Ta marrim në konsideratë Besëlidhjen



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 10.01.2007

Teksti i studimit: Jozueu 24

Parathënie

Dhurata e besimit na jepet në momentin kur besojmë në Krishtin. Pikërisht në atë moment, mes Perëndisë dhe mëkatarit të penduar nënshkruhet një besëlidhje (apo marrëveshje), rezultati i së cilës është jeta e përjetshme. Megjithëse kjo marrëveshje ndodh një herë e përgjithmonë, ka momente në rrugën tonë të besimit të krishterë, kur e ndjejmë nevojën për ta rinovuar atë marrëveshje. 

Ta marrim në konsideratë të kaluarën 

“Pastaj Jozueu mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe thirri pleqtë e Izraelit, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, që u paraqitën përpara Perëndisë. Dhe Jozueu i tha tërë popullit: “Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: “Në kohërat e kaluara, etërit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, banonin matanë lumit dhe u shërbenin perëndive të tjera. Unë mora atin tuaj Abrahamin nga ana tjetër e lumit, e bëra të kalojë nëpër gjithë vendin e Kanaanit, shumëzova pasardhësit e tij dhe i dhashë Isakun. Isakut i dhashë Jakobin dhe Esaun; Esaut i dhashë si trashëgimi malin e Seirit; por Jakobi dhe bijtë e tij zbritën në Egjipt. Pastaj dërgova Moisiun dhe Aaronin dhe godita Egjiptin me atë që bëra në mes të tij; pastaj ju nxora jashtë. Kështu nxora nga Egjipti etërit tuaj, dhe ju arritët në det. Egjiptasit i ndoqën etërit tuaj me qerre dhe me kalorës deri në Detin e Kuq. Por ata i klithën Zotit, dhe ai vendosi një errësirë të dendur midis jush dhe Egjiptasve; pastaj hodha mbi ta detin, që i mbuloi; dhe sytë tuaj panë atë që u bëra Egjiptasve. Pastaj qëndruat për një kohë të gjatë në shkretëtirë. Unë ju çova në vendin e Amorejve, që banonin matanë Jordanit; ata luftuan kundër jush dhe unë jua dhashë në dorë; ju pushtuat vendin e tyre dhe unë i shpartallova para jush. Pastaj Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, u ngrit për të luftuar Izraelin; dhe dërgoi të thërrasë Balaamin, djalin e Beorit, që t’ju mallkonte; por unë nuk desha të dëgjoj Balaamin; prandaj ai ju bekoi me të madhe, dhe ju çlirova nga duart e Balakut. Kaluat pastaj Jordanin dhe arritët në Jeriko; banorët e Jerikos luftuan kundër jush; kështu bënë Amorejtë, Perezejtë, Kananejtë, Hitejtë, Girgasejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë; por unë jua dorëzova në dorë. Dhe çova para jush grerëzat, që i bënë të ikin para jush, ashtu si kishte ndodhur me dy mbretërit e Amorejve; por kjo nuk ishte meritë e shpatës ose e harkut tënd. Dhe ju dhashë një tokë për të cilën nuk kishit punuar dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar, dhe ju banuat në to; dhe tani hani frytin e vreshtave dhe të ullishteve që nuk keni mbjellë” (Jozueu 24:1-13). Në këtë pasazh, Jozueu iu kujton Izraelitëve të kaluarën e tyre të shquar, sidomos që prej Abrahamit deri tek çlirimi i mahnitshëm prej Egjiptit. Asgjë nga ato që ndodhën, nuk ishte si rezultat i fuqisë, apo meritës së tyre, por ishte në përputhje me marrëveshjen që bëri Perëndia me Abrahamin. Izraelitët ishin populli i Perëndisë nëpërmjet besimit.Dhiata (ose besëlidhja) e Re është themeluar me anë të gjakut të Zotit tonë Jezu Krisht. Mëkatari bëhet fëmijë i Perëndisë, vetëm nëpërmjet hirit të Perëndisë, dhe jo nëpërmjet vlerës apo drejtësisë së mëkatarit. “Ta dini, pra, se ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit. Dhe Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia do t’i shfajësonte kombet me anë të besimit, ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë: “Të gjitha kombet do të bekohen në ty”. Prandaj ata që themelohen mbi besimin bekohen bashkë me të besueshmin Abraham” (Galatasve 3:7-9). Ne, si johebrenj, nuk jemi pasardhësit e Abrahamit, ngaqë kemi të njëjtën ADN, por jemi pasardhësit e tij nëpërmjet besimit në drejtësinë e Krishtit. A nuk mund t’i hedhim sytë pas nga e kaluara dhe ta falenderojmë Perëndinë për këtë shpëtim të mrekullueshëm, si edhe për të gjitha ato momente kur Ai na ka çliruar nga armiku?

