Tri Hiret
“Duke kujtuar vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundimin e dashurisë suaj dhe qëndrueshmërinë e shpresës në Zotin tonë Jezu Krisht përpara Perëndisë, Atit tonë” (1 Thesalonikasve 1:3).
Parathënie
Palit i pëlqente shumë, që ta përdorte trilogjinë e “besimit, dashurisë dhe shpresës”. Tek Romakëve 5:1-5, ai thotë se këto tre hire prej Perëndisë iu japin forcë besimtarëve, në momente shqetësimesh e vështirësish. Tek Galatasve 5:5-6 dhe tek Kolosianëve 1:3-5, këto tri gjëra shfaqin unitetin e vërtetë, që egziston mes besimtarëve. Prandaj, pra, Pali shkruan: “Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria” (1 Korintasve 13:13). Bibla referuese, Skoufilld, duke komentuar mbi 1 Thesalonikasve 1:3, thotë: “Besim që vepron, dashuri që punon dhe durim i mbushur me shpresë”.
Vepra e besimit
Besimi nuk duhet të konsiderohet kurrë si një sistem dogmash fetare, sepse atëherë ai do të bazohej tek veprat, e jo tek hiri e mëshira e Perëndisë. Fjala “vepër” (në greqisht “ergou”) do të thotë “profesion”, e jo zbatim rregullash fetare. Një përkufizim tjetër i kësaj fjale është fjala “mënyrë jetese”. Prandaj, pra, besimi nuk është fe, por një mënyrë jetese. Profesioni (thirrja) jonë në jetë është të qënit i krishterë. Nuk duhet të jemi të krishterë vetëm të dielave, por në çdo ditë të jetës sonë. Nëse vërtet e kemi zgjedhur Jezus Krishtin si Zotin tonë, atëherë Ai duhet të jetë personi, që merr vendimet për ne. Po të jetonim vërtet sikur Ai të ishte Zoti ynë, atëherë çdo pjesë e jetës sonë të përditshme do të ishte nën ndikimin e Tij. Po të mos jetojmë në këtë mënyrë, atëherë nuk do të jemi fitimtarë në këtë botë të çthurur. Vetëm në këtë mënyrë mund të jetojmë në bazë të parimeve të drejta.
Mundimi i dashurisë
Ashtu siç kujtojnë njerëzit se besimi është një sistem dogmash fetare, ashtu kujtojnë ata gjithashtu se edhe dashuria është thjesht një ndjenjë emocionale. Fjala “mundim” do të thotë “të punosh aq shumë, sa të rraskapitesh” (në greqisht “kopou”). Kur kjo fjalë bashkohet me fjalën “dashuri” (në greqisht “agape”), atëherë të dyja këto fjalë bashkë shprehin cilësinë e vërtetë të dashurisë së krishterë, një dashuri aktive, jo thjesht një ndjenjë.
Letërsia, muzika, apo filmat na sugjerojnë se dashuria është e mistershme, e pakontrollueshme dhe thjesht një shfaqje emocionale e ndjenjave. Bibla e përdor fjalën “dashuri” me një kuptim tjetër. Nuk është thjesht një dëshirë e fortë dhe e pakontrollueshme, por, përkundrazi, një zgjedhje personale, ose një veprim i vullnetshëm. Besimi i krishterë nuk mund të përdoret asnjëherë për t’u njohur më mirë me ndjenjat tona, sepse ndjenjat bazohen tek rrethanat, apo tek reaksionet kimike, që ndodhin në trupin tonë. Pali na thotë se dashuria është punë e vështirë. Këtu e kishte fjalën edhe Jezusi, kur tha tek Mateu 5:44-45, “Por unë po ju them: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët”. Në momentin kur dashuria bëhet punë e lehtë dhe e rehatshme, atëherë ajo pushon së qëni dashuri.
Vjen koha, kur dashuria duhet të bëhet e fortë dhe të marrë në shqyrtim çështjet e pakëndshme të jetës. Prandaj dashuria “agape” nuk është e pakushtëzuar, siç thonë disa. Nganjëherë, Perëndia na kërkon që të ballafaqohemi me probleme të ndryshme, në një mënyrë të atillë, që të tjerëve mund t’iu duket e ashpër, apo jo dashamirëse. Por, kjo mënyrë është vetë dashuria aktive, që punon me qëllimin më të mirë. Kjo lloj dashurie imiton natyrën e Krishtit: “Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë” (1 Korintasve 13:4-7).
Qëndrueshmëria e shpresës
Mbarë bota jeton e zhytur në dëshpërim e frikë. Prandaj edhe nuk është për t’u çuditur që shumë njerëz sot vuajnë nga sëmundje mendore. Me pak fjalë, njerëzit janë pa shpresë: “Ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë” (Efesianëve 2:12). Bota ushqehet me një dietë të vazhdueshme korrupsioni dhe lajmesh të këqija. Njerëzit kujtojnë se, po të kenë shumë para në xhep, atëherë do të kenë shpresë për të ardhmen. Por, ka shumë multi-milionerë, që dëshmojnë kundër një gënjeshtre të tillë. Jezusi tha: “Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin, përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin. Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj” (Mateu 6:19-21).
Nëse zemrën e kemi të fiksuar tek Krishti, atëherë nuk do të jemi kurrë të pashpresë. Jeta jonë nuk do të jetë e mbushur me frikën, që vjen prej tenjës, apo ndryshkut, apo vjedhësit. Shpresën do ta kemi të fortë në mes të shqetësimeve, që na rrethojnë. Shpresa jonë nuk është fantazi. Ajo nuk bazohet tek ndjenjat, teoritë apo doktrinat fetare, por tek vetë Jezusi dhe vetëm tek Ai. Kjo lloj shprese ia tejkalon edhe vdekjes, sepse i ngul sytë tek jeta në përjetësi. Ky lloj durimi (në greqisht “hupomone”) do të thotë “qëndrueshmëri” e “këmbëngulje”. Ai, jeta e të cilit është e themeluar në Krishtin, e gjen forcën për të duruar çdo lloj pune apo problemi. Atëherë, çdo lloj krize, apo vështirësie konsiderohet si një mundësi për t’i shërbyer Perëndisë.
Përfundim
Për shumicën e njerëzve, feja është e bazuar thjesht tek emocionet, apo ndjenjat e tyre, prandaj edhe njerëz të tillë kurrë nuk arrijnë ta ngrenë atë dot mbi nivelin e instiktit bazë të kafshës, mbi nivelin e natyrës së tyre mëkatare. Këto tre elemente të besimit të krishterë (d.m.th. besimi, dashuria dhe shpresa) na tregojnë se krishtërimi është ndryshe nga çdo fe tjetër. Lidhur me këtë varg, në Shënimet e tij mbi Dhiatën e Re, Xhon Uesli thotë: “Duke kujtuar përpara Perëndisë, d.m.th. duke e lavdëruar Atë për veprën tuaj të besimit, d.m.th. për besimin tuaj aktiv, që nuk pushon kurrë së vepruari, për mundimin e dashurisë, d.m.th. për atë dashuri, që vazhdimisht mundohet për të mirën e trupave apo shpirtrave të njerëzve. Ata që nuk mundohen kështu, ata edhe nuk kanë dashuri: Besimi vepron, dashuria mundohet, shpresa duron gjithçka me durim”.
Ta jetosh nga ana e jashtme atë që Perëndia ka vepruar e ka punuar brenda teje, nuk është sentimentalizëm, por një akt i vullnetshëm, duke iu bindur Atij: “Sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 2:13)… “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten” (Luka 10:27).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



