Të ecurit me Perëndinë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 28.02.2007

“Me anë të besimit Enoku u zhvendos që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse para se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë” (Hebrenjve 11:5).

Parathënie

Çfarë presim nga jeta tani që i përkasim Perëndisë? Ndoshta pyetja mund të bëhet ndryshe: “Ç’pres që të bëj Perëndia për mua?” Të gjithë i kemi përjetuar mrekullitë, bekimet, rehatinë dhe paqen e Zotit, por cili është reagimi ynë ndaj vuajtjes dhe dhembjes?

Jeta e krishterë nuk ka të bëjë me ne, por me Krishtin dhe me atë që Ai po bën brenda nesh. “Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim” (Filipianëve 1:21). “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20). Të gjithë duam që ta kemi jetën nën kontrollin tonë dhe shpesh nuk pranojmë ta lemë Perëndinë të na drejtojë. Duke vepruar në këtë mënyrë, e pengojmë ecjen tonë me Të.

Besimi është të rënit dakort me Perëndinë

“A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë?” (Amosi 3:3).

A biem dakort me Perëndinë për çdo gjë? Ka nga ata që nuk janë dakort me Perëndinë lidhur me krijimin, shpëtimin dhe shenjtërinë. Por, po nuk ramë dakort me Zotin, atëherë nuk mund të ecim me Të. Një devijim sado i vogël nga doktrinat themelore të besimit, një kompromis i fjalës së Perëndisë, apo një refuzim për të mos jetuar jetë të shenjta tregon se nuk egziston  asnjë bazë për t’u shoqëruar me Perëndinë.

Izraeli e la pas dore të zbatuarit e fjalës së Perëndisë dhe zgjodhi rrugën e mëkatit kundër Tij: “Vetëm ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut; prandaj unë do t’ju ndëshkoj për të gjitha paudhësitë tuaja” (Amosi 3:2). Ata mund të ktheheshin prapë tek pozita e bekuar që kishin patur më parë, vetëm po të pendoheshin. Po të mos e ndajmë veten nga mëkati, atëherë do të shohim se mëkati do të na ndajë nga Perëndia: “Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më” (Isaia 59:2).

Besimi është ndershmëri personale 

“Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pjetrit 2:9).

Ç’po mundohemi të fshehim? A duket sikur jemi të shenjtë dhe të drejtë përpara të tjerëve, ndërkohë që po mbajmë të fshehur atë mëkat sekret, të cilin e refuzojmë ta rrëfejmë? Perëndia na i sheh zemrat dhe Ai di gjithçka rreth mëkatit dhe shtirjes. Ai dëshiron që ne të jemi njerëz me integritet (me ndershmëri). “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). Si mund të shpresojmë se po na pëlqen Perëndia, kur në jetën tonë egziston mëkat i parrëfyer? Jo vetëm drejtuesit e kishave, por të gjithë të krishterët duhet “të [kenë] dëshmim të mirë edhe ndër të jashtmit, që të mos [shahen] dhe të [bien] në lakun e djallit” (1 Timoteut 3:7). Ky është dëshmimi i mirë i atij, që ka besim të vërtetë tek Perëndia (Hebrenjve 11:2, 39).

Pa ndershmëri, besimi është hipokrizi. A mundet që bota t’ia vërë gishtin ndonjë mëkati në jetën tonë?

Besimi do të thotë të jesh ungjillues    

“Ligji i së vërtetës ishte në gojën e tij dhe asnjë çoroditje nuk gjindej mbi buzët e tij; ai ecte bashkë me mua në paqe e në ndershmëri dhe shpëtoi shumë njerëz nga paudhësia” (Malakia 2:6).

Po qe se ecim me Perëndinë me besim dhe shenjtëri të vërtetë, atëherë do arrijmë ta dallojmë gjendjen e dëshpëruar të të humburve, atëherë do të kënaqemi së ndari Lajmin e mirë me sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Ata që ecin me Perëndinë, i kthejnë të tjerët mbrapsht nga mëkati. Zoti Jezus Krisht ka thënë: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:19-20). Ndoshta kemi shkuar, por nuk u kemi treguar atyre tërë të vërtetën! A shqetësohemi se mos, ndoshta, do të na tallin, po qe se iu flasim për shenjtërinë dhe drejtësinë? Si mendojmë se do të shkëlqejmë në prani të Perëndisë, nëse nuk e shpallim fjalën e jetës? “Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë” (Danieli 12:3).

Përfundim

Perëndisë i pëlqeu besimi i Enokut. Asgjë nuk ia zë dot vendin besimit personal. Nëse mundohemi ta kënaqim Perëndinë duke bërë vepra të mira, apo nëpërmjet adhurimit, studimit të Biblës, apo lutjes, do të dështojmë. Edhe njerëzit fetarë mund t’i bëjnë të gjitha këto gjëra, pa patur një marrëdhënie të gjallë me Perëndinë. Por, është besimi ai që bën që këto gjëra të pranohen nga Perëndia. Njerëzit fetarë dinë diçka rreth Perëndisë, por ata nuk e njohin vërtet Atë. Kjo shikohet në jetën e tyre. Mund t’ua vëmë gishtin të tjerëve dhe të themi se ata nuk ecin me Perëndinë, por ç’mund të themi për veten tonë? A ecim ne besnikërisht me Të? Si reagojmë kur ndodhemi në situata të vështira?

Perëndia i shpërblen ata që ecin me Të (Hebrenjve 11:6) dhe për ta, Ai ka përgatitur një vend pushimi dhe paqeje të përjetshme. Ata që ecin me Perëndinë, duke i besuar Atij, do të shkojnë në të njëjtin vend, në të cilin u zhvendos edhe Enoku. Do të na duket e vështirë për të ecur me Perëndinë plot besim, vetëm atëherë kur nuk pranojmë ta përulim jetën tonë para Tij dhe ta ngremë Atë më lart se gjithçka tjetër. Të ecurit me Perëndinë është besim i vërtetë.

  Kur ecim me Zotin,
Në dritën e Fjalës së Tij,
Sa shumë që na e ndriçon rrugën lavdia e Tij!
Kur bëjmë vullnetin e Tij të mirë,
Ai banon me ne,
Dhe me të gjithë ata, që i besojnë dhe i binden.

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net