Të mposhturit e doktrinës së rreme
Parathënie
Për të krishterin që beson në Bibël, është e qartë se sot ka shumë profetë të rremë në kishë, por si mund ta ruajmë veten nga doktrinat e tyre? Siç shihet në librin e Zbulesës, kisha në Tiatirë ishte e korruptuar dhe e kompromentuar. Besimtarët e saj i toleruan mësuesit e rremë, sidomos të ashtu-quajturën ‘profeteshë’, të cilën Zoti e quajti “Jezabel”. Po ta shohim nga ana historike, Jezabela ishte gruaja e ligë e mbretit Ashab të Izraelit. Ajo ishte në gjendje ta bënte për vete Ashabin, që ta adhuronte dhe t’i shërbente idhullit Baal dhe çdo lloj të lige tjetër në kombin izraelit (shiko 1 Mbretërve 16:31-33). Adhurimi i rremë dhe doktrina e rreme janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Kisha e sotme ka shumë për të mësuar prej gabimeve të Tiatirës.
Jezusi shikon gjithçka
“Edhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, ai që ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e tij janë të ngjashëm me bronz të shkëlqyeshëm” (Zbulesa 2:18).
Emri ‘Tiatirë’ do të thotë ‘sakrifikim i vazhdueshëm’. Shumë komentatorë të Biblës sugjerojnë se kjo kishë simbolizon epokën kur u prezantua për herë të parë mesha e kishës katolike (rreth vitit 500 pas Krishtit), në kundërshtim me sakrificën e mjaftueshme të Krishtit: “Ai, përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë” (Hebrenjve 10:12).
Ka shumë mundësi që apostulli Pal të ketë dhënë mësim në këtë kishë gjatë udhëtimit të tij në Azinë e Vogël: “Dhe kjo vazhdoi dy vjet me radhë, kështu që të gjithë banorët e Azisë, Judenj dhe Grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus” (Veprat e Apustujve 19:10). Edhe pse kjo kishë mund të ketë patur një themel sado të vogël besimi, ky besim tek Perëndia shumë shpejt u kthye në një unitet të rremë, në humanizëm dhe sentimentalitet. Të gjithë e respektonin Tiatirën, sepse ajo ishte e famshme për sindikatat e saj të shumta, që mund të kenë qenë tipe kultesh, të lidhura me adhurimin e zotrave (idhujve) të ndryshëm. Nga ana e jashtme, kjo kishë dukej e fortë, e qëndrueshme dhe e dashur, por Zoti e shikonte me një sy tjetër. Sytë depërtues të Krishtit shpojnë thellë në fasadën (ose pamjen e jashtme) të fesë.
Pikëpamja e Zotit dhe ndëshkimi i Tij
“Unë i njoh veprat e tua, dashurinë tënde, besimin tënd, shërbimin tënd, durimin tënd dhe di që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, që e quan veten profeteshë, të mësojë dhe t’i mashtrojë shërbëtorët e mi të kurvërojnë dhe të hanë gjëra të flijiuara idhujve” (Zbulesa 2:19-20).
Tiatira ishte një kishë e shquar, po ta krahasojmë me standartet e sotme. Pa dyshim, ajo ishte një kishë në rritje, që propagandonte me zell doktrinat e besimit të saj. Njerëzit e lavdëronin këtë kishë, por Zoti e dënonte!
Problemi i Tiatirës qëndronte në faktin se ajo kishte lejuar dhe inkurajuar një profeteshë të rreme që t’i shërbente kishës. Kjo është njëlloj sikur ne ta lejojmë një Budist, apo një Mysliman të predikojë në kishën e sotme. Mësimet e kësaj profeteshe mund të dukeshin njëlloj si fjala e Perëndisë, por në të vërtetë, ato ishin helme të lyera me sheqerin e djallit. Doktrina e saj bazohej në unitetin e rremë të shumë feve, duke i prezantuar në këtë mënyrë kishës së Tiatirës idhujtarinë.
Gjykimi i Jezabelit
“Dhe i dhashë kohë që të pendohet për kurvërinë e saj, por ajo nuk u pendua. Ja, unë e flakë atë në një shtrat vuajtjesh, dhe ata që kurvërojnë me të, në shtrëngim të madh, po nuk u penduan për veprat e tyre; Dhe do t’i godas me vdekje bijtë e saj; dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat; dhe do t’i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta” (Zbulesa 2:21-23).
