Studim mbi Letren e II te Gjonit [4]



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 19.01.2007

Pjesa 4
2 Gjonit :8-13

Parathënie
Jetojmë në një epokë kur fjala kyçe për të pasur unitet mes njerëzve është ‘toleranca’. Por, a nuk është kjo fjalë thjesht një parullë, që mbulon kompromisin dhe uljen e vlerës së të vërtetës biblike? Ç’rezultat ka arritur ‘toleranca’, përveç faktit se e ka çarmatuar kishën, duke ia hequr fuqinë që ia kishte dhënë Perëndia? Në shek. I (pas Krishtit), disa kisha kishin bërë kompromis me mësuesit e rremë dhe pasojat e këtij kompromisi ishin të dukshme.

Humbja
“Bëni kujdes se mos humbni frytin e gjërave të kryera, por bëni në mënyrë të merrni një shpërblim të plotë” (2 Gjonit: 8).

Nuk ka dyshim se në këtë tekst, Gjoni nuk po bën fjalë për humbjen e shpëtimit, por, përkundrazi, duket sikur ai e përqëndron diskutimin e tij tek humbja e shpërblimeve. Ata që e kompromentojnë sadopak të vërtetën, do ta humbasin shpërblimin e plotë. Një besimtar mund të ketë bërë shumë vepra të mrekullueshme për Zotin dhe në fund, e humb shpërblimin, sepse e holloi (ose e dobësoi) dhe e nënvlerësoi fjalën e Perëndisë. Nuk ka rëndësi vetëm fillimi i jetës sonë të krishterë, por edhe mbarimi i saj. “Shpërblimi i plotë” iu jepet vetëm atyre, që e duan dhe i shërbejnë me të vërtetë Zotit “me gjithë zemrën [e tyre], me gjithë shpirtin [e tyre], me gjithë forcën [e tyre] dhe me gjithë mendjen [e tyre]” (Luka 10:27).

Apostulli Pal thotë se ata që ndjekin rrugë jobiblike, do ta humbasin shpërblimin: “Sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti. Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë, vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është. Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim, në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit” (1 Korintasve 3:11-15). Ata që bëjnë edhe më shumë kompromis, p.sh. kur e shtrëmbërojnë Biblën sipas qejfit, do ta humbin shpëtimin: “Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t’i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër” (Zbulesa 22:19).

Mëkati dhe kompromisi
“Kushdo që shkon tej dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ka Atin dhe Birin” (2 Gjonit: 9).

Kompromentimi i fjalës së Perëndisë mund të vijë si rezultat i mëkatit në jetën e mësuesit të rremë. Ky mësues do t’i ndryshojë doktrinat e Krishtit si pretekst për ta larguar vëmendjen e botës nga gabimet e tij. Ata që mëkatojnë, mund të vijnë tek Krishti për të gjetur falje: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9). A nuk është gjë inkurajuese, kur shohim se Gjoni nuk e ngriti veten lart, ashtu siç e ngrinin mësuesit e rremë? Vini re se ai e përdor foljen në vetën e parë shumës (“rrëfejmë”). Ata që mësojnë doktrina në kundërshtim me Biblën, e lartësojnë veten dhe lënë të kuptohet se janë pa mëkat: “Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne” (1 Gjonit 1:10). Këta njerëz nuk qëndrojnë as në të vërtetën, as në Krishtin, prandaj ata nuk e kanë Perëndinë në jetën e tyre.

Heqja dorë nga besimi në Krishtin nuk vjen vetëm si rezultat i besimit në doktrina të rreme, por gjithashtu edhe nga të praktikuarit e këtyre doktrinave. Ajo që besojmë, transmetohet në jetën tonë të përditshme. Ata që qëndrojnë në doktrinat e Krishtit pa devijuar prej tyre, ata e kanë edhe Atin, edhe Birin. “Kushdo që mohon Birin, s’ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin. Ajo që ju, pra, dëgjuat nga fillimi le të qëndrojë në ju; në qoftë se ajo që dëgjuat nga fillimi qëndron në ju, edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin. Dhe ky është premtimi që ai na bëri: jeta e përjetshme” (1 Gjonit 2:23-25). Kjo marrëdhënie me Perëndinë nuk arrihet me anë të të zbatuarit të besimit në mënyrë fetare, por arrihet nëpërmjet bindjes ndaj fjalës së gjallë të Perëndisë.

Pa kompromis
“Në qoftë se dikush vjen tek ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni, sepse ai që e përshëndet bëhet pjestar në veprat e tij të liga” (2 Gjonit: 10-11).

Besimtarët nuk duhet t’i përkrahin në asnjë lloj mënyre mësuesit e rremë, madje as t’i përshëndesin në emrin e Perëndisë, as t’i ftojnë për vizitë në shtëpitë e tyre. Po t’i inkurajosh sadopak këta mësues, atyre iu duket se ti je dakort, si me mësimet e tyre jobiblike, ashtu edhe me veprat e tyre të liga. Nëse kemi shoqëri me ta, atëherë jemi në rrezik të së mashtruarit prej tyre: “Ju shkrova këto gjëra për ata që kërkojnë t’ju gënjejnë” (1 Gjonit 2:26). Sidoqoftë, s’kemi nevojë fare që të marrim mësim prej tyre: “Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi” (1 Gjonit 2:27). Shprehja ‘pa kompromis’ mund të duket e ashpër në klimën shpirtërore të ditëve të sotme, por të mos-kompromentuarit është i domosdoshëm për mbrojtjen e Ungjillit.

Lamtumirë
“Megjithse kisha shumë gjëra për t’ju shkruar, nuk desha ta bëjë me letër dhe bojë, por shpresoj të vij te ju dhe t’ju flas me gojë, që gëzimi juaj të jetë i plotë. Bijtë e motrës sate të zgjedhur të përshëndesin. Amen” (2 Gjonit: 12-13).

Gjoni kishte dëshirë ta shihte e t’i bënte një vizitë kësaj kishe, prandaj edhe i shkroi vetëm një letër të shkurtër. Nëpërmjet vizitës së tij personale, ai kishte për qëllim që të mblidhej bashkë me anëtarët besnikë të kësaj kishe dhe t’ua shpjegonte më në detaje ato që iu kishte shkruar.

Përfundim
Kompromisi [toleranca] mund të jetë në modë, por nuk është në Bibël. Kisha e ditëve të sotme e ka nxjerrë jashtë Krishtin, duke u përpjekur që t’u përshtatet mësimeve të ndryshme të njerëzve. Gjendja e mjeruar e të ashtu-quajturit ‘krishtërim’ sot është si rezultat i menjëhershëm i mbjelljes së farës së gabimit brenda fjalës së Perëndisë. Shumë të krishterë janë analfabetë rreth Biblës së Shenjtë dhe kjo vihet re në praktikë. Ata që nuk e nderojnë të vërtetën, nuk e vënë atë në praktikë, por ata që iu besojnë mësimeve të gabuara, jetojnë jetë mëkatare.


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net