Të përgatitur për Fitore



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 19.03.2007

“A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni. Dhe kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha; dhe ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet. Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt; kështu luftoj, por jo sikur rrah erën; madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.” (1 Korintasve 9:24-27).

Parathënie

Gjithmonë do të ketë nga ata njerëz, të cilët nuk kanë fare dëshirë për të avancuar drejt një jete më të thellë shpirtërore, por që, përkundrazi, kënaqen thjesht duke i mbajtur ngrohtë karriget në kishë! Ka nga ata të tjerët, që përpiqen, që përmes veprave të mira, të ri-fitojnë ato vite që iu kanë shkuar kot, duke filluar që nga dita kur e pranuan Krishtin në zemër. Disa të tjerë mundohen që të mos i harrojnë emocionet që provuan kur erdhën për herë të parë në besim, por, duke vepruar kështu, ata harrojnë se duhet të hedhin hapa të mëtejshme drejt maturisë. Të paktë janë ata besimtarë që synojnë të korrin bekimet e një jete përkushtimi besnik. Këta besimtarë nuk pranojnë që të dorëzohen lehtë, por e kanë seriozisht besimin e tyre. Ata janë të gatshëm të ecin përtej asaj rruge që pranohet nga të gjithë si rrugë normale, por, që në të vërtetë është krishtërim formal.

Kërko fitoren

Pali na jep arsyet se përse është e rëndësishme që të kërkojmë të fitojmë: “A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni” (1 Korintasve 9:24). Kur kësaj jete t’i vijë fundi, a nuk duam që, nga goja e Shpëtimtarit, të dëgjojmë të na thuhen ato fjalë të lavdishme: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:23)?

Problemi qëndron këtu: jo çdo njeri që e nis garën, do ta mbarojë. Shumica e atyre që synojnë drejt shenjtërisë dhe besnikërisë, do të lodhen e do të ulen për të pushuar buzë rrugës. Ndoshta ata përpiqen të jetojnë jetë të shenjtëruara duke bërë vepra të mira, apo duke zbatuar rregullat pikë për pikë. Fatkeqësisht, këta njerëz gjithmonë i shohin me përçmim të tjerët, që duket sikur nuk janë aq të mirë sa ata vetë. Ata nuk përparojnë dot, ngaqë, ndoshta, kanë mëkat personal në zemër, atë mëkat që i qarkon vazhdimisht duke i joshur (Hebrenjve 12:1). Zërat që i thërrasin sa majtas, djathtas, ua tërheqin vëmendjen, duke i bërë që të mos vrapojnë më tej: “Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?” (Galatasve 5:7). Ata që do të marrin kurorën, do të jenë vetëm ata që arrijnë vijën e finishit, me besimin e tyre të paprishur gjatë vrapimit: “Ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet” (Marku 13:13)… “Po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus” (Filipianëve 3:14). Perëndia do t’i nderojë përjetësisht të gjithë ata që i besojnë Atij plotësisht.

Rëndësia e fitores

Këtu bëhet fjalë për shpërblimin tonë të përjetshëm, i cili ndodhet në rrezik. Nuk po sugjerojmë se do të humbim shpëtimin, por se, për shkak të pakujdesisë, mosbindjes dhe mungesës së entuziazmit, do të na hiqen nga duart shpërblime të caktuara: “Vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është. Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim, në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit” (1 Korintasve 3:13-15).

Prej nesh kërkohet disiplinë dhe zell. Ata (për të cilët e ka fjalën Pali), të cilët dilnin fitimtarë në lojrat olimpike, merrnin vetëm një kurorë prej druri, që prishej, por besimtari mund të marrë një kurorë të përjetshme prej Krishtit: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij” (2 Timoteut 4:7-8). Na duhet që t’iu rezistojmë dredhive dhe kurtheve të armikut: “Sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianëve 6:12). Ai do të bëjë të pamundurën që të na ndalojë së vrapuari dhe të na shkaktojë që ta kompromentojmë qëndrimin tonë në Krishtin. Kjo betejë zgjat gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të mënjanohet: “Lufto luftën e drejtë të besimit” (1 Timoteut 6:12)… “Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan” (Jakobi 1:12). Fitorja është e garantuar për të gjithë ata që i besojnë fjalës së Perëndisë dhe me të vërtetë jetojnë një jetë të vërtetë të krishterë: “Me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë” (2 Pjetrit 1:4).

Ruaju pakujdesisë

Mund ta humbasim gjithçka, nëse jemi të vakët në jetën tonë të krishterë. Tek 1 Korintasve 9:27, Pali shkruan: “Madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar”. Fjala “i përjashtuar” do të thotë “i skualifikuar”. A duam që në fund të jetës sonë të marrim miratimin e Perëndisë? Apo jemi të kënaqur se do të shkojmë në Qiell, edhe pse mund t’i humbim shpërblimet gjatë rrugës?

Pakujdesia mund të mënjanohet, nëse e hedhim poshtë atë që na bën të skualifikuar: “Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt; dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt” (Mateu 5:29-30). Është më mirë që të humbim gjithçka në këtë botë, por të mbetemi besnik ndaj Krishtit, sesa ta ruajmë gjithçka, por t’i humbim shpërblimet. Po të mos bëjmë asgjë, atëherë i kemi humbur me kohë shpërblimet.

Përfundim

A jemi të përgatitur për të qenë fitimtarë, apo do të vazhdojmë t’i shkojmë deri në fund nga pas krishtërimit sa për sy e faqe? Fitorja nuk është e lehtë, por Perëndia ka një sasi hiri të mjaftueshme për të na ardhur në ndihmë: “Hiri im të mjafton” (2 Korintasve 12:9). Ai na ka pajisur gjithashtu me armatimin e Tij (shiko Efesianëve 6:13-18). Duhet të jemi të sigurtë dhe të bindur se po jetojmë për Zotin. Nëse e kemi seriozisht se po i shërbejmë Krishtit, atëherë nuk do të lejojmë asgjë që të na pengojë drejt arritjes në podiumin e fitimtarit: “Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Korintasve 15:57).

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net