Unë të fal
“Por ti nuk më ke kërkuar, o Jakob, përkundrazi je lodhur me mua, o Izrael! Nuk më ke sjellë qengjin e olokausteve të tua dhe nuk më ke nderuar me flijimet e tua; nuk të kam detyruar të më shërbesh me oferta ushqimesh, as nuk të kam lodhur duke kërkuar temjan. Nuk më ke blerë me para kanellën dhe nuk më ke ngopur me dhjamin e flijimeve të tua. Përkundrazi më ke rënduar me mëkatet e tua, më ke lodhur me paudhësitë e tua. Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetuetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua” (Isaia 43:22-25).
Parathënie
A e meritojmë faljen? Ç’mund të bëjmë që ta fitojmë faljen e Perëndisë? Teksti i mësipërm na tregon faktin se njerëzimi ka rënë shumë poshtë, ose siç e thotë edhe apostulli Pal: “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Nuk mund të bëjmë dot asgjë për ta merituar, apo për ta fituar faljen e Perëndisë. Prandaj edhe falja duhet të jetë një dhuratë e hirit të Tij.
Perëndia që fal
Izraelitët ishte bekuar me bollëk prej Perëndisë, por ata refuzuan që ta nderonin apo ta falenderonin Atë për të gjitha gjërat e mrekullueshme që iu kishte dhënë. Kjo lloj mosbindjeje dhe mosmirënjohjeje vihet re në përsëritjen e vazhdueshme të fjalës “nuk” në tekstin e mësipërm. Rënia shpirtërore e izraelitëve filloi atëherë, kur ata pushuan së luturi. Bindja ndaj Perëndisë u bë diçka e mërzitshme dhe shumë shpejt jeta e tyre nisi të ishte nën kontrollin e mëkatit. Po kryenin mëkatin e hipokrizisë, sepse, nga njëra anë zbatonin ritet fetare, nga ana tjetër, e mohonin Perëndinë në zemër: “Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje” (Mateu 15:8). Në vend që ta adhuronin Perëndinë, ata po e lodhnin Atë me mëkatet e tyre. E kishin hedhur poshtë sistemin e olokausteve, që kishte themeluar Ai, një sistem i cili simbolizonte tranferimin e mëkateve nga izraelitët në kafshët e pafajshme. Duke vepruar kështu, ata po hidhnin poshtë përkujdesjen mbrojtëse të Perëndisë dhe po vendosnin vetë mënyrën e tyre të shpëtimit.
Pa dyshim që izraelitët e meritonin zemërimin e Perëndisë. E megjithatë, edhe në momente të tilla, Ai iu premton atyre se do t’i falë, jo ngaqë kanë ndonjëfarë mirësie të dukshme, por për hir të emrit të Tij. Këtu, pra, shohim të shfaqur hirin dhe mëshirën e Zotit. Nga dashuria që ka për popullin e Tij, Ai thotë se falja është falas për të gjithë. Hiri i Perëndisë, ai favor i pamerituar, na e shfaq dashurinë e Tij në një nivel të atillë që është i vështirë për t’u kuptuar plotësisht prej mendjes njerëzore: “Dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri” (Efesianëve 3:19).
Perëndia që shpëton
Shpëtimi është shpikja e Perëndisë, sepse as nuk erdhi, as mund të vinte kurrë prej njeriut. Perëndia bëri që shpëtimi të shfaqej në mënyrë të atillë, që të tregonte faktin se Ai është Perëndia i lavdishëm, i dashur dhe i gjithë-pushtetshëm. Vini re se si Zoti e përshkruan Veten me fjalët “Unë, pikërisht Unë, jam Ai”, që ngjasojnë shumë me “UNË JAM AI QË JAM” (Eksodi 3:14). Në të dyja rastet, këto fjalë përdoren për të ilustruar çlirimin prej skllavërisë. Vetëm Perëndia i Gjithë-pushtetshëm është Ai, që ka fuqinë për të falur e për të shpëtuar: “Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?” (Marku 2:7)… “Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur” (Luka 19:10).
Perëndia nuk e ka për detyrë as të falë, as të shpëtojë njeri, sepse, përndryshe, falja dhe shpëtimi konsiderohen jo si dhuratë, por si shpërblim: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianëve 2:8-9). Prandaj, pra, Perëndia do të mbetej i drejtë, edhe po qe se do të na linte të vdisnim në mëkat e ta kalonim përjetësinë në Ferr. Por, ndërsa po fundoseshim në ligësi, Ai zgjati dorën për të na shpëtuar: “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8). Doktrina e një Perëndie, që fal e që shpëton, e veçon krishtërimin nga të gjitha fetë e tjera të botës. Të gjitha fetë e tjera përpiqen t’ia zbusin zemërimin perëndisë së tyre, duke kryer lloj-lloj veprash, të mira apo të dhunshme. Sapo i mbarojnë së kryeri këto vepra, pasuesit e këtyre feve kujtojnë se tani e kanë merituar bekimin e zotit të tyre. Për të krishterin, gjithçka është nëpërmjet besimit: “Por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit” (Romakëve 3:24-26).
Perëndia që harron
Perëndia na premton se i ka harruar plotësisht mëkatet tona. Ky premtim e gjen përmbushjen e tij vetëm në Krishtin, kur Ai vdiq në kryq: “Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet. Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq” (Kolosianëve 2:13-14)… “Duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë” (1 Pjetrit 1:18-19)… “Sepse Unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre” (Jeremia 31:34). Mateo Henri ka thënë: “Nuk kemi arsye pse të presim që të na falë Perëndia. E kërkojmë këtë falje vetëm nëpërmjet besimit në Krishtin. Një kërkesë e tillë shoqërohet gjithmonë me një pendesë të vërtetë dhe pasohet nga risia e jetës (d.m.th. nga një jetë e re), urrejtja ndaj mëkatit dhe dashuria ndaj Perëndisë”.
Përfundim
Djalli na thotë se nuk e meritojmë dashurinë, mëshirën dhe hirin e Perëndisë dhe këtu ai ka të drejtë. Por këtë e thotë për të na larguar prej burimit të shpëtimit. Nga ana tjetër, Fryma e Shenjtë na thotë po të njëjtën gjë, por duke na drejtuar tek Krishti: “Duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit” (Hebrenjve 12:2). Duhet ta pranojmë faljen e Perëndisë, nëpërmjet sakrificës së Krishtit në kryq. Po qe se e hedhim poshtë mënyrën e shpëtimit, që na ofron Perëndia, atëherë nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të adoptojmë një sistem, që do të na çojë drejt mallkimit. Është më mirë që ta pranojmë prej Perëndisë dhuratën e faljes dhe të shpëtimit: “I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar” (Isaia 44:22).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



