Të mbushurit me Frymën
“Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë” (Efesianëve 5:18).
Parathënie
Rilindemi nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin. Sapo e pranojmë Krishtin si Shpëtimtar, Fryma e Shenjtë vjen e banon në jetën tonë: “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” (1 Korintasve 3:16). Por, jo vetëm kaq: gjatë gjithë jetës, ne duhet të mbushemi vazhdimisht me Frymën e Perëndisë. Kështu ndodhi me kishën e hershme, e kështu duhet të ndodhë edhe sot.
Dita e Rrëshajëve dhe më tej
Në ditën e Rrëshajëve, të 120 pasuesit e Jezusit u mbushën me Frymën: “Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin” (Veprat e Apostujve 2:3-4). Apostulli Pjetër, i cili ishte mbushur në fillim me Frymën në ditën e Rrëshajëve, u mbush prapë me Frymën, tek iu foli drejtuesve fetarë: “Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: “Krerë të popullit dhe pleq të Izraelit!” (Veprat e Apostujve 4:8). Më vonë, kur Pjetri u bashkua me dishepujt e tjerë për një takim lutjeje, lexojmë se: “Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë, dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltërsi” (Veprat e Apostujve 4:31). Në këtë ngjarje, ata që ishin mbushur me Frymën në ditën e Rrëshajëve, u mbushën prapë për së dyti. Pjetri, që ishte mbushur me Frymën në dy raste të mëparshme, u mbush këtu për herë të tretë. Është e qartë, pra, se të mbushurit me Frymën e Shenjtë nuk është një ngjarje që ndodh vetëm një herë.
Të banuarit dhe të mbushurit
Të mbushurit me Frymën e Shenjtë nuk është njëlloj si të pagëzuarit në Frymë. Ky fakt mund të vihet re qartë tek këshilla, që jepet tek Efesianëve 5:18, “Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë”. “Të mbushurit” me Frymën e Shenjtë është një çështje komplet e ndryshme nga “të banuarit” e Frymës së Shenjtë. Vetëm ata që janë të rilindur, e në të cilët banon Fryma e Shenjtë, vetëm ata mund të mbushen me Frymën e Shenjtë.Tek besimtarët efesianë banonte Fryma e Shenjtë: “Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj, dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij” (Efesianëve 1:13-14). Ndaj edhe atyre iu dha urdhëri për t’u mbushur “me Frymë”. Kjo është një vepër e veçantë dhe e vazhdueshme e Frymës së Shenjtë. Gjatë gjithë historisë së kishës, përvoja e disa besimtarëve iu përshtatet plotësisht shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave. Të dhjetë virgjëreshat kishin llampa të mbushura me vaj, por vetëm pesë virgjëresha të mençura kishin marrë me vete një reservë vaji, po t’iu mbarohej (shiko Mateu 25:1-13). Kjo do të thotë se vërtet të gjithë besimtarët e kanë përbrenda Frymën e Shenjtë, por jo të gjithë janë të mbushur me Frymën e Shenjtë.
Urdhërimi për t’u mbushur me Frymën e Shenjtë është në kohën e tashme (“mbushuni me Frymën e Shenjtë”), që do të thotë se kjo gjendje e të mbushurit është e vazhdueshme. Mund të përkthehet edhe kështu: “jini të mbushur me Frymën e Shenjtë”, apo siç thotë Bibla e Amplifikuar: “Dhe mos u dehni me verë, sepse kjo është shthurje, por gjithmonë mbushuni dhe motivohuni prej Frymës së Shenjtë”. Kjo do të thotë se ky bekim është për jetën e përditshme. Besimtari duhet të jetë vazhdimisht i mbushur me Frymën e Shenjtë. Ky është urdhërim, jo thjesht përshkrim. Ai bëhet realitet personal tek ata, që i binden Perëndisë.
Çmimi
Besimtari duhet t’i nënshtrohet e t’i dorëzohet pa kushte Fjalës, që Perëndia ia ka treguar nëpërmjet Frymës së Shenjtë, që banon në të. Kjo do të na kushtojë gjithçka, sepse ka të bëjë me të mohuarit e vetvetes, me të marrit e kryqit dhe të ndjekurit e Krishtit, me të humburit e jetës për hir të Tij: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë. Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” (Mateu 16:24-26).
Të përgatitur për Mbretërinë
Zoti është i gjithë-dijshëm. Ai i njeh të gjithë dhe di gjithçka. E megjithatë, në shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave, Zoti e deklaroi qartë se nuk i njihte ato, që kishin mbetur mbrapa derës së mbyllur. Një shprehje e tillë gjendet edhe tek Mateu 7:21-23, “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”. Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi”. Shprehjet “s’ju kam njohur kurrë” dhe “nuk të njoh” kanë të bëjnë me mungesën e të përgatiturit të shumë besimtarëve për ta takuar Zotin. Tipi i njohurisë, që përmendet këtu, fitohet nëpërmjet përvojës, d.m.th. nëpërmjet marrëdhënies personale dhe intime të besimtarit me Zotin, nëpërmjet të dëgjuarit të zërit të Tij, të zbatuarit të urdhërimeve të Tij dhe të shkuarit pas Tij nga dita në ditë. Apostulli Pal e përmend këtë lloj njohurie, kur shkruan: “Që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish. Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti. Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus” (Filipianëve 3:10-14).
Mes të krishterëve, egziston një injorancë e madhe, lidhur me kthimin e lavdishëm të Zotit tonë dhe me ardhjen e Mbretërisë. Ata mund të dinë shumë rreth detajeve të kthimit të Tij, por kjo njohuri nuk ka ndonjë pasojë të madhe në jetën e tyre. Ashtu si virgjëreshat budallaçka, edhe turma të tëra besimtarësh do të qëndrojnë një ditë përpara Zotit, para fronit të Tij të gjykimit.
Përfundim
Besimtari është i vulosur me Frymën e Shenjtë, që banon në të, që nga momenti i shpëtimit. Por besimtari duhet që të mbushet vazhdimisht me Frymën e Shenjtë, duke iu nënshtruar Fjalës së Perëndisë, me qëllim që të bëhet i denjë për të hyrë në mbretërinë e ardhshme e të lavdishme të Krishtit. Prandaj, le të shpenzojmë kohë me Zotin tonë, ta studiojmë, ta kuptojmë e t’i bindemi fjalës së Tij, ashtu siç na e mëson dhe na e sjell në mendje Fryma, që banon në ne. Le t’i nënshtrohemi Atij gjithmonë dhe le të mbushemi vazhdimisht me Frymën, në mënyrë që të bëhemi të denjë për të hyrë në Mbretërinë e Krishtit: “Mbushuni me Frymën” (Efesianëve 5:18).
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



