Studimi i fjalëve “DRUAJ” dhe “FRIKË”



nga: anila.shyti, botuar me: 05.01.2007

-“Druaj”
-Fjalë për fjalë në shqip do të thotë, “të kesh frikë nga dikush ose nga diçka”; ndjenjë zori apo turpi ndaj dikujt.
Shembuj: “Druante t’ia thoshte hapur”.“Mos druaj!”. “Druante se mos ndodhte ndryshe nga ç’kishte parashikuar”

-“Druajtje”
- Fjalë për fjalë në shqip do të na thotë: “Frikë jo e madhe nga dikush. Frikë nga diçka që na bën të stepemi ose të përmbahemi; ngurrim, mungesë guximi dhe vetëveprimi që na vjen nga një farë turpi a frike brenda nesh!”.
Shembull: Hyri (foli) me druajtje.

-“Druajtur”
“Që ka druajtje”. Mund të shprehemi kështu për një fëmijë se është i druajtur.

-“Druhem”
Trembem nga dikush a nga diçka që më bën të stepem ose të përmbahem;*
ngurroj nga që kam brenda meje një farë frike ose turpi, më vjen zor, nuk kam edhe aq shumë guxim.Kam frikë, trembem, tutem.
Shembull: Ka frikë nga i ati (nga e ëma). Druhet se mos e qortojnë.

-Ka të bëjë me ngurrimin, ose me mungesë guximi dhe vetëveprimi që na vjen nga një farë turpi a frike që mund të kemi brenda nesh.
Ndonjëherë themi: “Mos druaj !” Diku tjetër themi: “Druante t’ia thoshte hapur”. Për një fëmijë mund të shprehemi duke thënë se: “është një fëmijë i druajtur djali i filanit, psh”.
Domethënë ka të bëjë me tërheqje nga diçka ose stepje. Të përmbahesh* përpara dikujt që e druan. Mund të shprehemi kështu që ka edhe (frikë).

-Këtë gjë nuk mund ta bëj sepse “druaj” nga Perëndia!
-Atje nuk mund të shkoj sepse nuk ma lejon Perëndia që të shkoj!
-Këtë nuk mund ta them sepse Perëndia është këtu i pranishëm.
-Kështu nuk mund të vishem sepse nuk i shkon për shtat dhe nuk i ka hije një fëmije Mbreti.
Dhe Mbret kemi Krishtin. Vetëm!
-Kështu nuk mund të mendoj sepse i Shenjti që më deshi dhe më bleu me gjakun e Tij, më vëzhgon nga lart.

Pra, duhet ta nderojmë Atë në çdo gjë. Sepse “druhemi” prej Tij.

Në qoftë se do të shikonim me kujdes tek letra e apostullit Pal drejtuar Galatasve 5:22, aty janë renditur me radhë dhe bukur frytet e Frymës, dhe po aty kemi të renditur në fund edhe “*vetëpërmbajtjen” si fryt të Frymës.
Nga përkthimi shqip-shqip siç e pamë të detajuar më lart, brenda “të druajturit”, bën pjesë dhe “të vetëpërmbajturit”. Dhe kjo, si pjesë ose degë përbërëse e “druajtjes”.

-E duam Krishtin sepse na deshi i pari. Dhe duam t’i shërbejmë Atij, por jo me mënyrat që duam ne ose që na vijnë më për shtat, por ashtu siç fjala e Tij mëson dhe na propozon. Do të thoshim se mund të shpreheshin në këtë gjuhë fëmijët e vërtetë dhe të pastër të Perëndisë, ata që “e druajnë” me të vërtetë Atë.

Për të tillë “druajtje” na flet dhe bën fjalë dhe Shkrimi i shenjtë i Perëndisë i cili na mëson për një sjellje me “druajtje” ndaj njëri-tjetrit dhe me nënshtrim nën “druajtjen” e Perëndisë. Duke ecur me një sjellje të shenjtë dhe të pastër poshtë syve të pastër të Perëndisë.
(Efes 5:20-21).



