“Dhe ne njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të” (1 Gjonit 4:16).
Parathënie
E dimë se Perëndia na do, sepse kjo është një e vërtetë themelore e Biblës. Por ndoshta një dashuri të tillë në jetën tonë nuk e kuptojmë aq mirë sa duhet. Perëndia, me dashurinë e Tij, na ruan dhe na i siguron të gjitha nevojat. Por në të njëjtën kohë, Ai na lejon që të përjetojmë vuajtje e vështirësi, probleme të ndryshme dhe hidhërime, ndaj edhe duhet ta pranojmë faktin se Ai e di se ç’është absolutisht më e mira për maturinë tonë shpirtërore. Sfidat me të cilat ballafaqohemi në jetë, nuk janë për të na dobësuar, por për të na forcuar dhe për të na rritur në besim. Vjen dita kur nëna shqiponjë i nxjerr me forcë zogjtë e saj jashtë folesë, në mënyrë që të fluturojnë e të “ngrihen me krahë” lart në qiell (Isaia 40:31). Një veprim i tillë mund të duket mizor, por në fakt është një akt dashurie. Edhe ne jemi të sigurtë tek Zoti, jo tek pasuria që mund të kemi. Një njohuri e tillë na jep fuqinë për t’u rritur në besim.
Shfaqja e dashurisë së Perëndisë
Nuk ka shfaqje më të madhe të dashurisë që Perëndia ka për ne, sesa ajo dashuri që gjejmë në Krishtin. “Shumë të dashur, le ta duam njeri tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij” (1 Gjonit 4:7-9). Mund ta themi me siguri se Jezusi është personifikimi i dashurisë së Perëndisë. Ndaj edhe, nëse duam ta kuptojmë dhe ta përjetojmë dashurinë e Tij, atëherë duhet ta njohim edhe më shumë Jezusin, duke e lexuar dhe duke e studjuar Biblën dhe duke u lutur. E kuptuam se Perëndia na do, atëherë kur lexuam Gjonin 3:16, që thotë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” dhe Romakëve 5:8, “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”. Në fakt, nëse Ai na deshi aq shumë, edhe pse ishim mëkatarë, atëherë nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta besojmë se Ai na do edhe tani që jemi të shpenguar me anë të gjakut të Krishtit. Dashuria e Tij ndaj nesh nuk varet nga përsosshmëria apo nga dashuria jonë. Ai na ka si “beben e syrit” (Psalmi 17:8) dhe na ka të “gdhendur mbi pëllëmbët e duarve” të Tij (Isaia 49:16). Askush nuk mund të na rrëmbejë nga dora e Tij (Gjoni 10:28-29). Kur qëndrojmë tek Ai, jemi të sigurtë në dashurinë e Tij, pavarësisht nga situatat personale që mund të na rrethojnë. Pa dyshim, pra, që një e vërtetë e tillë na e transformon jetën dhe na çliron prej çdo lloj frike, shqetësimi apo ankthi. “Në këtë dashuria u përsos në ne (që të kemi guxim në ditën e gjyqit): sepse sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë. Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri. Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari” (1 Gjonit 4:17-19). Mund ta dimë se Perëndia na do, por një njohuri e tillë nuk na i jep shpirtit fuqi, po qe se nuk e besuam.
Përshkrimi i dashurisë së Perëndisë
Në Bibël ka shumë pasazhe të mrekullueshme biblike, të cilat na e përshkruajnë mirë dashurinë që Perëndia ka për ne. Por Psalmi 91 është një nga më të mrekullueshmit. Thuhet se ishte Moisiu ai, që e shkroi këtë këngë adhurimi, por ka të ngjarë që Davidi e ktheu atë këngë në psalm. “Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit. Unë i them Zotit: “Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj”. Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse. Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore. Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën, as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë” (Psalmi 91:1-6). Zoti i pruri izraelitët nga Egjipti në Tokën e Premtuar. Ata u ballafaquan me shumë vështirësi e probleme gjatë rrugës. Edhe ne jemi çliruar prej skllavërisë ndaj mëkatit dhe po shkojmë drejt rrugës, që të çon në Qiell. Por sa shpesh ballafaqohemi me sprova e dilema nga më të ndryshmet! Ky psalm na thotë se jeta do të na sjellë probleme, por se gjithashtu ne duhet të vazhdojmë t’i besojmë Perëndisë, që të na japë fitore e rrugëzgjidhje ndaj çdo problemi. “Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde, por aty nuk do të të afrohet. Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e ty dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve. Duke qenë se ke thënë: “O Zot, ti je streha ime, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde, nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t’i afrohet çadrës sate. Sepse ai do të urdhëroi Engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua. Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur. Ti do të ecësh mbi luanin dhe gjarpërin helmues, do të shkelësh luanin e vogël dhe kuçedrën. Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim. Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj. Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin tim” (Psalmi 91:7-16). Shkojmë drejt Tokës sonë të Premtuar duke qëndruar në strehën e Shumë të Lartit – kjo është siguria e dashurisë së Tij për ne. Këtu e ka bazën edhe fuqia jonë, edhe pse djalli apo bota mund të na sulmojnë. Nuk kemi pse të sforcohemi së besuari një premtimi të tillë të çmuar, por thjesht le ta pranojmë atë si fjalë plot autoritet prej Perëndisë.
Përfundim
E ku mund ta gjejmë një siguri të tillë veçse tek dashuria e Perëndisë? Tek vazhdojmë të qëndrojmë në Krishtin, do të na shtohet njohuria rreth kësaj dashurie dhe ajo ka për të na sjellë fitore edhe më të mëdha në jetën tonë të përditshme. “Që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë. Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve” (Efesianëve 3:16-21).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
