Studim mbi Letren e II te Gjonit [1]



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 19.01.2007

Pjesa 1
2 Gjonit :1-3

Parathënie
Shumica e anëtarëve të kishës së hershme ia atribuan këtë letër apostullit Gjon, i cili mund të ketë qenë i thyer në moshë, në kohën e shkruarjes së saj (viti 90-95, pas Krishtit). Fjala “plaku” nuk i referohet moshës së Gjonit, por mënyrës së respektit që tregonte kisha ndaj tij. Në këtë periudhë, Gjoni ishte i vetmi apostull që kish mbetur gjallë, nga ata që e kishin parë Zotin Jezus Krisht me sytë e tyre. Është interesante të vërehet se ai nuk e konsideron veten si kreu i apostujve, por me përulësi, thotë se ai është njëri prej tyre. Gjoni shërbeu në kishat përreth Azisë së Vogël, ku përfshiheshin, pa dyshim, edhe shtatë kishat e përmendura tek Zbulesa.

Letra e Dytë e Gjonit është një letër më personale sesa e Para, edhe pse ajo trajton shkurtimisht disa nga çështjet e përmendura tek Letra e Parë. Nuk është një letër e përgjithshme, por i drejtohet vetëm një kishe.

Zonja e zgjedhur dhe bijtë e saj
“Plaku; zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj që i dua në të vërtetë, dhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që e kanë njohur të vërtetën” (2 Gjonit:1).

Siç e përmendëm edhe më lart, “plaku” është vetë Gjoni. Disa e kanë përdorur fjalën e këtij teksti për të mbështetur idenë e qeverisjes së kishës me anë të “pleqve”, por Gjoni nuk po thotë se ai ka ndonjë pozitë drejtuese në këtë kishë. “Zonja e zgjedhur” nuk do të thotë pastorja femër, siç sugjerojnë disa. Përkundrazi, kjo shprehje përdoret për kishën lokale. “Bijtë” janë anëtarët e kishës në fjalë. Fjala të “zgjedhur” tregon se anëtarët e kësaj kishe nuk pranonin që ta kompromentonin të vërtetën. S’ka dyshim se ata që janë të “zgjedhur”, e mbrojnë të vërtetën biblike dhe e vënë në praktikë shenjtërinë vetjake dhe dashurinë e vërtetë kristiane! “Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë. Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës! Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja! Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij” (Kolosianëve 3:12-17).

Këtë kishë e donin shumë; në fakt, ajo i linte mbresa të pashlyera kujtdo që binte në kontakt me të. Kjo dashuri e krishterë bazohej fuqimisht tek e vërteta. Kjo dashuri për të vërtetën është themeli i vetëm për unitet mes kishave, sepse kjo dashuri duhet të jetë faktori i përbashkët, që i lidh së bashku të gjitha kishat, që besojnë tek Bibla.

E vërteta e përjetshme
“Për shkak të së vërtetës që qëndron në ne dhe do të jetë me ne përjetë” (2 Gjonit:2).

 Gjoni nuk e donte këtë kishë thjesht si kishë, por e donte “për shkak të së vërtetës”. Gjon Uesli e përshkruan këtë dashuri si “një princip të gjallë besimi dhe shenjtërie” (shkëputur nga libri: “Shënime mbi Dhiatën e Re”). Duke përdorur shprehje të njëjta, apostulli Pal tregon se si ai dha gjithçka që kishte, ndërkohë që u shërbente të tjerëve: “Dhe këtë e bëj për hir të ungjillit, që të bëhem edhe unë pjestar i tij” (1 Korintasve 9:23). “Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit” (2 Korintasve 4:5).

Gjoni nuk ishte si një ungjilltar rrugësh, që predikonte tek një kishë dhe kur largohej prej saj, nuk kujtohej nëse ajo kishë egzistonte apo jo. Ashtu siç e vërteta e Perëndisë është gjithmonë me ata që e duan fjalën e Tij, ashtu e donte edhe Gjoni kishën. Si mund të ketë unitet, po qe se ky nivel i dashurisë për të vërtetën nuk duket qartë në zemrat e atyre që e quajnë veten të krishterë? “A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë?” (Amosi 3:3) “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri” (Kolosianëve 3:16). Ata që e kanë këtë dashuri për të vërtetën, e vërtetojnë se ata janë me të vërtetë bijtë e Perëndisë: “Jeni ringjizur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë dhe që mbetet përjetë” (1 Pjetrit 1:23).

Në të vërtetë dhe në dashuri    
“Hiri, mëshira dhe paqja qofshin me ju nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht, Biri i të Atit, në të vërtetë dhe në dashuri” (2 Gjonit :3).

Vini re shprehjet që përdor Gjoni tek tre vargjet e para: “I dua në të vërtetë”, “Ata që e kanë njohur të vërtetën”, “Për shkak të së vërtetës” dhe “Në të vërtetë dhe në dashuri”. A nuk theksohet këtu rëndësia e së vërtetës në mes të kishës lokale? Është e vërteta ajo që sjell dashurinë.

E vërteta dhe dashuria janë themeli për hirin, mëshirën, dhe paqen mes nesh. Po qe se këto cilësi nuk vërehen tek një kishë, atëherë kjo është provë se në atë kishë nuk ka as dashuri për të vërtetën, as unitet të vërtetë të krishterë. Kishat që kanë kërkuar të kenë unitet në kurriz të së vërtetës, thjesht kthehen në klube humanitare dhe shoqërore, ku ndjenjat gabimisht konsiderohen si dashuri. E vetmja rrugë përmes së cilës mund të arrijmë unitet, është rruga e të ecurit në të vërtetën. “Derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit, që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit, por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti. Prej të cilit gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar, me anë të kontributit që jep çdo gjymtyrë dhe sipas forcës së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri” (Efesianëve 4:13-16).

Hiri, mëshira dhe paqja janë cilësi të Atit Perëndi, Atit Bir dhe Atit Frymë e Shenjtë. Nëse duam që të jemi një me Perëndinë, atëherë na duhet që t’i kemi edhe këto cilësi: “Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin” (1 Gjonit 1:3).  

Përfundim
Në mënyrë që një kishë të përbëhet me të vërtetë nga “të zgjedhurit”, atëherë duhet që të egzistojnë bashkarisht dhe në mënyrë të përsosur si dashuria, ashtu edhe e vërteta. Janë këto gjëra ato që e lartësojnë kishën e vërtetë kristiane dhe e bëjnë atë të dallohet nga kishat e tjera të rreme. 

Nga: Pastor Gary J. Hall 

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net