Zoti i mëshirshëm i dha kohë kësaj gruaje që të pendohej. A do të thotë kjo se kjo grua ishte dikur një besimtare e vërtetë, por më vonë ra nga besimi? Zoti duhet t’i ketë dërguar lajmëtarë për ta paralajmëruar atë lidhur me doktrinën e rreme që mësonte ajo. Por Jezabela e refuzoi pendimin. Predikimi i sillte asaj fitim të madh në qytetin e pasur të Tiatirës. Kjo “Jezabelë” po e shkatërronte kishën, ndaj Zoti do ta shkatërronte atë.
Si profetesha, ashtu edhe të gjithë ata që ndiqnin mësimet e saj, do të ndëshkoheshin rreptë nga Perëndia. Nuk ka shpëtim për ata që ndjekin me këmbëngulje një doktrinë të rreme, dhe që e bëjnë veshin shurdh ndaj fjalës së Perëndisë. Kjo derdhje e zemërimit të Perëndisë do të ketë si rezultat dy gjëra: së pari, do të tregojë se Zoti nuk i toleron profetët e rremë, dhe së dyti, do të shërbente si thirrje zgjimi për kishat e tjera. Çdo besimtar i çdo kishe do të gjykohet sipas veprave të veta. Askush nuk mund ta fshehë mëkatin e vet, duke fajësuar mësuesin e rremë.
Shpërblimi i fitimtarit
“Por juve dhe të tjerëve që janë në Tiatirë, që nuk kanë këtë doktrinë dhe nuk i kanë njohur thellësirat e Satanit, siç e quajnë ata, unë them: nuk do të vë barrë tjetër mbi ju; Dhe kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia, do t’i jap pushtet mbi kombet; dhe ai do t’i qeverisë ata me një shufër hekuri dhe ata do të thyhen si enë argjile, sikurse mora edhe unë pushtet prej Atit tim; dhe unë do t’i jap atij yllin e mëngjesit” (Zbulesa 2:24, 26-28).
Shpesh, të mbrojturit e së vërtetës bëhet një barrë e rëndë mbi supet tona, sidomos kur shikojmë kishat rreth nesh, që ndjekin doktrina të rreme. Do dalin profetë, që me “mësimet e tyre të mistershme”, do t’i habisin ata që mashtrohen lehtë. Por ne e dimë se kush janë këta profetë dhe ç’mësime mësojnë. Edhe pse mban këtë barrë mbi supe, besimtari mund të dalë fitimtar, duke i qëndruar besnik Zotit. Këta fitimtarë janë të vetmit që do t’u lejohet ta ndajnë fitoren dhe lavdinë me Shpëtimtarin. Nuk kemi nevojë për kurora vezulluese, kur na ndrit mbi kokë “ylli i mëngjesit”.
Duroni deri në fund
“Por mbajeni fort atë që keni, derisa të vij… Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave” (Zbulesa 2:25, 29).
A po e dëgjojmë me të vërtetë Frymën e Shenjtë në ditët e sotme? A e dëgjoi thirrjen e pendimit Tiatira? Historia na tregon se s’e dëgjoi. Kur flet për besimtarët e vërtetë, Jezusi thotë: “Ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet” (Mateu 24:13). Kjo do të thotë se gjithmonë do të egzistojë një kishë (sado e vogël që të jetë), e cila do të përhapë doktrinat e pastra të fjalës së Perëndisë. “Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë” (Mateu 16:18). Bibla do të jetë autoriteti ynë i pagabueshëm në çdo gjë që ka lidhje me besimin dhe jetën e krishterë, derisa të vijë Krishti.
Përfundim
Jetojmë në një shoqëri, e cila toleron gjithçka, me përjashtim të së vërtetës biblike. Por si të krishterë që jemi, ne s’duhet t’i tolerojmë gabimet, apo fenë e rreme në Trupin (Kishën) e Krishtit. Duam që jeta jonë t’ia arrijë standartit të Perëndisë mbi të vërtetën, shenjtërinë dhe drejtësinë. Ndryshe nga kisha e Tiatirës, ne duhet t’ia dedikojmë veten Zotit, dhe jo të kompromentohemi me djallin.
Nga Pastor Gary J. Hall
per autorin:
Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com



