Të falurit me numërim



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 05.10.2008

Teksti: Mateu 18:21-35

Parathënie
T’i falësh të tjerët nuk është gjë e lehtë, qoftë edhe për një të krishterë. Por të falurit është një element i rëndësishëm i Ungjillit të Krishtit. Sa herë që na ofendon dikush, në vend që të hakmerremi, duhet t’i themi vetes se Perëndia po na jep një mundësi për ta ndarë me të tjerët dhuratën e mrekullueshme të faljes.

Frekuenca e të falurit
A mund t’i vëmë kufi numrit të faljeve, që duhet të japim atij, që vazhdimisht mëkaton kundra nesh? Pjetri kujtoi se caku duhej vënë tek numri i përsosmërisë, numri shtatë. Edhe drejtuesit fetarë në këtë mënyrë do të kishin vepruar ndaj atyre që mëkatonin. Por Jezusi nuk veproi kështu. Dhiata e Re e Popullit i bën një komentim të tillë këtij vargu: “Thuhet se mësuesit e judenjve e falnin atë njeri, që e rrëfente mëkatin, por kjo falje kishte kufi, kur mëkati përsëritej më shumë se tre herë”. A do të na vinte mirë neve, po qe se Zoti do të na e kufizonte faljen deri në tre herë? “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9).
Perëndia nuk fal me numër, sepse mëshira e Tij e tejkalon çdo lloj mase njerëzore. “Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme” (Psalmi 100:5)… “Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht” (Vajtimet 3:22). Jezusi i tha Pjetrit që, po të ishte nevoja, ta falte dikë 490 herë në ditë, d.m.th. pothuajse një herë në çdo tre minuta. Një numër i tillë ishte për t’i treguar Pjetrit se është një gjë e pamëshirshme dhe e pavlerë, që t’i vësh kufi faljes. Të falësh me numër është njëlloj sikur të mbash llogari. Ai që fal me numër, tregon se nuk e ka kuptuar vërtet se ç’do të thotë falja.

Shëmbëlltyra
Për ta ndihmuar Pjetrin që ta kuptonte të vërtetën, Jezusi tregoi një histori rreth dikujt, që i kishte borxh mbretit një borxh aq të madh, saqë nuk e paguante dot. Mbreti, në vend që ta fuste borxhliun në burg, tregoi mëshirë ndaj tij dhe e la të lirë, pa e paguar fare borxhin e vet. Por, i njëjti njeri, shkoi e gjeti dikë, që i kishte borxh atij një shumë parash, që, në krahasim me atë, që ai vetë i kishte borxh mbretit, ishte një shumë e vogël. Të tjerët e panë se ç’bëri ky hipokrit i pamëshirshëm dhe ia raportuan mbretit. Mbreti i tha borxhliut se tani duhej ta paguante borxhin, ngaqë s’kishte nxjerrë aspak mësim prej mëshirës, që i kishte treguar mbreti. Borxhliu nuk e kishte kuptuar fare se ç’do të thoshte falja, ndaj edhe nuk kishte pikë mëshire për dikë tjetër. “Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë… Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja” (Mateu 6:12, 14-15). Në lidhje me këtë varg, Mateo Henri ka thënë kështu: “Ata, që e quajnë veten të krishterë, do të gjykohen me të drejtë, po të vazhdojnë të tregohen të pamëshirshëm ndaj vëllezërve të tyre”.

A e kuptojmë se ç’do të thotë të falësh?
Ose jemi si Ati ynë i mëshirshëm, ose jemi si shërbëtori i lig i shëmbëlltyrës së mësipërme. Kjo varet nga fakti, nëse jemi gati për t’i falur me të vërtetë ata, që na ofendojnë, që na përbuzin, e që na keqtrajtojnë. Mëkatari i shpenguar duhet të jetë në gjendje ta kuptojë doktrinën e faljes dhe të jetë i mëshirshëm ndaj të tjerëve, sepse ai që fal, e vlerëson shpëtimin. Ai besimtar që nuk i fal të tjerët, është njëlloj si ai, që nuk ka gjetur falje prej Perëndisë. Perëndia as nuk mban llogari, as nuk fal me numër. Kështu duhet të veprojmë edhe ne. Të mbajturit mëri ndaj dikujt, që të ka ofenduar, nuk i bën mirë qëndrimit tënd përpara Perëndisë.
“Kini kujdes veten tuaj! Nëse yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe nëse pendohet, fale” (Luka 17:3). A duhet të presim, derisa ai që na ka ofenduar, të pendohet, e pastaj ta falim? Apo, mos vallë, duam që ai të ndëshkohet, po qe se nuk pendohet? Jo. Edhe pritja tregon gjithashtu një mungesë mëshire nga ana jonë. “Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde” (Mateu 5:23-24).
      
Përfundim  
“Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin” (Efesianëve 4:32). Pikërisht këtë i kërkoi edhe Jezusi Pjetrit, që të ishte i mëshirshëm. Falja që tregojmë ndaj të tjerëve, duhet të jetë e pamasë, e pakufijshme dhe falas. Kur falim në këtë mënyrë, tregojmë se kemi në zemër karakterin e Perëndisë: “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8)… “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej” (Mateu 5:48).
    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net

Lidhje te tjera..

 

  • #
  • #
  • #
  • No related posts