-Njerëzit që e pranuan larjen dhe pastrimin me gjakun e çmuar të Krishtit derdhur në Kryqin e Golgotës posaçërisht për mëkatet e tyre, janë tashmë të shenjtë. Janë të tejpastër. Dhe i përkasin Perëndisë. Bëjnë pjesë në Perëndinë. Dhe jetojnë për Perëndinë.
Janë të shenjtë dhe të tejpastër sepse i përkasin një Perëndie të shenjtë dhe të tejpastër gjithashtu.
-Ata ecin si përballë Perëndisë.
-Mendojnë si përballë Perëndisë.
-Flasin si përballë Perëndisë.
-Bëjnë një jetë si përballë Perëndisë. Dhe Perëndia shikon zemrat e tyre.

-Kjo do të thotë të ecësh duke “druajtur” Perëndinë thellë në zemrën tënde.
Të shkosh në prani të Perëndisë me nderim, respekt dhe mirënjohje të thellë në zemrën tënde, sepse Ai kreu me anë të veprës së Birit të Tij në sakrificën e Kryqit të Golgotës për ty atë që për ne ishte e pamundur.

Tek Psalmi 49:7-9, na bëhet e qartë se atë që ishte e pamundur për ne, e bëri Perëndia të bëhej për ne. Dhe tek letra e parë drejtuar Korintasve 1:30 na thuhet se:
“Por prej Tij, (pra, prej Perëndisë Atë), ju jeni në Krishtin Jezus, i cili po nga i njëjti Perëndi u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim”.
Pra atë që ishte e pamundur për njerëzit është e mundur për Perëndinë. Dhe për këtë e duam Atë, sepse Ai na deshi i pari. Për këtë dhe e nderojmë Atë dhe gjakun e Tij, sepse shikoi i pari gjendjen tonë të mjeruar në mëkat dhe në humbje të përjetshme, dhe bëri drejtësi duke na pajtuar me veten e Tij me anë të gjakut të Birit të Tij, Krishtit tonë. Dhe pikërisht për këtë vijmë me nderim dhe respekt në zemër, përpara Kryqit të Tij, duke i ofruar Atij flijimet e lëvdimit të zemrës sonë, me mirënjohje, përulësi dhe shenjtëri. Dhe sepse i kushtoi shumë shtrenjtë Perëndisë çmimi i shpengimit tonë.

-Në këtë optikë dhe këndvështrim frymor duhet ta shikojmë gjithnjë fjalën “druajtje”.
Të stepesh ndaj mëkatit! Të tërhiqesh! Të ngurrosh! Sepse druajmë Perëndinë! Ke pranuar ftesën e Tij në zemrën tënde. I hape dyert e zemrës tënde kur Ai të trokiti. Iu përgjigje ftesës së dashurisë së Tij. Dhe pikërisht me këtë dashuri me të cilin më deshi, Ai fitoi zemrën time. Dhe nuk e fitoi atë me ar, as argjend, as me flori, me asnjë prej këtyre gjërave, por e fitoi zemrèn tonë me gjakun e shtrenjtë të Birit të Tij, derdhur për mua dhe ty atje lart mbi shkëmbin e Golgotës. Dhe për këtë stepem ose stepemi, dhe ngurroj të bëj të keqen. Ngurroj për ta bërë atë, dhe nuk dua të bëj atë që më pëlqen. Tashmë i përkas Atij të cilit i dhurova zemrën, të cilën ma lau dhe ma pastroi me gjakun e Qengjit në kryq, duke më vënë në një raport të drejtë përpara Atit të Tij të Shenjtë, dhe tashmë “druaj Perëndinë” dhe e nderoj me jetën time sakrificën dhe gjakun e çmuar të Krishtit tim.

-Mirë èshtè t’i dish këto gjëra, por të bekuar dhe të lumur janë ata që i jetojnë në jetën e përditshme duke i përvetësuar ato gjithnjë e më shumë në jetët e tyre.
Tjetër gjë është thjesht t’i dish këto gjëra dhe të entuziasmohesh, dhe tjetër gjë është që t’i bësh pjesë të jetës tënde frymore, pra, t’i huazosh ato!



Shkojmë tek fJALA “frikë”.

