Studim mbi Letren e II te Gjonit [3]



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 19.01.2007

Pjesa 3
2 Gjonit :7

Parathënie
Të rezistuarit ndaj mësuesve të rremë dhe doktrinave të tyre të rreme është po aq i rëndësishëm sot, sa ç’ishte edhe në shekullin e parë (pas Krishtit). Në këtë studim, Gjoni nuk ia kushton shumë vëmendjen mësimeve të fesë pagane, por përkundrazi, ai bën fjalë për diçka akoma më të rëndësishme. Gjithmonë kanë egzistuar ata, që e kanë shtrembëruar fjalën e Perëndisë, me qëllim që t’i gënjejnë besimtarët. Në vargjet e fundit të kësaj letre (të 2 Gjonit), Gjoni bën dallimin mes të vërtetës dhe gabimit, por në vargun 7, ai vë në dukje doktrinën më themelore nga të gjitha doktrinat: personifikimin (ose ardhjen në mish) të Krishtit.

Shumë mashtrues
“Sepse në botë kanë dalë shumë mashtrues, të cilët nuk rrëfejnë se Jezu Krishti ka ardhur në mish; ky është mashtruesi dhe antikrishti” (2 Gjonit: 7).

Kisha, së cilës po i shkruante Gjoni, duhej të kishte pasur kontakt me Gnostikët (mësuesit e rremë të shek. I). Prandaj, Gjoni e inkurajon këtë kishë që të vazhdojë t’iu rezistojë atyre. Nëse në shek. I kishte “shumë mashtrues”, në ditët e sotme ka edhe më shumë! Por, pak rëndësi ka se sa mësues të rremë egzistojnë, shumë apo pak. Ajo që ka rëndësi, është fakti se ne duhet t’iu përgigjemi të gjithë atyre në të njëjtën mënyrë. E vërteta duhet të trimfojë gjithmonë mbi gabimin. “Vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi” (1 Gjonit 2:27). Ata që e mohojnë faktin se Krishti është Perëndi, nuk mund të shpëtohen: “Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh” (Romakëve 10:9).

Vini re se sa shpejt gabimi zë vend në kishë! Kisha (e parë e krishterë) kishte vetëm 60 vjet që ishte formuar, por menjëherë ajo u sulmua, jo vetëm nga Roma dhe Jeruzalemi, por nga brenda për brenda saj. Kështu pra, ne mund ta kuptojmë arsyen pse kisha e hershme mendonte se botës po i afrohej fundi: “Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit” (1 Gjonit 2:18).

Mos rrëfimi
Mësuesit e rremë kishin një pikëpamje jo-biblike rreth Krishtit. Ata e konsideronin Jezusin thjesht si njeri të vajosur nga Perëndia, por jo si të Vajosurin e dërguar nga Ati. Shpeshherë, Gjoni i kishte quajtur këta mësues gënjeshtarë dhe mashtrues: “Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti? Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin. Kushdo që mohon Birin, s’ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin” (1 Gjonit 2:22-23)… “Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë. Nga kjo mund të njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia. Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; dhe kjo është fryma e antikrishtit që, siç e keni dëgjuar se vjen; dhe tashmë është në botë” (1 Gjonit 4:1-3). Ta mohosh Jezusin, është njësoj sikurse ta mohosh Perëndinë: “Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filipianëve 2:9-11).

Këta mësues të rremë ishin paraardhësit e Dëshmitarëve të Jehovait dhe të të gjithë atyre, që e mohojnë Krishtin si Zot dhe e hedhin poshtë Trinitetin. Ata e mohojnë të vërtetën se Jezusi erdhi në mish (në formë trupore, si njeri), d.m.th. se Ai erdhi nga Qielli dhe u lind nga Maria. Ata e mohojnë të vërtetën se Jezusi ishte dhe mbetet i barabartë me Atin. Ata e mohojnë të vërtetën se Jezusi ishte Perëndi dhe i vetmi Shpëtimtar. Si duhet t’iu përgjigjemi ne këtyre njerëzve? Thjesht, duhet të mbajmë mend se e kemi, si Atë (Zotin), ashtu edhe të vërtetën për vete: “Ju jeni prej Perëndisë, o djem të rinj, dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë” (1 Gjonit 4:4)… “Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur nga Perëndia; dhe kushdo që do atë që e ka ngjizur, do edhe atë që ka qenë ngjizur nga ai” (1 Gjonit 5:1). Duhet të vazhdojmë t’ua tregojmë atyre të vërtetën ashtu siç është.

Antikrishti
Shumica e të krishterëve kanë lexuar dhe kanë dëgjuar rreth Antikrishtit të fundit të epokës, i cili do të vijë në botë. Por ka shumë pak besimtarë, që e vërejnë shpirtin e antikrishtit tek vepron brenda kishës së tyre. Fara e ligë u mboll rreth 2000 vjet më parë dhe, pak nga pak, asaj po i vjen koha për të dhënë fryte. Gjoni nuk e quan mësuesin e rremë të shek. I “Antikrishti”, por “një antikrisht”. Antikrishti i ditëve të fundit të botës pritet të hyjë në skenë: “Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të, të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit. Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi” (2 Thesalonikasve 1:4). Në fakt, të gjithë mësuesit e rremë, duke përfshirë këtu edhe udhëheqësit e fesë pagane, bëjnë punën e Antikrishtit dhe po përgatisin rrugën për ardhjen e tij. Ai e ka patur ftesën për të ardhur në botë që në shek. I pas Krishtit.

Përfundim
Kushdo që e mohon të vërtetën, përbëhet nga i njëjti brum si edhe Antikrishti. Të gjithë këta njerëz janë armiq të Krishtit dhe të Biblës : “Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit” (Filipianëve 3:18). Fjalët e tyre janë shumë të rrezikshme dhe të liga, sepse ata flasin për hir të djallit. Këta antikrishta të vegjël mund të munden me të njëjtën mënyrë me të cilën kisha e vërtetë e ditëve të fundit do të triumfojë mbi mashtruesin përfundimtar: “Dhe ata e fituan atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje” (Zbulesa 12:11).


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com