Tre Parimet Drejtuese
“Ne përherë e falënderojmë Perëndinë për ju të gjithë, duke ju kujtuar në lutjet tona, duke kujtuar vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundimin e dashurisë suaj dhe qëndrueshmërinë e shpresës në Zotin tonë Jezu Krisht përpara Perëndisë, Atit tonë” (1 Thesalonikasve 1:2-3).
Parathënie
Këto vargje, të shkëputura nga letra e parë e Palit drejtuar Thesalonikasve, na ofrojnë tre parime, që po të vihen në praktikë, e bëjnë jetën e krishterë të pjekur e të suksesshme.
Vepra e besimit
Parimi i parë ka të bëjë me veprën e shpëtimit në jetën e një besimtari. Pali i lavdëron të krishterët thesalonikas për ndryshimin e dukshëm që ka ndodhur në jetën e tyre, qëkurse janë kthyer tek Krishti. Vargu 9-të na shpjegon më tej atë që ka ndodhur: “Si u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë”. Nuk pati kompromentim, apo pendesë gjysmake në sjelljen e tyre. Përkundrazi, ata i braktisën të gjitha rrugët e vjetra, duke përfshirë këtu edhe fenë e tyre.
Kjo është pikërisht vepra, që kryen besimi tek njeriu, që me të vërtetë i beson Zotit si Shpëtimtar: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17). Duhet të ketë një braktisje të të gjitha gjërave, që janë të vjetra, para se të gjitha gjërat të bëhen të reja. Ajo që nuk është në përputhje me fjalën e Perëndisë, duhet të shkatërrohet prej zemrave tona: “Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin? Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin? Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: “Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im”. Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm” (2 Korintasve 6:14-18). Vepra e besimit është vepër e Perëndisë: “Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai ka dërguar” (Gjoni 6:29). Të paktë janë ata, që janë gati ta braktisin gjithçka për ta ndjekur Krishtin. E duan si shpëtimin, ashtu edhe botën. Kujtojnë se janë të shpëtuar, por, në fakt, janë armiq të Perëndisë: “A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë” (Jakobi 4:4). Katoliku duhet të heqë dorë prej së adhuruarit të Maries dhe të shenjtorëve. Myslimani duhet ta hedhë poshtë Allahun dhe Muhamedin, kurse Judeu duhet t’i lërë mënjanë traditat dhe zakonet e tij, pastaj të kthehet tek Krishti e të shpëtohet.
Mundimi i dashurisë
Besimtarët thesalonikas, jo vetëm që i besuan Perëndisë, por punuan me dashuri për Të. Ky mendim gjen shprehje tek vargu 9-të: “për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë”. Këta njerëz kënaqeshin, duke i shërbyer Perëndisë, nëpërmjet të predikuarit, të mësuarit, të dëshmuarit rreth Tij dhe të ndërtuarit të kishës.
Nuk i shërbenin Perëndisë, ngaqë e kishin si detyrim fetar, por ngaqë kishin dashuri të zjarrtë për Të. I shërbenin Atij si në kohë të mira, ashtu edhe në kohë të këqija. Nuk i shërbenin për të marrë shpërblim, begati, bekime, apo për ndonjë lloj forme tjetër përfitimi. Ai, që i shërben Perëndisë për përfitim material, e vërteton se nuk e njeh Perëndinë dhe se nuk e ka praninë e Frymës së Shenjtë në jetën e vet. Dashuria e vërtetë për Krishtin e bën besimtarin t’i shërbejë Atij më shumë, sesa ç’mund t’i shërbejë po t’i jepej para apo ndonjë shpërblim tjetër. Ky mundim dashurie përfshin edhe shërbesën ndaj atyre, që i përkasin Krishtit: “Sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve” (Hebrenjve 6:10).
Qëndrueshmëria e shpresës
Kjo thënie gjendet tek vargu 10-të: “Dhe për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish, Jezusin, që na çliron nga zemërim që po vjen”. Pali i referohet qëndrueshmërisë dhe durimit të thesalonikasve, tek prisnin Ardhjen e Dytë të Zotit Jezus Krisht. Një komentues biblik e përshkruan këtë “qëndrueshmëri të shpresës” si “durim të vërtetë këmbëngulës” (Filips).
Sa shpejt e sa kollaj heqin dorë njerëzit prej besimit tek Perëndia, prej shërbesës ndaj Tij dhe prej pritjes për Të! Në kishat e sotme, mungon besimi këmbëngulës dhe kjo mungesë është krijuar, për arsye se të paktë janë ata, që janë gati t’i besojnë e t’i shërbejnë Perëndisë. A vjen kjo, ngaqë ata nuk i janë me të vërtetë mirënjohës Zotit, për atë që ka bërë për ta, duke iu shpëtuar shpirtin, nëpërmjet gjakut të Krishtit? Besimtari duhet të durojë deri në fund, pavarësisht se ç’i sjell përpara bota e djalli (shiko Mateu 24:13). Besimtari duhet të jetë i mbushur gjithmonë me gëzimin dhe shpresën se, një ditë, do ta shohë ballë për ballë Zotin. Është shenjë besimi, dashurie dhe shërbese, kur pasuesit e Krishtit flasin rreth pritjes së shpresës së lume “dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (Titit 2:13). Alfred Barns e përshkruan kështu këtë gëzim: “Shenja karakteristike e besimit tonë të thellë duhet të jetë gjithmonë e njëjtë me atë të Gjonit, që tha: “Po, eja, Zoti Jezus” (Zbulesa 22:20)””.
Përfundim
Ja, pra, këto janë tre parime të thjeshta, që mund t’i mbajmë mend përmendësh. Por, gjithashtu, po të meditojmë mbi këto parime dhe t’i vëmë ato në praktikë, do të bëhemi më të pjekur në Krishtin.
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