“Frikë”
Fjalë për fjalë në shqip do të thotë: 1) Një ndjenjë shqetësimi të thellë kur jemi para një rreziku, para një fatkeqësie. Themi psh: Ai ka frikë! I hyri (e zuri) frika! Diku themi: Ia ka frikën atij! I trembet atij. Ka frikë nga hija e vet! Eshtë një frikacak i madh! Dridhej nga frika!
I trembet diçkaje, i druhet diçkaje.

2) Pasiguri; dyshim. Ka frikë se mos nuk e bën dot diçka.
Dikush mund t’i thotë dikujt tjetër psh: Shko pa frikë pa asnjë ngurrim!

“Frikësoj”
I fut frikën dikujt, e tremb dikë.

I lumur është ai që ia ka frikën Perëndisë dhe i druhet Atij në të gjitha gjërat që thotë dhe bën në jetën e përditshme.

Diku tek Fjalët e Urta na thuhet se:

“Frika e njeriut përbën një lak, por Ai që ka besim tek Zoti është i siguruar”.
-Fjalët e urta 29:25

-Paskërka edhe frikë njerëzore por ekziston edhe frika ndaj Perëndisë. Frika ndaj Perëndisë është e barabartë dhe konsiston në druajtje, nderim, dhe respekt me gjithë zemër ndaj Tij dhe përpara Tij.
“Frika e Zotit të çon në jetë, kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe”.
-Fjalët e urta 19:23-

-Frika ekziston sepse Perëndia ekziston.

“Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin”
-Fjalët e urta 1:7-

“Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e Tij”
Psalmi 111:10

“Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej Tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e Tij”
-Psalmi 147:11-

-Frika ndaj Perëndisë konsiston në nderim me përulësi përpara Tij.
Ndërsa “frika” njerëzore është dhe mbetet ajo natyrorja, mishorja, njerëzorja.

-Frika ndaj një provimi, frika ndaj një marrëdhënieje që po pëson krisje, frika se ç’do të hajë nesër një i varfër për drekë, frika e pasigurisë për jetën, frika ndaj ushqimeve të helmuara dhe të pa kontrolluara, frika e humbjes së vendit të punës, frika e ndonjë tërmeti, ose një tsunami, frika se mos vjen një person i padëshiruar në shtëpi, frika se mos i bërtet mamaja ose babai, frika e dështimit të një plani, frika ndaj një divorci, frika e pësimit të ndonjë aksidenti gjatë një udhëtimi, frika ndaj një personi që ushtron dhunën, frika ndaj vdekjes dhe se ç’do të ndodhë pas saj, frika ndaj fundit të botës, frika e një familjeje e cila ka dërguar të birin e saj me mision ushtarak në Irak. Frika e shpërthimit të ndonjë bombe nëpër stacionet e trenave dhe në metro.

-Familja e Klementina Kantonit (misionare e një organizate bamirëse që operonte në Afganistan), ishte e frikësuar për të sepse kishte rënë në duart e disa rrëmbyesve dhe ekzistonte frika se mos e vrisnin. Frika dhe ankthi i tyre u rrit edhe më shumë kur e panë atë në televizor në mes dy afganëve me fytyrë të mbuluar të cilët ia kishin drejtuar armët mbi kokë. Atë së shpejti e liruan falë ndërhyrjeve të qarqeve politike afgane. Pra, përpara lirimit të saj, familja përjetonte “frikën” dhe ankthin se ç’do të bëhej me vajzën e tyre.
Kjo është pra frika njerëzore!

-Kohët e fundit po ndiqja në televizor një kronikë tragjike e cila bënte fjalë për një djalë të ri i cili preferoi të vetëvritej për arsye se nuk mund t’i dilte përpara të atit të tij nga që i kishte dëmtuar makinën gjatë një aksidenti të lehtë. Ai preferoi të vdiste sesa t’i dilte të atit përpara. Pra kishte shumë frikë nga i ati. Ndoshta kjo kishte ndodhur dhe disa herë të tjera, bënin të ditura burimet e lajmeve, por kësaj here ai kishte preferuar të hidhej nga një urë e lartë në një lumë me ujë të cekët sesa t’i dilte përballë të atit me makinën e dëmtuar sërish. Dhe bëhej fjalë për një djalë me moshë madhore.
Tragjedi! Frikë njerëzore!

