Tryeza e brendshme
Brenda nesh Ati ka përgatitur një tryezë. Ne jemi të ftuar të ulemi aty. Në atë tryezë, Zoti ynë Jezus Krisht qëndron i ulur. Ne trokasim dhe Ai del dhe na jep puthjen e mirëseardhjes duke na ftuar brenda. Më pas, Ai ngrihet dhe merr ujë nga vendi i shpengimit dhe na pastron këmbët e fëlliqura nga balta e botës së rënë. Pastaj ulet dhe fillon të na shtrojë përpara ushqimin e përjetësisë që është mishi dhe gjaku i Tij, vetë jeta e Tij. Më pas ulet bashkë me ne në atë tryezë, duke na rrethuar me dritën dhe ngrohtësinë e fytyrës së Tij. Aty ne takohemi me frymërat e motrave dhe vëllezërve tanë, sepse në këtë vend nuk ekziston as koha as hapësira që të mund të na ndajnë. Të gjithë së bashku formojmë Nusen e Jezusit, e cila shkrihet në dashuri dhe bëhet një me Dhëndrrin e Saj.



