Të sprovuar përmes zjarrit

Categories: Inkurajime

Provat zakonisht vijnë prej tri burimesh: provat e shkaktuara nga të tjerët, ato të shkaktuara nga vetë mëkatet, gabimet dhe papjekuria jonë dhe ato që na vijnë drejtpërdrejt nga Perëndia, Ati ynë.

Dhe nën një peshë të këtillë, ç’mrekulli teksa zemra përkulet! Sa me vend fjalët e Jezusit drejtuar të rënduarve nga barrët; dhe sa pa fund kalimi nëpër Luginën e Lotëve, që përfundon me Kryqin e Tij, prapa të cilit po shpërthen drita e mëngjesit! Apostulli nuk e fajëson këtë barrë. Stoiku e ka për humbje nderi të derdhë lotë, të krishterit nuk i ndalohet të qajë; po, është më e mira gjë që mund të bëjë, t’i lërë lotët të rrjedhin. Të mos e përbuzim sprovën nga dora e Perëndisë, po aq sa edhe të mos ligështohemi prej saj. E qarë e fortë dhe lotët janë për bijtë që po mësojnë bindje përmes vuajtjes. Shpirti mund të mpihet prej dhimbjes së tejskajshme, ndërsa gërshërët e krasitjes përshkojnë mishin që drithërohet; kur zemra gati copëtohet, ndërsa sprova vërshon përmbi të, vuajtësi mund të thërrasë fort dhe të kërkojë çlirim.

Por ka diçka edhe më të mirë. Thonë se gufojnë burime uji të freskët në mes detrave të kripur; se lulja më e brishtë e Alpeve lulëzon në shtigjet më të egra dhe të parrahura malore; se psalmet më madhështore ishin fryt i agonisë më të thellë të shpirtit. Kështu qoftë! Po, në mes sprovave të panumërta, shpirti që dashuron Zotin do ketë përse të shpërthejë në ngazëllim. Edhe pse një hon thërret një tjetër, kënga e Perëndisë do dëgjohet ta përshkojë natën tejpërtej me një jehonë të kristaltë. Jeta njerëzore mund ta bekojë Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë, Jezus Krisht, edhe e zhytur në natën më të errët. Akoma nuk e di? Nuk kërkohet vetëm të durosh, bëhet fjalë të gëzohesh në të, me gëzim të papërshkrueshëm dhe lavdiplotë.

Një gëzim i tillë ka dy burime: i pari, të kuptuarit e natyrës dhe qëllimit të sprovës; i dyti, dashuria dhe besimi i shpirtit në Zotin e tij që nuk e sheh. Janë mjaft këto të dyja për lumturi të panjollë e të përkryer; në fakt, mund edhe të pyesim nëse me të vërtetë pijmë nga lumturia e Krishtit, përsa tërë burimet e tjera të gëzimit nuk gjenden më për shkak të dëshpërimit njerëzor, dhe ne priremi drejt atij bekimi hyjnor, të cilin asnjë diell tokësor s’mund ta vyshkë apo dimër të mund ta ngrijë (Heb.3:17-19).

Natyra Dhe Qëllimi i Sprovës
Sprova krahasohet me zjarrin; ky element i hollë e delikat, i aftë të shkaktojë të tillë torturë therëse në mishin tonë të përzhitur e në agoni, që s’mund të tolerojë as më të voglën njollë a papastërti, hap krahët për t’i mbështjellë me forcën e etshme të padurimit për t’i bërë të lirë dhe të dlirë sendet që i jepen, pa pyetur për agoninë, veç dëshira e tij plot pasion të zjarrtë të plotësohet; që rrok gjëra më materiale se vetvetja, për t’i shpërbërë, për t’u këputur vargonjtë dhe për t’i ngritur lart me energjinë e vet parajsë-dëshiruese.

E çfarë simboli më të mirë mund të ketë për Perëndinë dhe për sprovat që Ai lejon apo dërgon, në zemrën e të cilave gjendet Ai? Ah, ankthi therës i vuajtjes – kur miqtë braktisin dhe armiku të turpëron, kur përpjekjet e shumë viteve shkatërrohen papritur, shpirti i helmuar nga dhimbja, turpi dhe mosmirënjohja, është i zhgënjyer dhe në zi: vuajtje e tillë për shpirtin është si zjarri për mishin.

