Të Turpëruarit e Mençurisë së Botës



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 08.12.2007

“Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë. Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve”. Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote? Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit, sepse Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe Grekët kërkojnë dituri, por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët, kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë; sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit. Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara tij. Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim, që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin” (1 Korintasve 1:18-31).

Parathënie
Bota, me të gjitha llojet e filozofive të saj, me të gjitha shkencat, fetë dhe teoritë e evolucionit, vazhdon ta hedhë poshtë Biblën e të mos e pranojë atë si fjalën e shenjtë të Perëndisë. Judenjtë nuk duan ta pranojnë Zotin Jezus si Mesian e tyre, kurse bota johebre e hedh poshtë historinë e shpëtimit nëpërmjet sakrificës së Krishtit mbi kryq dhe e konsideron ringjalljen e Tij si marrëzi. A do të thotë kjo se neve nuk na duhet ta predikojmë më të vërtetën? Por, a nuk është e vërteta vetë metoda, që ka zgjedhur Perëndia për t’iu folur individëve, që vazhdojnë t’i ngurtësojnë zemrat kundër Tij?

Njeriu natyror
Mençuria njerëzore nuk mund ta sjellë kurrë njeriun drejt njohjes së Perëndisë: “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet” (Romakëve 8:7) dhe “njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14). E tërë historia dhe përvoja e njeriut na tregon se ai nuk mund ta njohë dot Perëndinë nëpërmjet mençurisë njerëzore: “O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!” (Romakëve 11:33). Njeriu natyror mbështetet tek emocionet dhe arsyetimi i tij njerëzor dhe, deri diku, mençuria e tij nuk është më e madhe sesa ajo e kafshës: “Kurse këta flasin keq për të gjitha gjërat që nuk i dinë, dhe për të gjitha gjërat që njohin në menyrë natyrale, si kafshë pa arësye, në këto gjëra prishin veten” (Juda 10).
Perëndia e ka krijuar rrugën, që njeriu ta kuptojë e ta njohë Atë. Prandaj, pra, është Perëndia Ai, që vendosi për t’ia zgjatur dorën njeriut, i cili, ngaqë ishte i “vdekur në faje dhe në mëkate” (Efesianëve 2:1), nuk mundej që ta kryente dot vetë një veprim të tillë: “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari” (1 Gjonit 4:19).
Perëndia vendosi ta ndihmojë njeriun me anë të predikimit të kryqit. Bota e konsideron këtë deklaratë si “marrëzi”. Gjatë gjithë historisë njerëzore, mençuria e Perëndisë është hedhur poshtë prej njeriut të humbur e mëkatar. Arsyet për këtë mund të vihen re në citatet, që përdor Pali prej Dhiatës së Vjetër, në tekstin në hyrje të këtij studimi: “Prandaj, ja, unë do të vazhdoj të bëj mrekulli në mes të këtij populli, po, mrekulli dhe çudi: dituria e njerëzve të tij të urtë do të shuhet dhe zgjuarësia e të mënçurve të tij do të zhduket” (Isaia 29:14) dhe “Kështu thotë Zoti: “I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij” (Jeremia 9:23).
Ata që nuk e njohin Krishtin si Shpëtimtar, janë të verbuar nga ana shpirtërore. Janë të verbuar prej evolucionit, fesë, filozofisë, por, mbi të gjitha, prej mëkatit: “Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë” (Romakëve 1:22). Kjo është arsyeja pse njerëzit nuk duan të vijnë tek Krishti për të marrë shpëtimin: “Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën” (Gjoni 5:40)… “Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta” (Gjoni 3:19).

Mençuria natyrore
Mëkatarët e quajnë “marrëzi” dhe “dobësi” deklarimin që i bën Perëndia Krishtit (shiko 1 Korintasve 1:22-23). Por, vetëm ata që besojnë në predikimin e Krishtit, mund të shpëtohen: “Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë” (1 Korintasve 1:26-28). Pikërisht këta janë ata, që e konsiderojnë Krishtin si vetë fuqia dhe mençuria e Perëndisë: “Kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë” (1 Korintasve 1:24). Mençuria e botës e lë mënjanë Perëndinë dhe i vë më shumë theks mbështetjes së njeriut në forcat e veta, vlerësimit të vetvetes, etj. Por, njeriu, duke vepruar kështu, është përjetësisht i humbur: “Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë” (Luka 17:33).
Ajo, të cilën bota e quan “marrëzi”, është më e mençur sesa e ashtu-quajtura ‘mençuri’ e botës. Ajo, të cilën bota e quan “dobësi”, është më e fuqishme sesa tërë forca e përbashkët e njerëzve. Mençuria e supozuar e njeriut, inteligjenca dhe botëkuptimi i tij kurrë nuk mund t’i japin atij falje prej mëkatit dhe jetë të përjetshme. Kështu pra, Perëndia e turpëron mençurinë njerëzore. Si pasojë, asnjë mish (asnjë lloj talenti, asnjë lloj karakteristike, shkathtësie apo meritë e njeriut) nuk ka kurrfarë baze për t’u lavdëruar përpara Perëndisë: “Që asnjë mish të mos mburret përpara tij” (1 Korintasve 1:29). Perëndia synon që t’i hedhë poshtë standartet dhe vlerat e njeriut mëkatar: “Që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit” (2 Korintasve 10:5).

Besimtari mund të mburret
Atij, që e hedh poshtë çdo lloj arsyeje njerëzore për t’u mburrur, i jepet arsyeja për t’u mburrur në Zotin, ngaqë ai beson në predikimin e kryqit: “Që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin” (1 Korintasve 1:31). Besimtari duhet ta hedhë poshtë si mençurinë, ashtu edhe botëkuptimin njerëzor, sepse këto janë të neveritshme në sytë e Perëndisë. Ai, që është “në Krishtin Jezus”, e di se ka mençuri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim: “Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim” (1 Korintasve 1:31). Këto gjëra i përkasin atij, sepse vetë Krishti është gjithçka, që përshkruajnë këto gjëra. Ai është i mençur; Ai është i drejtë; Ai është plotësisht i shenjtë (i shenjtëruar); Ai është çmimi për shpengimin. Prandaj edhe i krishteri mund të mburret në Zotin. Mesazhi i kryqit nuk përmbledh vetëm të komunikuarit e fjalëve të mençurisë dhe të së vërtetës, por, në fakt, është akti i të zgjaturit të dorës së Perëndisë ndaj njeriut, për t’ia shpëtuar zemrën me anë të gjakut të Krishtit.  
 
Përfundim
Sado që të përpiqet, njeriu nuk mundet që ta shpëtojë dot veten me forcat e tij. Le ta dijë se sa shumë e shkatërron shpirtin verbimi shpirtëror, krenaria dhe mëkati. Çdo njeri duhet ta vlerësojë kryqin e Krishtit si mençuri dhe fuqi hyjnore. Perëndia kënaqet kur të Tijët predikojnë Ungjillin e përjetshëm: “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu ty” (Mateu 11:25-26). 


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com