-Do të mund t’i rendisnim kështu me radhe dhe do të mund të bënim një listë të gjatë të frikës njerëzore po të vazhdonim më tej.

-Por njeriu besimtar këtu ftohet që të druajë Perëndinë. Me nderim, respekt dhe përulësi. Të ketë frikë prej Tij.
Këtë karakteristikë dhe element të veçantë e bën dhe e skalit brenda njeriut besimtar Fryma e Shenjtë, nëpërmjet Gjakut të Kryqit. Kjo është mrekullia që Perëndia bën me njeriun besimtar, (nëse ky i fundit gjithnjë do ta lejojë Atë që të punojë brenda tij me fuqi e shenjtëri) dhe ky është sekreti: Të lejosh Atë të punojë në sjelljen tënde, në të folurit tënd, në të menduarit tënd, në të veshurit tënd.
-Një herë një shërbëtor i Perëndisë shprehej duke thënë se; Vishemi si i pëlqen botës,.. Zhvishemi si i pëlqen botës!

-Por me fëmijët e Perëndisë nuk duhet të ndodhë kështu. Jetojmë në botë por nuk jemi si ata, as nuk kemi të bëjmë fare me sjelljet, veshjet, mendimet e tyre, mentalitetet dhe mënyrat e tyre të jetesës. E kemi përmendur dhe e themi sërish këtë: Mjerë nëndetësja nëse uji i hyn brenda!! E pra, një fëmijë i Perëndisë është një nëndetëse. Një fëmijë i Perëndisë druhet prej Tij, stepet, tërhiqet për të mos rënë në kurthin e gabimit. Nuk flet përçart dhe pa i matur fjalët. Një fëmijë i Perëndisë vetëpërmbahet dhe është i kujdesshëm sepse jeton nën ndikimin dhe kontrollin e Frymës së Shenjtë. Dhe kjo sepse e do Perëndinë dhe e druan Atë!

Dhe bashkë me këtë Ai vendos në zemrën tonë edhe këtë: -Atë që Ti do, dhe jo atë që dua unë!.
Janë bashkë këto! Renditen së bashku, qëndrojnë brenda njëra-tjetrës. Nuk mund t’i ndajmë. E nderojmë Krishtin dhe gjakun e Tij jo vetëm me moralin e Tij që Ai vetë e vendosi brenda nesh, por edhe me veshjen tonë. Dhe kjo sepse jetojmë brenda familjes së Perëndisë, dhe nuk duam të lëmë shkas përfoljeje për ndokënd, përkundrazi, të përlëvdohet Perëndia, dhe Shpenguesi ynë i shtrenjtë Krishti, në çdo gjë që bën pjesë në jetën tonë.

Nënvizoj!
-“Druajtja” ka të bëjë me nderimin, respektin dhe përuljen me nënshtrim të plotë ndaj Perëndisë së Shenjtë. I cili duhet të jetë edhe pozicioni ynë përpara Tij. Dhe brenda nderimit, respektit, dhe përuljes pèrballè Tij, hyjnë dhe bëjnë pjesë edhe detajet praktike që shtjelluam më lart. Dhe për t’i kuptuar më mirë këto detaje bëjmë pyetjen: E do Krishtin?! Dhe përgjigjemi me druajtje dhe përulesi -po e dua! Dhe le të analizojmë se sa e duam dhe qysh e duam dhe në ç’nivel frymor e duam Atë. Gjykojeni vete!

-Brenda “druajtjes” ekziston dhe “frika” ndaj Perëndisë.
Thamë më lart se: këtë nuk mund ta bëj sepse është dikush nga lart që më vëzhgon në çdo gjë që bëj, mendoj, dhe them. Kjo duhet të ekzistojë brenda nesh, përndryshe bëhemi të shfrenuar dhe të pandjeshëm në diskutimet që kemi së bashku. Humbasim kthjelltësinë e të qënit të ndjeshëm në marrëdhëniet e përditshme me njëri-tjetrin. Dhe këtë e shohim në marrëdhëniet vëllazërore kishtare sesi rrjedhin më tej…
-Këto dy folje me kuptimet e tyre të përafërta dhe të ndërthurura brenda njëra-tjetrës, duan të na mësojnë në lidhje me respektin, nderimin, qëndrimin dhe adhurimin tonë përpara Perëndisë. Dhe ky kënd optik është dhe mbetet pozicioni ynë frymor përpara një Perëndie të shenjtë.