(1) Por ky zjarr është zjarri i një rafinuesi.
Kuptohet për se bëhet fjalë. Dhe kthehemi pas tek një profeci e vjetër, e cila na mëson se, kur Zoti vjen në tempullin e Tij, ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin (Mal.3:3). Do bënim mirë t’i hiqnim këpucët ndërsa hynim në banesën e të krishterit në provë, me siguri aty është Zoti. Është Ai që e lejon provën. – E liga mund të ketë fillesë Jude; por në rendjen e kohës që i duhet për të mbërritur tek ne, është shndërruar në kupën që Ati na ofron të pijmë. Rryma mund të synojë shkatërrim të pafre, por s’mund të shkelë as një fije përtej cakut të këshillës dhe gjithëdijes së përcaktuar të Perëndisë. Satani vetë duhet të marrë leje para se të prekë qoftë edhe një fije floku të patriarkut. (Jobi 1:8-12).

Është dituri e përkryer ajo që cakton deri ku do vihemi në provë. Arma mund të lëndojë dhe zjarri të djegë, por ndodhen në duart të cilat na shpenguan. Asgjë s’mund të na ndodhë pa lejen e Perëndisë, dhe çfarë Ai lejon edhe e ka caktuar. Nuk vihemi në lojë nga fati i verbër apo rastësia; akoma edhe në sprovë jemi në duart e Shpëtimtarit Hyjnor. Është Ai që vigjëlon mbi provën.

Edhe kur pranë s’ke asnjë mik, dhe kur dallgët të mbulojnë, pranë teje është Ai, tek i derdh zemrës premtime, tek rrënjos fjalë besimi dhe shprese, teksa kujton të kaluarën e bekuar dhe shpalos të ardhmen e ndritur, dëbon frikën, siç largoi ankthin e dishepujve të Tij në liqen: kështu vepron Zoti ynë. Dhe vuajtësi i kthen sytë nga prova për të thënë: “Kurrë s’e kam ndier më pranë; dhe nëse nuk do kish qenë Ai për mua, unë, jo, kurrë s’do i kisha qëndruar dot.”

Është Ai që vigjëlon si ecën prova. – Asnjë nënë e përkulur mbi fëmijën e saj që po vuan nuk është më në merak se Ai – Ai, i cili sjell një provë për forcat e tua, që e mban gishtin mbi pulsin tënd për ta bërë flakën të vazhdojë të veprojë ndërsa zemra fillon të dridhet e turbulluar – I dëshiruar për të larguar zgjyrën dhe për të parë pamjen e Tij të reflektuar prej metalit të shkrirë. Të lumtur do të jemi, nëse, në vend të shikonim provat tona, do ta hidhnim vështrimin drejt Tij, plot dëshirë të zjarrtë për të kuptuar qëllimin, për të nxënë mësimin që kërkon të na japë, në mënyrë që, ndërsa njeriu i jashtëm shkon drejt humbjes, njeriu i brendshëm të mund të përtërihet nga dita në ditë. Ndërsa mermeri thërrmohet në duart e skulptorit, pamja fillon merr formë; kështu edhe çdo humbja jonë ka fitimin e saj në të bërit i ngjashëm me Krishtin.

(2) Prova është veç për një stinë
“Tani për pak kohë ju do jeni të rënduar” (vargu 6). Bujku i madh nuk bën tërë kohën shirje. Rrebeshi shpejt kalon. Lotët mund të na shoqërojnë gjatë natës së shkurtër të verës, për t’u larguar me agimin. Brenga jonë është veç për një çast.

Ka një ndryshim të hollë mes përbërjes së materialit më të çmuar e të qëndrueshëm dhe besimit të zemrës së krishterë. “Ar që konsumohet” (vargu 7). Ari është më i qëndrueshëm se druri i gdhendur, vepra e duarve të poçarit e shumë gjëra të tjera. Mund të pakësohet dhe konsumohet nga përdorimi i gjatë, do rrojë më shumë se dora e butë, në të cilën ka qëndruar si shprehje e dashurisë së përjetshme për gjysmë shekulli me radhë. E megjithatë, në fund ai do konsumohet. Por ndodhet në ne çfarë nuk vdes kurrë. Vdekja vetë nuk ka forcë mbi të, as rendja e kohës, as edhe humbja e çdo krijese në humnerën e harresës. Është e përjetshme si Zoti që e dhuroi. E krahasuar me atë ekzistencë të pakufi prej nga u lind, sa të shkurtra dhe të papërfillshme duken provat më të gjata, edhe pse për vite të tëra në jetën dhe shpirtin tonë! Parë nga shtrirja e pamatë e perjetësisë, janë veç për një stinë, do zhduken krejt nga kujtesa si retë e mëngjesit herët para kulmit të shkëlqimit të një dite të gjatë vere.

(3) Prova ka një qëllim.

