Stina e rritjes



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 06.02.2007

“Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, deri sa të marrë shiun e parë dhe të fundit. Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër. Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera. O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit. Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri”
(Jakobi 5:7-11).

Parathënie
Shpesh, të përqëndruarit e vëmendjes sonë në të shkuarën, të tashmen dhe në të ardhmen na sjell dhimbje koke, zhgënjim dhe, më në fund, skllavëri. Po t’i kemi rrëfyer të gjitha mëkatet në jetën tonë, atëherë s’ka asnjë arsye pse duhet t’i rijetojmë gabimet e së kaluarës, apo t’ia kujtojmë ato gjithmonë vetes. Gjithashtu, besimtari e vendos veten në rrezik të madh, kur ai/ajo është i zënë vazhdimisht me të tanishmen, me problemet dhe vështirësitë e përditshme. Është e lehtë të harrosh se Perëndia është në kontroll të së ardhmes sonë. Nesër është një ditë e re… “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi” (Psalmi 30:5). Frika për të ardhmen ka shkatërruar besimin e shumë njerëzve, duke i shtyrë ata drejt magjive dhe feve të rreme.
Ne jetojmë në ‘stinën e rritjes’. Kjo është një kohë maturimi në Krishtin, duke jetuar sipas vullnetit dhe qëllimit të Perëndisë. Gjëra të këqija mund të ndodhin gjatë kësaj kohe, por besimi dhe shpresa na inkurajojnë me faktin se e ardhmja jonë është e sigurtë në Zotin, i cili nuk ndikohet nga koha: “Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë” (Hebrenjve 13:8).

Durimi i bujkut
“Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, deri sa të marrë shiun e parë dhe të fundit. Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër” (Jakobi 5:7-8).
Bujku (ose fshatari) është Krishti. Ai pret me durim që të piqet fryti i Tij në tokë. Kur e themeloi (e mbolli) kishën, ajo nisi të rritej sapo ‘shiu i bekimit’ ra mbi të në ditën e Pentikostit. Por korrja do të kryhet në fund të epokës së kishës, atëherë kur të bjerë “shiu i fundit”. Shiu i fundit e zmadhon grurin dhe e bën gati për korrje. Kisha e parë mund të mos ketë qenë e përsosur, por ajo, në fakt, eci sipas fjalës së Perëndisë; anëtarët e saj nuk e kompromentuan besimin e tyre, por jetuan me besnikëri dhe shenjtëri para Zotit dhe botës (shiko Veprat e Apostujve 2-3).
Derdhja e fundit e bekimit të Perëndisë do ta përgatisë kishën për Ardhjen e Dytë të Krishtit. Mund të mos ndodhë një ringjallje e masave, por një gjë është e sigurtë: kisha duhet të jetë e shenjtë dhe e dedikuar ndaj Zotit: “Që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efesianëve 5:27). Profeti Joel flet lidhur me këtë ngjarje: “Prandaj gëzohuni, o bij të Sionit, dhe kënaquni, ngazëllohuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ju ka dhënë shiun e parë me drejtësi, dhe do të bëjë të bjerë për ju shiun, shiun e parë dhe shiun e fundit në muajin e parë. Lëmenjtë do të jenë plot me grurë dhe në butet do të grafullojë mushti dhe vaji; kështu do t’ju kompensoj për të korrat që kanë ngrënë karkaleci, larva e karkalecit, bulkthi dhe krimbi, ushtria ime e madhe që kisha dërguar kundër jush. Dhe ju do të hani me bollëk dhe do të ngopeni, dhe do të lëvdoni emrin e Zotit, Perëndisë tuaj, që për ju ka bërë mrekulli, dhe popullin tim nuk do ta mbulojë më turpi. Atëherë ju do të pranoni që unë jam në mes të Izraelit dhe që jam Zoti, Perëndia juaj, dhe nuk ka asnjë tjetër; popullin tim nuk do ta mbulojë më turpi. Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime. Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret” (Joeli 2:23-29).
Ashtu si fshatari, edhe ne kemi nevojë për durim për të përballuar vështirësitë e jetës. Persekutimi mund të ndodhë për të na provuar besimin, d.m.th. për të parë nëse do të qëndrojmë të fortë në Krishtin. Na duhet qëndrueshmëri, ndërsa presim ardhjen e Tij. “Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage. Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën. Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish”. Si i tha këto gjëra, thirri: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”. Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë. Dhe ai tha: “Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë. Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë. Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë. Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen. Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen. Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri” (Luka 8:5-15). Për këtë qëndrueshmëri bën fjalë edhe Jakobi.

Ndëshkimi i gjykatësit
“Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera. O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit. Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri” (Jakobi 5:9-11).
Ankimi, padurimi dhe grindjet janë shenja karakteristike të shumë bashkësive sot. Nganjëherë është e vështirë t’i durosh ngacmimet dhe problemet që na shkaktojnë të tjerët, por grindja e vazhdueshme me besimtarët e tjerë mund të na pengojë si nga të marrit e bekimit të derdhur të Perëndisë, ashtu edhe nga të përgatiturit për ardhjen e Krishtit.
Ç’pamje do të ketë fytyra e Zotit, kur Ai të na shohë ballë për ballë: pamjen e një fshatari të lumtur, apo pamjen e një gjykatësi të inatosur? Gjyqi fillon me ne vetë: “Sepse erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë” (1 Pjetrit 4:17). Gjykatësi qëndron tek dera e kishës. Shumë njerëz mendojnë se gjyqi është shtyrë, ngaqë kishat ia kanë mbyllur dyert Krishtit. Por Ai qëndron atje tek dera, gati për të hyrë brenda: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua” (Zbulesa 3:20). Mënyra e vetme për ta mënjanuar zemërimin e Gjykatësit është të gjykuarit dhe të shqyrtuarit e vetes sonë, në përgatitje për ardhjen e Tij: “Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën” (1 Korintasve 11:31-32).

Përfundim
Zoti po vjen së shpejti! A jemi gati ta takojmë? A dëshirojmë derdhjen e bekimit të Tij sot? A jemi gati të jetojmë një jetë të shenjtë dhe besnike para Tij? Koha jonë këtu në tokë është ‘stina e rritjes’ , ndërkohë që maturohemi në Krishtin dhe japim shumë frtyte për lavdinë e Tij.

Nga Pastor Gary J. Hall

 

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net