Të abuzuarit e mirësisë së Perëndisë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 29.12.2007

“U thoni vëllezërve tuaj: “Ami,” dhe motrave tuaja “Ruhamah”. Protestoni kundër nënës suaj, protestoni, sepse ajo nuk është gruaja ime dhe unë nuk jam burri i saj. Le të heqë nga fytyra e saj shenjat e prostitucioneve të saj dhe shenjat e shkeljeve të kurorës nga sisët e saj; përndryshe do ta zhvesh lakuriq dhe do ta bëj si në ditën e lindjes së saj; do ta katandis në një shkreti, do ta bëj si një tokë të zhuritur dhe do ta bëj të vdesë nga etja. Nuk do të kem mëshirë për bijtë e saj, sepse janë bij prostitucioni. Nëna e tyre u kurvërua në fakt, ajo që është ngjizur është sjellë në mënyrë të turpshme, sepse ka thënë: “Do t’u shkoj pas dashnorëve të mi, që më japin bukën time dhe ujin tim, leshin tim dhe lirin tim, vajin tim dhe pijen time”. Prandaj ja, do të të zë rrugën me ferra, do ta mbyll me një mur dhe kështu nuk do të gjejë më shtigjet e saj. Do të rendë pas dashnorëve të saj, por nuk do t’i arrijë; do t’i kërkojë, por nuk do t’i gjejë. Atëherë do të thotë: “Do të kthehem te burri im i parë, sepse për mua ishte më mirë atëherë se tani”. Ajo nuk kuptoi që unë i jepja grurë, musht dhe vaj dhe shtoja argjendin dhe arin e saj, që ata i ofronin Baalit” (Osea 2:1-8).

Parathënie
Në këtë pasazh, lexojmë fjalën e Perëndisë drejtuar, nëpërmjet profetit Osea, një populli mëkatar e mosmirënjohës. Izraelitët nuk kishin pranuar ta dëgjonin thirrjen e Perëndisë për t’u penduar, edhe pse Ai vazhdimisht i kishte paralajmëruar se do t’i zhvendoste nga atdheu, nëse ngulnin këmbë të ecnin në mëkat e rebelim. Këtu shohim edhe një mesazh për besimtarët e sotshëm.

Mospranimi i burimit të bekimit
“Ajo nuk kuptoi që unë i jepja grurë, musht dhe vaj dhe shtoja argjendin dhe arin e saj” (Osea 2:8).
Vazhdmisht, duhet ta mbajmë mend se “çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17). Nga natyra, jemi të prirur për të kujtuar se bekimet e përgjithshme na vijnë, ngaqë punojmë shumë me forcat tona, apo ngaqë jemi të aftë e me shkollë. Por, jo vetëm ca gjëra, por çdo gjë e mirë është nga Perëndia. Këtu përfshihen edhe forca jonë, shëndeti dhe inteligjenca. Nuk mund të themi se e kemi krijuar vetë vetveten: “Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë” (Psalmi 100:3).
A jemi munduar ndonjëherë për t’i numëruar bekimet tona? Nëse po, a kemi kujtuar atëherë se i kemi merituar të gjitha ato bekime? Ndoshta besojmë se këto bekime të përditshme janë tonat, ngaqë ndodhemi në vendin e duhur e jetojmë në kohën e duhur. Apostulli Pal shkroi: “Sepse çfarë të bën të ndryshëm? Çfarë ke ti që nuk e ke marrë? Dhe, nëse e ke marrë, pse krenohesh sikur nuk e ke marrë?” (1 Korintasve 4:7). Të gjitha bekimet janë të dhëna prej Perëndisë, prandaj edhe nuk kemi asnjë arsye për t’u mburrur.

Të Abuzuarit e Dhënësit
“Që ata i ofronin Baalit” (Osea 2:8).
Izraelitët nuk e pranuan faktin se ishte Perëndia Ai, që ishte Dhënësi i bekimeve dhe se ato bekime ata i kishin përdorur për të lavdëruar e për të nderuar një idhull pagan. Perëndia mund të na ketë dhënë qoftë edhe një talent të vetëm, por Ai pret që atë talent ta përdorim për lavdinë e Tij: “Në fund erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një talent dhe tha: “Zot, unë e dija se je njeri i ashpër, që korr atje ku nuk ke mbjellë dhe vjel ku nuk ke shpërndarë, prandaj pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd nën tokë; ja, unë po ta kthej”. Dhe i zoti duke i përgjigjur i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac, ti e dije se unë korr atje ku nuk kam mbjellë dhe vjel aty ku nuk kam shpërndarë; Ti duhet t’ia kishe besuar denarin tim bankierëve dhe kështu, në kthimin tim, do ta kisha marrë me interes. Prandaj ia hiqni këtij talentin dhe ia jepni atij që ka dhjetë talenta” (Mateu 25:24-28).
Duhet të tregojmë kujdes që të mos e përdorim për qëllime mëkatare atë, që na ka dhënë Perëndia. Një këngëtar i krishterë, që këndon këngët e botës, në fakt, propagandon të ligën. Ta përdorësh atë që ta ka dhënë Perëndia, jo për lavdinë e Tij, por për qëllime të tjera, është njësoj sikur të punosh për djallin. Njerëz të tillë mund të kujtojnë se Perëndia i fal, kur veprojnë kështu, por ata harrojnë se “është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht” (Vajtimeve 3:22). 

Nëse i abuzojmë bekimet, atëherë do të humbim gjithçka
“Prandaj unë do të marr përsëri grurin tim në kohën e vet dhe mushtin tim në stinën e vet; do t’i heq leshin tim dhe lirin tim, që shërbenin për të mbuluar lakuriqësinë e saj” (Osea 2:9).
Perëndia ka thënë: “Fryma ime nuk do të hahet gjithnjë me njeriun” (Zanafilla 6:3). Le të mos gabojmë, duke menduar se durimi i Perëndisë do të thotë verbim ndaj mëkatit. Durimi i Tij nuk është shenjë miratimi për mëkatin tonë. Ai i jep gjithmonë mëkatarit një shans të dytë për t’u penduar. Ja se ç’i tha Ai kishës së Tiatirës: “Dhe i dhashë kohë që të pendohet për kurvërinë e saj, por ajo nuk u pendua” (Zbulesa 2:21). Mungesa e pendesës dhe e kthimit përsëri tek Perëndia përfundon gjithmonë në dizastër: “Ja, unë e flakë atë në një shtrat vuajtjesh, dhe ata që kurvërojnë me të, në shtrëngim të madh, po nuk u penduan për veprat e tyre” (Zbulesa 2:22). Herët a vonë, Atij i duhet ta presë fare atë pemë, që është shterpë: “Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoj frytin e këtij fiku dhe s’po gjej; preje; pse të zërë kot tokën?” (Luka 13:7).

Përfundim
Mëkati i Izraelit është akoma një mëkat i zakonshëm në kishën e ditëve të sotme. Si besimtarë që jemi, duhet të mos e harrojmë se gjithçka që kemi, e kemi për shkak të mëshirës dhe hirit të Perëndisë: “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri; ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja” (Psalmi 103:1-5).

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net