Të predikuarit me integritet



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 22.03.2008

“Por, duke qenë se u miratuam prej Perëndisë që të na besohet ungjilli, kështu ne flasim jo që t’u pëlqejmë njerëzve, por Perëndisë, që provon zemrat tona. Ne, pra, nuk kemi përdorur kurrë, sikurse e dini mirë, fjalë lajkatuese, dhe as nuk jemi nisur nga motive lakmie; Perëndia është dëshmitar. Dhe nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush, as prej të tjerësh, megjithëse mund t’ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit” (1 Thesalonikasve 2:4-6).

Parathënie
Tek 1 Thesalonikasve 2:2, Pali na tregoi tre akuzat, që iu drejtuan atij. Tani (në këtë studim) ai përpiqet të na e vërtetojë se shërbesa e tij s’ka të sharë. Po qe se puna që kryejnë të krishterët, nuk është e pëlqyeshme në sytë e Perëndisë, atëherë ata s’kanë për të realizuar gjëra të mëdha për Të: “Sepse unë tani vallë kërkoj të fitoj miratimin e njerëzve apo të Perëndisë? Apo kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Sepse, po të kërkoja t’u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit” (Galatasve 1:10).

Të predikuarit, me qëllim për ta kënaqur Perëndinë
Përsa i përket të predikuarit të ungjillit, Pali dhe ata që e shoqëronin në udhëtimet e tij misionare, kishin vetëm një qëllim: për ta kënaqur dhe për ta nderuar Perëndinë. Në fakt, për pastorët e sotshëm, kjo është e vetmja mënyrë për t’i qëndruar besnik fjalës së Perëndisë. Shumica e kishave sot e kanë kthyer krishtërimin në biznes. Të predikuarit nuk ka më lavdinë e dikurshme, por është kthyer në një mjet, që përdoret prej shitësave fetarë, me qëllim që karriget e kishës të mbushen me sa më shumë klienta. Por, ç’vlerë ka një kishë e mbushur plot e përplot me njerëz, nëse këta njerëz nuk kanë ardhur në kishë, ngaqë kanë nevojë për Krishtin si Shpëtimtar, por ngaqë i ka bërë për vete një teknike e famshme marketingu?
Pali e kuptoi se t’iu tregosh të tjerëve rreth Zotit Jezus Krisht, është një privilegj i mrekullueshëm, një dhuratë e dhënë nga Perëndia. T’i shërbesh Perëndisë nën vajosjen e Frymës së Shenjtë nuk është punë pa përgjegjësi. Ungjillizuesi, pastori dhe mësuesi nuk i japin llogari njerëzve, por Perëndisë. Prandaj, pra, edhe Pali shkroi kështu: “Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit” (2 Korintasve 4:5) dhe “Sepse, në qoftë se unë predikoj ungjillin, s’ka asgjë që unë të mburrem, sepse kjo është një nevojë që më është ngarkuar; edhe mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!” (1 Korintasve 9:16).

Lajkat nuk janë predikim
Pali nuk i bëri njerëzit për vete, duke iu bërë lajka, apo duke iu treguar shakara, para se t’iu predikonte ungjillin, me qëllim që ta pëlqenin. Nëse anëtarëve të kishës iu pëlqen pastori i tyre, ngaqë ai iua bën qejfin, jo ngaqë predikon ungjillin, atëherë ndoshta ofertat e tyre do të jenë më të mëdha në numër. Gjithmonë ka patur dhe ka akoma lloj-lloj pastorësh, që e kanë mendjen vetëm tek një gjë: paraja. “Por ka pasur edhe profetë të rremë midis popullit, ashtu si do të ketë midis jush mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata, do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë. Dhe shumë vetë do të ndjekin doktrina shkatërruese të tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet. Dhe në lakminë e tyre do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shpifura” (2 Pjetrit 2:1-3). Nuk duhet ta fitojmë miratimin e të tjerëve me fjalë lajkatare. Përkundrazi, duhet t’iua themi fjalën e Perëndisë ashtu siç është në të vërtetë, pavarësisht se ç’mund të mendojnë ata më vonë për ne. I këtij mendimi ishte edhe Pali: “Duke qenë të sharë, lutemi; jemi bërë si pisllëku i botës, porsi plehrat e të gjithëve deri më sot” (1 Korintasve 4:13).

Perëndia e nderon predikimin besnik
“Kështu njeriu, pra, le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit dhe si administratorë të mistereve të Perëndisë. E tjetra që kërkohet nga administratorët, është që secili të gjendët besnik” (1 Korintasve 4:1-2). Sot, shërbesa të panumërta kanë paranë, fuqinë, adhurimin e njerëzve, por, fatkeqësisht, nuk kanë lavdinë e Perëndisë. Nuk është gabim ta dish se ajo punë që ke bërë për Perëndinë, është pritur mirë prej të tjerëve. Por, nuk është mirë të kujtosh se Perëndia nuk mund ta kryente dot atë punë pa ndihmën tënde. Ka shumë pastorë, që janë oratorë mendjemëdhenj. Bibla na mëson se “punëtori meriton shpërblimin e vet” (Luka 10:7). Por, kjo nuk do të thotë se një pastor duhet të mendojë se meriton diçka. Pali kurrë nuk i ra në qafë asnjë kishe, duke iu kërkuar besimtarëve që ta nderonin me dhurata, ngaqë ishte apostull i Krishtit. Ata, që kanë motive të fëlliqura, përfundojnë duke e deklaruar veten si zëdhënës të Perëndisë, të denjë për t’u ngritur në piedestal, si Papa i Romës.
Të gjithë apostujt predikuan në mënyrë të atillë, që, kur njerëzit të shpëtoheshin, të ishte Perëndia Ai, që do të lavdërohej. Vetë fjala ‘apostull’ do të thotë ‘ai, që është i dërguar’, e jo ai që kujton se është zot i kishës së Perëndisë: “Sepse në ligjin e Moisiut është shkru-ar: “Mos ia lidh gojën kaut që shin”. A u merrka Perëndia me qetë, vallë? Apo e thotë këtë për ne? Vërtetë për ne janë shkruar, sepse kush lëron duhet të lërojë me shpresë, dhe kush shin, duhet të shijë me shpresë që të marrë atë që shpreson. Në qoftë se ne kemi mbjellë midis jush gjërat frymërore, a është gjë e madhe nëse korrim të mirat tuaja materiale? Në qoftë se të tjerë kanë pjesë të kësaj të drejte mbi ju, a nuk do ta kishim ne shumë më tepër? Po ne nuk e përdornim këtë të drejtë; po durojmë çdo gjë, për të mos i vënë asnjë pengesë ungjillit të Krishtit” (1 Korintasve 9:9-12). Të qënit apostull nuk ishte pozitë fuqie, por mandat për të predikuar.
                
Përfundim  
Ndoshta dëshpërohemi, kur lexojmë e kur dëgjojmë për marifetet, që përdoren nëpër kishat e sotme, për t’i bërë njerëzit për vete. Por, le të mos kujtojmë se Perëndia e ka lënë Veten pa një dëshmitar besnik: “Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:11).
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net