Ta marrim në konsideratë besnikërinë tonë

“Prandaj tani t’ia kini frikën Zotit dhe shërbejeni me ndershmëri dhe besnikëri; hiqni perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit dhe në Egjipt, dhe vihuni në shërbim të Zotit. Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t’i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e Amorejve, në vendin e të cilëve ju banoni sot; sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit”. Atëherë populli u përgjigj dhe tha: “Larg qoftë që ne të braktisim Zotin për t’u shërbyer perëndive të tjera! Sepse Zoti, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, që ka bërë mrekullira të mëdha para syve tanë dhe që na ka mbrojtur gjatë gjithë rrugës që bëmë dhe midis gjithë popujve në mes të të cilëve kemi kaluar; dhe Zoti ka dëbuar para nesh tërë popujt dhe Amorejtë që banonin në këtë vend; prandaj ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse ai është Perëndia ynë”. Por Jozueu i tha popullit: “Ju nuk mund t’i shërbeni Zotit, sepse ai është një Perëndi i shenjtë, një Perëndi ziliqar; ai nuk do t’i falë shkeljet dhe mëkatet tuaja. Kur ta braktisni Zotin dhe t’u shërbeni perëndive të huaja, ai do të kthehet për t’ju bërë keq dhe për t’ju konsumuar pas aq të mirave që ju ka bërë”. Dhe populli i tha Jozueut: “Jo, ne do t’i shërbejmë Zotit”. Atëherë Jozueu i tha popullit: “Ju jeni dëshmitarë kundër vetvetes, pse keni zgjedhur për vete Zotin për t’i shërbyer!”. Ata iu përgjigjën: “Jemi dëshmitarë!”. Jozueu tha: “Hiqni, pra, perënditë e huaja që janë në mes tuaj dhe përuleni zemrën tuaj Zotit, Perëndisë së Izraelit!”. Populli iu përgjigj Jozueut: “Ne do t’i shërbejmë Zotit, Perëndisë tonë, dhe do t’i bindemi zërit të tij” (Jozueu 24:14-24). Me fjalën ‘besnikëri’, nënkuptojmë të gjithë përkushtimin, devocionin dhe bindjen që i kemi premtuar Zotit që në fillim. Kjo do të thotë se duhet të kthehemi tek “dashuria jonë e parë” (Zbulesa 2:4). Jozueu i bën thirrje popullit që të marrë vendim se kujt do t’i shërbejë. A do t’i shërbejnë Perëndisë, apo do të vazhdojnë të adhurojnë idhujt e së kaluarës? Ata kanë përpara një të ardhme të shkëlqyer në Tokën e Premtuar, por nuk iu lejohet që të marrin me vete gjërat e neveritshme të jetës së vjetër. Jozueu iu tha atyre se edhe familja e Abrahamit dikur kish adhuruar perëndi të huaja: “Etërit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, u shërbenin perëndive të tjera” (Jozueu 24:2). Por Abrahami iu largua idhujtarisë, si përgjigje ndaj thirrjes së Perëndisë. Prandaj, po qe se populli izraelit do me të vërtetë që ta ndjekë Zotin, atëherë ai nuk duhet të ngatërrohet me paganizmin. Edhe ne e kemi një trashëgimi në Krishtin: “Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish, për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju, që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit” (1 Pjetrit 1:3-5). Nuk duhet ta kompromentojmë asnjëherë këtë marrëveshje të besëlidhjes që kemi me Perëndinë, sepse edhe ne jemi thirrur që të heqim dorë nga jeta e vjetër, në mënyrë që t’i shërbejmë Perëndisë së Gjallë. “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17). “Dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut. Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij, atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen” (Zbulesa 1:5-6). 

Ta marrim në konsideratë premtimin tonë

“Kështu Jozueu lidhi atë ditë një besëlidhje me popullin, dhe i dha statutet dhe dekretet në Sikem. Pastaj Jozueu shkroi këto gjëra në librin e ligjit të Perëndisë; dhe mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së Zotit. Jozueu i tha pastaj tërë popullit: “Ja, ky gur do të jetë një dëshmitar kundër nesh, sepse ai i dëgjoi tërë fjalët që na tha Zoti; ai, pra, do të shërbejë si dëshmitar kundër jush, me qëllim që të mos e mohoni Perëndinë tuaj”. Pastaj Jozueu e ktheu popullin në vendin ku ishte më parë, secili në trashëgiminë e vet” (Jozueu 24:25-28).Shprehja ‘lidh një besëlidhje’ do të thotë ‘të presësh një besëlidhje’ nëpërmjet sakrifikimit të kafshëve. Kafsha ndahej më dysh, dhe pastaj ata që ishin dakort me besëlidhjen, ecnin midis dy gjysmave të trupit të kafshës. Kushdo që e thyente këtë besëlidhje, e dinte mirë se ndëshkimi që do të merrte, do të ishte i njëjtë me atë të kafshës së sakrifikuar. “Dhe do ti jap njerëzit që kanë shkelur besëlidhjen time dhe nuk kanë zbatuar fjalët e besëlidhjes që kishin lidhur para meje, duke kaluar në mes pjesëve të viçit që e kishin ndarë më dysh: princat e Judës dhe princat e Jeruzalemit, eunukët, priftërinjtë dhe tërë populli i vendit që kaluan në mes të pjesëve të viçit, do t’i jap në dorë të armiqve të tyre dhe në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre; dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës” (Jeremia 34:18-20). 

