Thumbi
Një tregtar kishte bërë një treg të mirë: kishte shitur tërë mallin dhe trasta e tij ishte e mbushur plot me monedha argjendi.
Dëshironte të kthehej në shtëpi para se të errësohej dhe kështu vendosi të vihej pa përtesë në udhëtim. E lidhi mirë trastën e tij për shalë të kalit, pastaj e goditi dhe u nis me të katërtat.
Rreth mesditës kaloi nëpër një qytet. Kujdestari i kalit të shalës që ishte kujdesur për kalin e tij duke e mbajtur për fre, i bëri të ditur një gjë:
“Zotëri, kalit tuaj i mungon një thumb në patkoin e këmbës së pasme të majtë!”.
“Lëre, lëre se mirë është - ia ktheu tregëtari - edhe për këto gjashtë leg* që më kanë mbetur t’i bëj, patkoi do të qëndrojë mjaft mirë. Jam shumë me ngutje”.
Pas disa orësh, tregëtari u ndalua në një bujtinë dhe i dha një racion tërshërë kalit të tij. Kujdestari i kuajve të stallës erdhi dhe i tha:
“Zotëri, në këmbën e pasme të majtë, kalit tuaj i mungon patkoi. Nëse dëshironi mund t’ia ngjis unë”.
“Jo, jo - tha tregëtari – jam shumë me ngutje, e kali im jam i sigurtë se është i aftë të durojë në këtë gjendje edhe dy legat* që më kanë mbetur”.
I hipi kalit në shpinë dhe e vazhdoi rrugën, por pas pak kohe kali filloi të çalonte. Nuk çaloi gjatë, kur filloi ta lëshonte këmba. Nuk pat kaluar shumë kohë kur u rrëzua dhe e theu këmbën. Kështu tregëtari ishte i detyruar ta braktiste.
E vuri trastën mbi shpinë, por u bë natë dhe ndërsa ai po kalonte nëpër një mal të rrezikshëm e zunë dy hajdutë dhe i morën gjithçka kishte, duke filluar prej trastës me monedha argjendi deri tek rrobat e trupit.
Kështu të nesërmen arriti në shtëpi pa të holla, pa kalë e pothuajse lakuriq. I tërbuar nga hidhërimi thoshte:
“E gjithë kjo për shkak të një thumbi të mallkuar”.
* - njësi matjeje.



