Të adhuruarit në Frymë dhe në të Vërtetën



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 09.11.2008

“Gruaja i tha: “Zot, po shoh se ti je një profet. Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë”. Jezusi i tha: “O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin. Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë. Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën”” (Hebrenjve 2:17-3:1).

Parathënie
Ç’kuptim ka fjala “adhurim”? Për shumicën e njerëzve, “adhurim” do të thotë thjesht t’i këndosh këngë Perëndisë të dielën, në shërbesën e kishës. Ca kisha, p.sh. kanë një kohë të caktuar adhurimi. Ka nga ata besimtarë, që kujtojnë se po e adhurojnë Perëndinë, ngaqë iu pëlqejnë këngët e adhurimit, që këndohen në kishë, apo ngaqë ndihen të kënaqur shpirtërisht. Por, adhurimi nuk ka të bëjë fare me ne, apo me mënyrën sesi ndihemi nga brenda. Përkundrazi, adhurimi ka të bëjë me vetë Perëndinë. Bibla përdor me dhjetëra fjalë, që kanë të bëjnë me adhurimin, por ajo asnjëherë nuk e përkufizon fjalën “adhurim”. Adhurimi i vërtetë ka të bëjë me Perëndinë, që kënaqet, kur ne e lavdërojmë ashtu siç dëshiron vetë Ai.

Pse duhet ta adhurojmë Perëndinë?
Perëndia nuk ka nevojë, që ta adhurojmë ne, por Ai na urdhëron që ta adhurojmë në Frymë dhe në të Vërtetë. ” Sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati” (Gjoni 4:23). Adhurimi as nuk i shton gjë sovranitetit të Perëndisë, (d.m.th. Perëndia është dhe mbetet sovran, e adhuruam apo s’e adhuruam ne), as nuk e ndryshon dot Perëndinë. Por, përkundrazi, adhurimi na ndryshon neve. “Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit” (2 Korintasve 3:18). U krijuam, që të kemi bashkësi (shoqëri) me Perëndinë dhe një pjesë përbërëse e kësaj bashkësie është adhurimi. “Bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin” (1 Gjonit 1:3). Njeriu, gradualisht, fillon t’i përngjasë atij personi, të cilin e adhuron më shumë. Ata, që adhurojnë perëndinë e myslimanizmit, bëhen gjithnjë e më të dhunshëm. Ata, që iu shkojnë pas yjeve të sportit apo të muzikës, fillojnë e vishen si ata, e sillen si ata. Ata, që e duan Krishtin, manifestojnë karakterin e Tij. Kështu, pra, adhurimi na transformon jetën.
Perëndia e meriton që të adhurohet. “Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjëra, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan” (Zbulesa 4:11). Zoti është i denjë për t’u lavdëruar e adhuruar, ngaqë është Krijuesi i gjithësisë. Shumica e njerëzve e çnderojnë Perëndinë, duke refuzuar që ta adhurojnë Atë. “Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua” (Romakëve 1:21).

Si duhet të adhurojmë?
Jezusi, në bisedën që pati me gruan samaritane, e shpjegoi qartë se në ç’mënyrë do Perëndia që ta adhurojmë. Judenjtë dhe samaritanët kujtonin se adhurimi duhej bërë në një orë të caktuar e në një vend të caktuar. Ka shumë të krishterë, që kanë po këtë mendim. Për ta, adhurimi bëhet në godinën e kishës, nga ora 10-të deri në orën 12-të të ditës së dielë. Kujtojnë se adhurimi është thjesht të kënduarit e ca këngëve gjatë shërbesës së kishës.
Perëndia kërkon që ta adhurojmë me gjithë zemër. Çarls Spërxhëni ka thënë: “Perëndia nuk e vë shumë re zërin tonë. Ai na dëgjon zemrën dhe, nëse nuk na këndon zemra, atëherë nuk kemi kënduar fare”. Isaia 29:13 thotë: “Prandaj Zoti thotë: “Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit”. Prandaj, pra, mund të kemi kënduar shumë bukur e megjithatë të mos e kemi adhuruar me të vërtetë Zotin. Atë nuk mund ta adhurojmë, po qe se zemrën nuk e kemi të prekur prej Tij. E, nëse zemra jonë nuk i përket Zotit, atëherë nuk ia vlen që ta adhurojmë fare.
Adhurimi duhet bërë, në përputhje me të vërtetën. Shpeshherë dëgjojmë njerëz, që thonë: “E adhuroj Zotin, siç dua vetë. Kam mënyrën time të adhurimit, unë”. Por, nuk është mënyra jonë e adhurimit ajo, që ka vlerë përpara Perëndisë. Ai na ka thënë se adhurimi duhet bërë sipas mënyrës së Tij. Nuk mjafton thjesht që të jemi të sinqertë në adhurimin tonë. Edhe judenjtë dhe samaritanët ishin të sinqertë në atë që besonin, duke kujtuar se po e adhuronin Perëndinë ashtu siç duhej, por sa gabim e kishin! Perëndinë duhet ta adhurojmë vetëm në atë mënyrë, që na thotë Bibla. Përndryshe, adhurimi ynë nuk do të jetë i pranueshëm prej Tij. P.sh. si mund ta adhurojmë Atë, nëse nuk kemi “duar të pafajshme dhe zemra të pastra” (Psalmi 24:4)? Ai na urdhëron që ta adhurojmë “në shkëlqimin e shenjtërisë së tij” (Psalmi 29:2).
Adhurimi i vërtetë ka të bëjë me gjithë qënien tonë. “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!”. Ky është i pari urdhërim” (Marku 12:30). Kjo do të thotë se duhet të jemi adhurues të Perëndisë 24 orë në ditë. Duhet t’ia dedikojmë gjithë jetën tonë shërbesës së Tij. Gjon Uesli ka thënë: “Duhet ta adhurojmë Atë me adhurimin e vërtetë shpirtëror të besimit, dashurisë dhe shenjtërisë, duke iu kushtuar vëmendje të gjitha emocioneve, mendimeve, fjalëve dhe veprimeve tona”. 
        
Përfundim  
Le të jemi adhuruesit, që kërkon vetë Zoti Perëndi. Adhurimi i vërtetë duhet bërë në të vërtetën se Ati e ka zbuluar Veten tek Biri, që është pranuar prej Frymës së Shenjtë. Adhurimi i atyre, që nuk e përfillin të vërtetën, nuk mund të pranohet prej Perëndisë. “Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish” (Filipianëve 3:3).
    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net