Të shuarit e Frymës
“Mos e shuani Frymën” (1 Thesalonikasve 5:19).
Parathënie
Tek lexojmë Biblën, e sidomos Dhiatën e Re, e kuptojmë se Fryma e Shenjtë dëshiron që të na bekojë jo vetëm ne, por edhe të tjerët nëpërmjet nesh. E shuajmë Frymën e Shenjtë në jetën tonë, atëherë kur i japim leje mëkatit, dëshirave trupore dhe botës, që ta pengojnë punën e Tij. Shumica e njerëzve kujtojnë se të shuarit e Frymës ndodh brenda katër mureve të një kishe të caktuar, d.m.th. se është kisha, ajo që e shuan Frymën e Shenjtë. Por Pali ia drejton mesazhin e tij, si individëve, ashtu edhe grupit të besimtarëve. Johan Albreht Bengeli ka thënë: “Aty ku është Fryma, aty ka zjarr”.
Mos e shuani Frymën!
“Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin” (Mateu 3:11)… “Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë” (Veprat e Apostujve 2:3-4).
Të gjithë e dimë se zjarrin mund ta shuajmë me mënyra nga më të ndryshmet. Prandaj nuk duhet të habitemi, kur e kuptojmë se edhe fuqia, puna dhe shërbesa e Frymës së Shenjtë mund të shuhet brenda nesh. Në vend që ta shuajmë zjarrin, duhet që t’i fryjmë atij, me qëllim që të marrë më shumë flakë. “Për këtë arsye po të kujtoj ta zgjosh dhuntinë e Perëndisë që është në ty me anë të vënies së duarve të mia” (2 Timoteut 1:6). Në komentimin që i bën vargut të 1 Thesalonikasve 5:19, Dhiata e Re e Popullit thotë kështu: “Mos iu kundërvini Atij. Mos e neutralizoni efektin e Tij, duke bërë një jetë të shthurur. Ai që e shuan Frymën, nuk i bindet fjalës së Perëndisë, nuk i pranon vërejtjet e atyre, që drejtohen prej Frymës dhe e ndrydh edhe vetë ndërgjegjen e vet”. “Fryma im nuk do të hahet gjithnjë me njeriun” (Zanafilla 6:3).
Mos e trishtoni Frymën!
“Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit” (Efesianëve 4:30).
E trishtojmë Frymën e Shenjtë, atëherë kur tregohemi kokëfortë dhe nuk i bindemi me vetëdashje fjalës së Perëndisë, apo udhëheqjes së Tij. “Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia…Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s’qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?” (Hebrenjve 3:10, 17). Kur e trishtojmë Frymën, bëhemi menjëherë armiq të Perëndisë: “Por ata u rebeluan dhe e trishtuan Frymën e tij të shenjtë; prandaj ai u bë armiku i tyre dhe luftoi kundër tyre” (Isaia 63:10).
Mbushuni me Frymë!
“Mbushuni me Frymë” (Efesianëve 5:18).
Kjo është e vetmja mënyrë, me anë të së cilës mund ta parandalojmë shuarjen e Frymës së Shenjtë. Të mbushurit me Frymë nuk është thjesht një eksperiencë pentakostale, por është një gatishmëri e përditshme dhe e vazhdueshme, për ta lejuar Frymën, që të na udhëheqë, të na drejtojë, e madje edhe të jetë nën kontroll të jetës sonë. Një mbushje e tillë nënkupton praninë e Frymës brenda nesh. Gjithashtu, jeta e atij që është i mbushur me Frymën, nxitet prej vetë Frymës. “Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit, sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi. Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj” (Galatasve 5:16-18).
Përfundim
E shohim, pra, se janë veprat e mishit (ose mëkatet) ato, që e shuajnë veprimtarinë e Frymës së Shenjtë në jetën tonë. Le të mos kujtojmë se Fryma e Shenjtë shuhet vetëm nga drejtuesit e kishës. Kisha është shuma përbërëse e anëtarëve individualë të saj. Aty ku puna e Frymës së Shenjtë gjen pengesë, kundërshtim dhe mohim, aty edhe fuqia e Tij pushon së vepruari dhe zjarri i Tij shuhet. “Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh” (Zbulesa 2:5). Zjarri, pra, nuk duhet fikur. Gjon Uesli ka thënë: “Zjarri, kudo që të jetë, djeg e përvëlon. Flakët e tij janë dashuri e shenjtë, gëzim, lutje dhe falenderim. Oh, mos e shuani zjarrin, mos e lini që ai të fiket brenda jush, ose tek të tjerët, duke harruar që të bëni mirë, e të mos bëni keq!”.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