“Duhet të jetë.” Nuk ka gjë më të vështirë se kotësia në dukje e pikëllimit. Shfaqet interesim në monotoninë e disiplinës së burgut, sapo të dënuarit ndiejnë se vuajtjet që po heqin po sjellin diçka të mirë. Sepse, kur duket se nuk ka qëllim përtej vuajtjes apo stërmundimit, shpresa vdes. Për të krishterin nuk ka të tillë frikë.

Çdo provë synon diçka. Synon të zbulojë sekretet e zemrës sonë, të na përulë dhe të na provojë, të na shoshisë si grurin në sitë, të na shkëpusë nga mishërorja dhe e dukshmja, për të mbjellë në ne një pasion të fortë për të vërtetat e përjetshme, të cilat vetëm ato mund të na e shuajnë etjen.

Të mos e shohim provën si ndëshkim nga Shpëtimtari. Prova vështron drejt së ardhmes, synon të na bëjë pjesë të shenjtërisë së Tij, bën të veprojë në ne fryti i dashur i drejtësisë. Fakti që vihemi në provë tregon se në ne ndodhet diçka e vyer për Zotin: përndryshe do e kursente tërë atë dhimbje dhe kohë me ne. Ne nuk krasitim shkurre, nuk hedhim gurë në enën metalshkrirëse, apo të plugojmë rërën e detit. Krishti nuk do na vinte në provë nëse nuk do kishte dalluar mineralin e çmuar të besimit përzier me lëndë të ngurtë; por bukuria duhet të shohë dritë dhe dlirësi, për këtë na bën të kalojmë përmes provash përvëluese.

Duro, o shpirt që vuan: Ka dashuri për ty, përndryshe, përse të vepronte kështu; Të do të Tijin, ndaj po mundohet, po krijon në ty atë që është për vepra të çmuara, por kjo vjen vetëm nëpërmjet vuajtjes; për ç’arsye tjetër të të hidhte në zjarrin që pastron. Të bën të kalosh përmes tij, sepse ti mund t’i bësh ballë. (Num.31:23). Ajo që e pason është më shumë se shpërblyese – “Me lavdërim, nderim dhe lavdi në shfaqjen e Jezus Krishtit.” Flakët e zjarrta e përmbushin misionin kur krijojnë ar për të stolisur kryet e sovranit; rrotulla e gurpunuesit kur përpunon diamant për hiret e bukurisë. Sa më të bekuara janë provat tona, kur shohim se si farkëtojnë forcën shumë më të lartë dhe hyjnore të lavdisë. Për t’i dëgjuar Zërin, për t’u gëzuar në praninë e ëngjëjve të shenjtë, për të pasur Krishtin lavdi – oh!

Shpirti nuk mund të dëshirojë më tepër. E ardhmja e vetme që na pret, bota që po vjen! Ndërsa ushtarët ngushëllohen në fushatën e mundimshme duke biseduar rreth lavdisë dhe shpërblimit në kthim, “Tani, ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet” (1 Kor.9:25). Zemra i shijon bekimet e sprovave vetëm kur ajo u nënshtrohet përulësisht si prej dorës së Perëndisë dhe dorëzohet pa kusht ndaj asaj që Fryma e Shenjtë po bën. Përndryshe sprova e ngurtëson zemrën; por, nën hiret pafund të Frymës së Shenjtë, ajo vepron si balsam shërues. (Ps.141:5).

Ja çfarë është besimi për Perëndinë. – Ç’vlerë të pallogaritshme ka. I vyer në sytë e Tij si ari për njeriun. Themeli ku Ai ndërton dhe shton hire pa fund, embrioni i shenjtërimit, çelësi i thesareve Qiellore, i pari hap drejt parajsës, pjesa tokësore e urës që lidh humnerën mes njerëzores dhe hyjnores. Kërkon ta forcojë dhe ta bëjë të rritet në zemrën tonë të mjerë, e dëshiron fort. Mundet ta bëjë vetëm me anë të mundit, durimit dhe shtrëngimit, ndaj mos u habit kur të vijë koha e disiplinimit të Tij, disiplinim i bërë gati enkas për ty, i cili sa vjen e ashpërsohet, derisa, pasi është stërvitur prej dorës së Tij, besimi që dikur drithërohej prej pamjes së ujrave të cekëta, të mos hezitojë më të zhytet në ujëra të thella, por tashmë të notojë pa frikë drejt thellësive të pafund.

Shkëputur nga “Tried by Fire” – F.B. Meyer
Përktheu: Erjola Likaj (c)

Author: udhetimi.com

One Response to "Të sprovuar përmes zjarrit"

  1. Xhoi Posted on 04/18/2013 at 22:57

    Sa bukur dhe sakte e ka pershkruar Meyer. Njeri i bekuar dhe i sprovuar.

Leave a Reply