Diku Perëndia vetë shprehet duke thënë: “Unë nderoj ata që më nderojnë”. Kë do të nderojë pra Perëndia? Atë që e nderon dhe i druhet Atij! (1 Samuelit 2:30 b)
Veçse duhet të dimë sesi t’i përdorim këto fjalë siç duhet. T’i rendisim ato me rregull.
- Mund të themi se janë të lidhura bashkë këto. Janë të gërshetuara e të ndërthurura brenda njëra-tjetrës.
Nuk mund t’i ndajmë. Dhe do t’i interpretojmë ashtu në kuptimin e duhur. Dhe do t’i jetojmë. Do t’i përvetësojmë në jetën tonë dhe Perëndia për këtë do të na ndihmojë dhe do të japë fuqi me anë të Frymës së Tij që banon në ne.
Ai di! Do! Dhe Mundet ta bëjë këtë në jetën tonë!

-Kur kam qenë i vogël mbaj mend se kam pasur frikë. Frikë që të dilja vetëm në rrugë. Frikë nga errësira.
Ose kur bëja diçka të keqe ose një veprim që nuk duhej ta bëja, kisha frikë, druhesha. Frikë nga dikush që më vëzhgonte nga lart. Dhe ky ishte Zoti për të cilin dëgjoja nga goja e njerëzve dhe të afërmve që hynin e dilnin në familjen time. Për çdo gjë të keqe që bëja ngrija sytë lart për nga qielli për të parë, dhe mendoja ashtu me mendimet e një fëmije të vogël se këtë që bëra, Zoti që ndodhet atje lart, do të ma shfaqë një ditë përpara një ekrani të madh, si ai ekrani i madh i kinemasë.

Do të më shfaqë çdo gjë!… Pa më fshehur asgjë!

Ky mendim qëndronte gjithnjë në mendjen time! Dhe frika pushtonte zemrën time.

Vazhdoja të rritesha, dhe ndryshoja në mendime dhe këndvështrime. Gjersa erdhi momenti që ky Perëndi prej të cilit kisha frikë, do të prezantohej me mua, në një mënyrë që as vetë nuk e dija.
Kuptova se Ky Zot kishte dërguar Qengjin e Tij nga qielli i cili vdiq duke marrë vendin tim atje lart në Kryqin e Golgotës. Kuptova se gjaku i Tij do të merrte përsipër të shuante të djeshmen time, do të merrte përsipër të tashmen, dhe do të më garantonte të ardhmen.

-Kishte ardhur koha që t’i dorëzohesha Atij dhe fuqisë së gjakut për faljen e mëkateve të mia, në mënyrë që kur të ndodhesha në prani të Tij, e djeshmja ime të mos shfaqej më atje në atë ekranin e madh, si ekrani i një kinemaje. Dhe të ndjeja më pas turpin dhe frikën ndaj gjykimit të Tij për dënim të përjetshëm.
E pranova! U përula me falënderim. Dhe tashmë bëj pjesë në Të. Jam i Tiji! E lejova Atë që të bëhej timonieri i jetës së vështirë që shtrihej përpara meje si një oqean i pafund!

Dhe atë “frikë” dhe “druajtje” që kisha kur isha i vogël, e ushtroj përpara Perëndisë duke ardhur përballë Tij me nderim, përulje, respekt ndaj veprës së Krishtit tim në Kryqin e Golgotës, duke iu nënshtruar Atij me druajtje Krishti, përulësi Krishti, nderim prej Krishti, dhe thjeshtësi Krishti.
Tashmë e djeshmja ime është shuar nën fuqinë e gjakut të Kryqit. Dhe falë Atij jetoj jo më për veten time por për Të, duke i pëlqyer Atij në çdo gjë dhe në të vërtetë.

“Sepse unë u kryqëzova bashkë me Krishtin, dhe nuk rroj më unë por Krishti rron në mua; dhe kjo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua”.

Perëndia t’ju shenjterojë, sepse duke ju shenjtëruar do të mund t’ju bekojë!


per autorin: