Të vërteta të rëndësishme prej Noeut
“Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë. Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet. Kështu Zoti tha: “Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar, duke filluar nga njeriu deri te kafshët, te rrëshqanorët, te zogjtë e qiellit, sepse pendohem që i kam krijuar”. Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit” (Zanafilla 6:5-8).
Parathënie
Bota ishte bërë aq e ligë dhe mëkatare, saqë Perëndia i tha Noeut se Atij nuk i mbetej gjë tjetër veçse ta shkatërronte gjithçka me një përmbytje mbarëbotërore. Por në mes të errësirës, gjendej një rreze shprese. “Noeu gjeti hir në sytë e Zotit”.
Miqësi të gabuara
Bibla na thotë se “Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë”, i cili “eci me Perëndinë” (Zanafilla 6:9). Ishte pikërisht ky fakt, që e bënte atë të veçantë prej të gjithë bashkëkohësve të tij. Ndoshta mund të konsiderohej si një njeri i çuditshëm. Por ai ishte i veçantë, ngaqë iu bind fjalës së Perëndisë. Njerëzit e sotshëm, madje edhe ata që shkojnë në kishë, duan të duken e të sillen njëlloj si ata që janë të famshëm, apo si dikë që e admirojnë pa masë. Fëmijët shpesh iu thonë prindërve: “Të gjithë e kanë atë lodër, pse të mos e kem edhe unë?” Në kohën e Noeut, ata njerëz që silleshin si gjithë të tjerët, që flisnin si gjithë të tjerët, apo që besonin si gjithë të tjerët, shumë shpejt e gjetën veten në të njëjtin vend si gjithë të tjerët: përjashta arkës! Vetëm ata që ishin të veçantë prej të tjerëve, u ndodhën brenda, nën mbrojtjen e kujdesshme të Perëndisë.
Duhet të tregohemi të guximshëm, për të qenë të veçantë, sepse Bibla na urdhëron që të jemi të tillë. “Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:2)… “O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë” (Jakobi 4:4)… “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të” (1 Gjonit 2:15)… “Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë, sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë” (Kolosianëve 3:1-3). A na duhen më shumë vargje biblike për të na bindur?
Zbatimi i formulës së Perëndisë
Perëndia i tregoi me saktësi Noeut se si ai dhe familja e tij do t’i shpëtonin përmbytjes që po afrohej. Noeu mori udhëzime specifike lidhur me ndërtimin e arkës, duke filluar që nga druri që duhej të përdorte e deri tek numri i dhomave që do të përfshiheshin brenda saj. Perëndia i dha atij numrin e saktë të njerëzve dhe të secilit lloj kafshe, që do të hynte në arkë. Prania e të gjitha këtyre fakteve dhe numrave na tregon se Noeut i duhej ta zbatonte me përpikmëri formulën e Perëndisë, që të kishte sukses. Nuk i lejohej që të devijonte prej asaj që e kishte urdhëruar Zoti.
Popullit të Perëndisë gjithmonë i është dhënë urdhëri, që t’i zbatojë ligjet dhe udhëzimet e Tij, sepse një gjë e tillë është absolutisht e domosdoshme për të patur një jetë të bekuar. Edhe kur nuk i kuptojmë plotësisht arsyet se pse duhet të veprojmë në një mënyrë të caktuar, le ta kryejmë atë detyrë, ashtu siç na thotë Zoti, sepse Ai di më shumë sesa ne. “Që shërbejnë sipas shëmbullit dhe hijes së gjërave qiellore, ashtu si i qe folur Moisiut, kur po gatitej të ndërtonte tabernakullin: “Shiko”, tha Ai, “t’i bësh të gji-tha sipas modelit që të qe treguar në mal” (Hebrenjve 8:5). Duke e pësuar, Moisiu mësoi se edhe një devijim sadopak i vogël prej fjalës së Perëndisë, nuk e lejon njeriun që të hyjë në Tokën e Premtuar. “Pastaj Moisiu ngriti dorën, goditi shkëmbin me bastunin e tij dy herë dhe prej tij doli ujë me bollëk; kështu asambleja dhe bagëtia pinë ujë. Atëherë Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: “Me qenë se nuk më besuat për të më mbuluar me lavdi para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre” (Numrave 20:11-12).
Mënyra se si i bën punët Perëndia, ndryshon shumë prej mënyrës se si i bën punët njeriu. Nga vetë natyra, njeriu është i prirur për t’i bërë gjërat komplet ndryshe nga ç’thotë fjala e Perëndisë. “Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia,” thotë Zoti. “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja” (Isaia 55:8-9). Prandaj edhe duhet t’i lutemi vazhdimisht Zotit, që të na udhëheqë në çdo situatë. “Kështu thotë Zoti: “Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Jeremia 6:16)… “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 3:16-17).
Besimi dhe frika
“Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit” (Hebrenjve 11:7). Frika që kishte Noeu, e bëri atë që të veprojë me besim. Nuk është keq të kesh një frikë të tillë. E dimë se Noeu kishte besim, ngaqë iu bind pikë për pikë vullnetit të Perëndisë. Anëtari i sotshëm i kishës nuk e kupton se frika dhe besimi janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Të dyja bashkë prodhojnë dashurinë e vërtetë për Perëndinë. Ai që thotë se ka besim, por nuk ka frikë fare nga Perëndia, nuk mund ta dojë me të vërtetë Atë. “Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: “Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut”. Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe” (Predikuesit 12:13-14)… “Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena” (Mateu 10:28)… “Dhe në qoftë se thërrisni si Atë atë që, pa favorizuar njeri, gjykon sipas veprës së gjithsecilit, kalojeni kohën e shtegtimit tuaj mbi dhe me frikë” (1 Pjetrit 1:17).
Ka nga ata që mund të debatojnë dhe të citojnë 1 Gjonit 4:18, “Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri”. Por një dashuri e tillë e nxjerr jashtë frikën ndaj njeriut, jo ndaj Perëndisë. Nëse e duam me të vërtetë Zotin, atëherë nuk do të kemi frikë fare prej robit. “Kështu mund të themi, me plot besim: “Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?” (Hebrenjve 13:6). Nuk ka dyshim se Noeu pati frikë prej Zotit, por jo prej njerëzve që e rrethonin. Dashuria, besimi dhe frika e bënë atë që t’i bindej gjithçkaje që i tha Zoti, madje dhe detajeve më të vogla.
Përfundim
Ia vlen të jesh i veçantë nga të tjerët, sidomos kur vjen puna për të gjetur shpëtim për shpirtin. Le ta marrim në konsideratë këtë fakt: të gjithë bashkëkohësit e Noeut sot janë në Ferr! Metoda e Perëndisë është gjithmonë më e mira, ndaj edhe le t’i bindemi Atij.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com