Shumë prej nesh dinë sadopak rreth kultit të kohëve të sotme, të quajtur ‘Mbajtësit e Premtimit’. Faktikisht, ata dhe shumë prej të krishterëve, janë ‘thyerës’ të premtimit, ashtu siç ishin izraelitët në kohën e Jozueut. Në të vërtetë, Zoti është i vetmi Ai që e mban premtimin. Kur u lidh besëlidhja mes Abrahamit dhe Perëndisë, ishte Perëndia Ai që eci vetëm midis pjesëve të trupit të kafshëve të sakrifikuara, duke na treguar se Abrahamit i mbetej vetëm që t’i besonte dhe t’i bindej Zotit. “Por me të perënduar dielli dhe me të zbritur errësira, na del para syve një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar i zjarrtë që kalon përmes kafshëve të ndarë. Po atë ditë Zoti bëri një besëlidhje me Abramin duke i thënë: “Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit” (Zanafilla 15:17-18). Ngaqë Perëndia është Mbajtës i premtimit, Ai premton se do ta bëjë realitet çdo fjalë që thotë: “Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:11). Premtimi i përjetshëm i Perëndisë bëhet plotësisht realitet tek sakrifica faj-shlyerëse e Krishtit. Ne duhet që vazhdimisht t’ia kujtojmë vetes premtimin besnik të Perëndisë: “Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe në atë “amen,” për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh” (2 Korintasve 1:20). “Me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë” (2 Pjetrit 1:4). 

Ta marrim në konsideratë rrugën tonë

“Pas këtyre gjërave Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç, dhe e varrosën në territorin e pronës së tij në Timnath-Serah, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.  Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut dhe që dinin tërë veprat që Zoti kishte bërë për Izraelin.  Eshtrat e Jozefit, që bijtë e Izraelit kishin sjellë nga Egjipti, i varrosën në Sikem, në pjesën e arës që Jakobi ua kishte blerë bijve të Hamorit, atit të Sikemit, për njëqind pjesë argjendi, dhe që ishte pronë e bijve të Jozefit. Pastaj vdiq edhe Eleazari, bir i Aaronit, dhe e varrosën në malin, që ishte pronë e birit të tij Finehas dhe që ia kishin dhënë në krahinën malore të Efraimit” (Jozueu 24:29-33).Besimi i ngjan një udhëtimi të vazhdueshëm deri në fund të jetës sonë mbi tokë. E kemi për detyrë që të ecim në rrugën e drejtë. Jozueu jetoi deri në moshën 110-vjeçare. Jozefi dhe Eleazari u varrosën në Tokën e Premtuar. Këta burra kishin besim në besëlidhjen, që kish lidhur Perëndia me Abrahamin. Lista e burrave dhe grave besnike tek Hebrenjve 11 na sjell në mendje faktin se besimi dhe bindja ndaj fjalës së Perëndisë, sjell si pasojë përmbushjen e premtimit: “Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe” (Hebrenjve 11:13). 

Beteja jonë nuk drejtohet kundër njerëzve, por kundër mëkatit dhe vetvetes. Nuk luftojmë për tokë, por për Parajsën. Nuk synojmë pushimin (d.m.th. lluksin, paranë, argëtimin) e botës, por atë thesar që gjendet tek shërbesa ndaj Perëndisë përmes besimit. Në rrugën tonë duhet të udhëhiqemi gjithmonë nëpërmejt vullnetit të Perëndisë: “Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmi 119:105). 

Përfundim

Izraelitët premtuan se do ta ndiqnin Zotin, por s’kaluan as shumë vite pas vdekjes së Jozueut dhe ata e braktisën ligjin e Perëndisë, dhe adhuruan idhuj dhe të ligën (shiko Gjyqtarët). Mosbindja dhe mosmarrja në konsideratë e fjalës së Perëndisë gjithmonë rezulton në shkatërrimin e besimit. Duhet ta marrim në konsideratë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen; ta marrim në konsideratë besnikërinë, premtimet dhe rrugën tonë. “Prandaj ne duhet t’u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga ruga” (Hebrenjve 2:1).

Nga Pastor Gary J. Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net