardhurat e shërbesës janë rritur me 3% në krahasim me vitin e shkuar. Kur e pyesim nëse e ka përshtatur mesazhin e predikimit për ekonominë e tanishme, Znj. Swisher rreth me pëllëmbë Biblën me kapak të vjetëruar dhe thotë, “Mesazhi që predikojnë prindërit e mi është Fjala e Perëndisë. Dhe Fjala nuk ndryshon.”
Në kuvend, predikuesit me mesazhet e tyre godasin qeverinë, riorganizimin e shëndetit publik, shkollat publike dhe kishat e tjera, të cilat e dënojnë predikimin e Ungjillit të Begatisë.
Por mbi gjithçka predikuesit po punonin fortë për të kujtuar turmat se ata janë të zgjedhurit e Perëndisë. “Kur të gjithë të tjerët të jenë të uritur,” tha Z. Savelle, një teleevangjelist, “njerëzit e besëlidhjes së Tij do ia kalojnë për mrekulli.”
“Sa herë që shqetësoheni për paratë,” vazhdoi Z. Savelle, “duhet të mbillni”: hidhni para këtu, siç mbillet fara, në “tokë pjellore” si kjo shërbesë. “Mos u shqetësoni, por mbillni,” shtoi ai. “Kjo është paketa stimuluese e Hyut për ju.”
Dhe qindra njerëz zbritën nga salla drejt skenës, dhe lëshuan zarfa, para të thata dhe monedha metalike mbi shkallët e veshura me tapet.
http://www.peshkupauje.com/2009/08/besimtaret-investojne-ne-ungjillin-e-pas



