Studim mbi Letren e II te Gjonit [2]



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 19.01.2007

Pjesa 2
2 Gjonit :4-6

Parathënie
Në këtë pjesë studimi, Gjoni na tregon rëndësinë e të ruajturit të së vërtetës brenda për brenda kishës lokale. Po të mos mbrohet e vërteta biblike, atëherë, shumë shpejt, gabimi do t’ia zërë vendin asaj, dhe si papritur, ky gabim do të besohet në vend të së vërtetës. Në këto vargje, apostulli bën dallimin mes të vërtetës dhe gabimit, dashurisë dhe urrejtjes, si edhe mes kishës dhe botës.

Mësimi që jepet në këto pak vargje, na shfaq arsyen pse të krishterët, si në mënyrë individuale, ashtu edhe si kishë, duhet të vazhdojnë t’i binden Perëndisë, duke praktikuar të vërtetën në jetën e tyre të përditshme. Ne duhet t’i rezistojmë çdo lloj mësuesi dhe mësimi të rremë, që e shtrembëron sadopak fjalën e Perëndisë.

Të ecurit në të vërtetë
“U gëzova fort që gjeta disa nga bijtë e tu duke ecur në të vërtetën, sipas urdhërimit që morëm nga Ati” (2 Gjonit: 4).

Ç’do të thotë shprehja “të ecësh në të vërtetën”? A nuk do të thotë, vallë, që ta praktikosh të vërtetën në jetën e përditshme? E vërteta nuk është diçka që vetëm besohet, por ajo përfshin edhe vënien e saj në praktikë. Kjo shprehje është njësoj si të “ecim në dritë” (1 Gjonit 1:7), dhe të ecim “në druajtjen e Zotit” (Veprat e Apostujve 9:31). Patjetër që kjo është mënyra, me të cilën ecim “sipas Frymës” dhe nuk përmbushim “dëshirat e mishit” (Galatasve 5:16). Prandaj, të ecësh në të vërtetën, do të thotë të jetosh sipas fjalës së Perëndisë dhe t’i dorëzohesh Frymës së Shenjtë. Një bindje e tillë ndaj fjalës së Perëndisë i dha shkak Gjonit që të gëzohej.

Shenjtëria nuk është një vendim i yni, por është një urdhërim prej Perëndisë. “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15)… “Por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë” (1 Pjetrit 1:15-16). A nuk do të thotë kjo se ata që janë vetëm “dëgjues” të së vërtetës, por jo “bërës” të saj, në fakt nuk jetojnë sipas së vërtetës? “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten” (Jakobi 1:22). Nga ana tjetër, “ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet” (Jakobi 1:25). Vini re se si Jakobi e lidh bërësin “e fjalës” me “bërësin e veprës”. E vërteta që është brenda nesh, duhet të manifestohet në jetën tonë të përditshme.

Jo një zbulim i ri
“Dhe tani të lutem ty, zonjë, jo sikur po të shkruaj një urdhërim të ri, por atë që kishim pasur nga fillimi, që ta duam njëri-tjetrin” (2 Gjonit: 5).

Gjoni po ia kujtonte kësaj kishe se dashuria për njëri-tjetrin nuk ishte një mësim i sapo-shpikur. Por të njëjtin mësim e gjejmë të shkruar gjatë gjithë Biblës. Zoti Jezus Krisht iu tha dishepujve të Tij: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34-35). Kjo dashuri duhet të ruhet e të mbrohet vazhdimisht, krahas së vërtetës. Zakonisht, arsyeja pse një besimtar largohet nga Zoti, është fakti se ai ka pushuar së jetuari sipas fjalës së Perëndisë dhe nuk i do më vëllezërit: “Pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (Hebrenjve 10:25). T’i urresh besimtarët e tjerë është njëlloj sikur të ecësh në errësirë shpirtërore. “Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë. Ai që e do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bën të bjerë” (1 Gjonit 2:9-10).

Vini re shprehjen: “Që ta duam njëri-tjetrin” (2 Gjonit: 5). Kjo shprehje nuk do të ketë shumë kuptim dhe mund të keqinterpretohet, po qe se “zonja” në fjalë është një “grua” me disa fëmijë, në vend që të jetë një kishë dhe bashkësia e saj.

Të ecurit në dashuri
“Dhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e dëgjuat nga fillimi, ky është urdhërimi që morëm, që të ecni në të” (2 Gjonit: 6).

Si mund të fillojmë të ecim në dashuri, d.m.th. ta praktikojmë dashurinë në jetën e përditshme? Gjoni na shpjegon se dashuria e vërtetë e krishterë mes besimtarëve është e mundur vetëm nëse secili prej nesh jeton sipas fjalës së Perëndisë. Tek 1 Gjonit 5:2-3, ai shkruan: “Nga kjo ne dimë ti duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda”. Po e theksojmë përsëri, se uniteti është i pamundur të arrihet, po qe se ai nuk bazohet fuqimisht tek fjala e Perëndisë. Nuk do të arrijmë kurrë t’i duam të tjerët, po qe se nuk e duam Perëndinë dhe nuk iu bindemi urdhërimeve të Tij.

Përfundim
Çfarë janë urdhërimet? Ato janë detyrime, të cilat Perëndia ia ka ngarkuar secilit prej nesh. Nuk mund të zgjedhim siç duam vetë se cilin urdhërim do ta pranojmë e cilin do ta refuzojmë. Disa prej këtyre urdhërimeve mund të mos pranohen si të vlefshme për kishën apo shoqërinë e sotme, por kjo gjë vërteton atë çështje, që ngre Gjoni në këtë letër. Të gjitha urdhërimet e Perëndisë janë të vlefshme për ata që e duan Atë. “Dhe ky është urdhërimi i tij që të besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njeri-tjetrin si na urdhëroi ai” (1 Gjonit 3:23).


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net