Të ecurit me maturi
Kjo nënkupton, pra, atë ecje të kujdesshme e të matur, atë jetë, atë lëvizje, atë të folur dhe atë të vepruar të përditshëm në frikën e Perëndisë, vetëm me anë të të cilave mund të ruhemi prej kurdheve që janë ngritur për këmbët tona në çdo hap të rrugës sonë. Sa të shumtë janë ata që kanë rënë në ligësi flagrante dhe në poshtërsi të hapur ngaqë nuk kanë ecur syhapët e me maturi e ngaqë nuk kanë bërë kujdes se ku kanë hedhur këmbën. Në vend që të ruhen qysh në lëvizjet e para të mëkatit dhe duke mos u kujdesur që, ashtu siç thotë Zoti, “të mos bien në tundim”, ata preferojnë të flirtojnë me të derisa tërhiqen tej dhe joshen prej lakmisë së tyre, lakmi kjo që ashtu siç është, e pafrenuar, vazhdon të mbarsë dhe të ngjizë mëkatin, i cili, pasi është përfunduar e kryer dhe pasi gjen shprehje në veprim, lind vdekjen.



