Unë i bëj të gjitha gjërat të reja



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 17.01.2010

“Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më. Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan”. Dhe ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja”. Dhe më tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike”” (Zbulesa 21:1-5).
Parathënie
Kemi hyrë në javën e tretë të vitit të ri 2010-ë, por, vallë, sa njerëz i kanë mbajtur premtimet, që i bënë vetes, natën e vitit të ri? “Gjatë këtij viti të ri, do bëj këtë, apo atë gjë”, por fatkeqësisht, të shumtë janë ata, që i kanë marrë mbrapsht fjalët, duke i thyer kështu premtimet e bëra. 
Jeta e re
Është gjë e mirë ta dish se Perëndia kurrë nuk e merr mbrapsht fjalën e Tij. Atyre, që e kanë pranuar Krishtin si Shpëtimtar, iu është premtuar përjetësisht shpëtimi dhe garancia e një jete të re. “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17). Dita, kur e kuptuam se Ai është Shpëtimtari dhe u penduam për mëkatet tona, ishte dita e parë e jetës sonë të përjetshme.
Zoti Jezus Krisht nuk e vuri në praktikë Besëlidhjen e Vjetër, të bazuar tek ritet dhe ceremonitë fetare. Përkundrazi, Ai na paraqiti një Besëlidhje krejtësisht të Re. “Jezusi, Ndërmjetësi i Besëlidhjes së re” (Hebrenjve 12:24). Kjo besëlidhje ka si bazë dashurinë. “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15), sepse “Dashuria, pra, është përmbushja e ligjit” (Romakëve 13:10).
Shpresa e re
“Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (Titit 2:13). E presim me padurim ditën, kur Krishti do të kthehet përsëri, për të na sjellë një tokë të re, ngaqë Ai vetë na ka premtuar se do t’i bëjë të gjitha gjërat të reja. Pasi të ketë mbretëruar në këtë botë për 1000-ë vjet, Ai ka për ta shkatërruar universin dhe ka për të themeluar një univers të ri. “Duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë dhe do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen… Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia” (2 Pjetrit 3:12-13). Ky univers ka për të qenë kaq i ri, saqë ai i vjetri nuk ka për t’u mbajtur mend fare. “Sepse ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mëndje” (Isaia 65:17). Ka disa njerëz, që besojnë se Perëndia thjesht ka për ta restauruar këtë tokë të vjetër e ka për ta bërë atë përsëri të bukur e të lavdishme. Por tek Hebrenjve 1:10-12 na thuhet se kjo tokë është aq e vjetëruar, saqë s’rinovohet dot më. “Ti, o Perëndi, në krye themelove tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të tu. Ata do të prishen, por ti mbetesh; edhe të gjithë do të vjetrohen si rrobë, dhe ti do t’i mbështjellësh si një mantel edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, dhe vitet e tua nuk do të shteren kurrë”. Tokës po i skadon afati. “Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim” (Romakëve 8:22).
Egzistenca e re
Nuk dimë asgjë rreth gjërave të mrekullueshme, që ka përgatitur Perëndia për ata, që e duan dhe i shërbejnë Atij. S’ka fjalë njerëzore, që të mund t’i përshkruajnë mrekullitë e jetës, që do të kemi në praninë e Tij. “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë” (1 Korintasve 2:9).
Bibla na thotë se Krishti do të na japë një emër të ri. “Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kujt fiton do t’i jap të hajë nga mana që është fshehur; dhe do t’i jap një gur të bardhë, dhe mbi gur është shkruar një emër i ri, të cilin s’e njeh askush, përveç atij që e merr” (Zbulesa 2:17). Do të këndojmë një këngë të re. “Dhe këndonin një këngë të re duke thënë: “Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe” (Zbulesa 5:9-10). Do të banojmë me Zotin në Jeruzalemin e Ri. “Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet” (Zbulesa 21:2).
Perëndia ka për të na dhënë një trup të ri, në mënyrë që të mund ta jetojmë këtë jetë të re. “I cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat” (Filipianëve 3:21). Trupi ynë ka për t’u bërë përjetësisht i ri, d.m.th. s’ka për të ndryshuar kurrë, s’ka për t’u kalbur e s’ka për të vdekur. “Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (Zbulesa 21:4).  
Përfundim
Kur Perëndia bën fjalë për gjëra të reja, Ai nuk nënkupton riparimin apo rinovimin e atyre të vjetrave. Përkundrazi, “gjëra të reja” ka kuptimin e një ndryshimi të plotë. E vjetra do të hidhet dhe vendin e saj do ta zërë e reja. Sipas Besëlidhjes së Re, jeta jonë e re do të thotë “risi jete” (Romakëve 6:4), sepse në Krishtin, secili prej nesh është një “krijesë e re” (Galatasve 6:15). Perëndia tregohet “i vërtetë dhe besnik”, kur thotë se ka për t’i bërë “të gjitha gjërat të reja”. 
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 
  

per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net