Sovraniteti i Perëndisë dhe shpëtimi
“Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: “Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve”” (Zbulesa 5:13).
Parathënie
Mbretërit, diktatorët dhe politikanët kujtojnë se e kanë botën nën kontrollin e tyre. Por ata e harrojnë faktin se është Perëndia Ai, që mbretëron në Qiell. “Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta” (Psalmi 2:4). E kemi një arsye, që themi se Perëndia është i plotfuqishëm. Ai është suprem në fuqinë dhe autoritetin e Tij mbi të gjitha krijesat e veta. Për më tepër, Ai bën atë, që dëshiron Vetë, pa patur nevojën për t’u konsultuar me dikë tjetër. Sovraniteti i Perëndisë duhet kuptuar në kontekstin e shenjtërisë, drejtësisë, mëshirës dhe dashurisë së Tij. Prandaj pra, edhe pse Ai është në gjendje, që ta shkatërrojë njerëzimin, Ai nuk do që të veprojë kështu, për shkak të karakteristikave të tjera të Tij. Perëndia, si i Plotfuqishëm që është, e përdor fuqinë e Tij vetëm për një qëllim të shenjtë e të drejtë.
Vullneti i Perëndisë
Nëse Perëndia është sovran, atëherë a do të thotë kjo se askush nuk mund të veprojë kundër vullnetit të Tij? “Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9). E megjithatë, shumica e njerëzve janë të destinuar për të shkuar në një përjetësi pa Krishtin në Ferr, edhe pse Perëndia dëshiron që ata të shpëtohen. “Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!” (Mateu 7:13-14).
Perëndia, me vullnetin e Tij sovran, e dërgoi Birin e Tij të vetëmlindur në botë. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij” (Gjoni 3:16-17). Në bazë të urdhërimit sovran të Perëndisë, gjaku i Krishtit pagoi çmimin e shpengimit të njeriut. “Dhe jeta u shfaq dhe ne e pamë e dëshmojmë për të, dhe ju shpallim jetën e përjetshme që ishte pranë Atit dhe që na u shfaq neve” (1 Gjonit 1:2)… “Për këtë, në fakt, ne po mundohemi dhe na shajnë, sepse kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve” (1 Timoteut 4:10). Por Perëndia, me mençurinë e Tij sovrane, i dha njeriut lirinë, për të zgjedhur ose jetën e përjetshme, ose mallkimin e përjetshëm. “Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë” (Gjoni 3:18)… “Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia” (Gjoni 1:10-13).
Rruga e zgjedhur
Perëndia e ka një plan e një qëllim për jetën tonë. Por Ai nuk e anashkalon vullnetin e lirë të njeriut. “Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju,” thotë Zoti, “mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë” (Jeremia 29:11). Qëkurse njeriu hodhi hapat e tij të parë në tokë, Perëndia i dha atij mundësinë dhe lirinë për të zgjedhur rrugën, që duhet të merrte. Në fakt, vetëm dy rrugë kishte: ajo e Perëndisë dhe ajo e Satanait. “Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: “Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zanafilla 2:16-17). Ajo liri për të zgjedhur rrugën e duhur do të vazhdojë të egzistojë deri në fund të epokave. “Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17). Është vullneti sovran i Perëndisë, që njeriu ta zgjedhë vetë rrugën e jetës. “Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu” (Ligji i Përtërirë 30:19).
Nënshtrimi ndaj Perëndisë
Perëndia dëshiron që njeriu t’i nënshtrohet Atij, d.m.th. që vullneti i Perëndisë të bëhet vullneti i tij. “Nënshtrojuni, pra, Perëndisë” (Jakobi 4:7). Njeriu, pa dyshim, mund të veprojë si t’i dojë qejfi, por vullneti i tij gjithmonë do ta çojë atë drejt vdekjes e shkatërrimit. “O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij” (Jeremia 10:23)… “Ja, unë vë para jush rrugën e jetës dhe rrugën e vdekjes” (Jeremia 21:8)… “Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes” (Fjalët e Urta 16:25). S’është për t’u habitur, pra, që Jezusi kërkon prej nesh, që të jetojmë sipas vullnetit të Perëndisë, e jo sipas vullnetit tonë. “Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell” (Mateu 6:10). Ata, që i janë të përkushtuar me të vërtetë Krishtit, dëshirojnë që gjithmonë të bëjnë vullnetin e Tij. “Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus” (Filipianëve 3:13-14).
Përfundim
Në Bibël, ka me qindra vargje, që flasin rreth sovranitetit të Perëndisë. Por, në asnjërin prej këtyre vargjeve nuk e shohim Perëndinë tek abuzon fuqinë, vullnetin apo autoritetin e Tij. Sovraniteti i Tij përputhet me të gjitha karakteristikat e tjera të Tij. Perëndia ynë është absolutisht i shenjtë dhe i drejtë. Ai është i detyruar t’i bekojë të gjithë ata, që vijnë tek Ai me besim dhe gjejnë kështu shpëtim në Krishtin.
Nëse njeriu merr vendim për ta hedhur poshtë Krishtin e për të shkuar në Ferr, atëherë Perëndisë nuk i mbetet gjë tjetër, veçse t’ia plotësojë njeriut dëshirën e tij. “Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne” (Luka 19:14). Nëse njeriu merr vendim për ta pranuar Krishtin, atëherë Perëndia do ta mirëpresë atë në Mbretërinë e Tij. “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik… hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21). Edhe pse njeriu nuk luan asnjë rol në hirin sovran të Perëndisë të shfaqur në planin e shpëtimit, prapëseprapë ai është përgjegjës ose për ta pranuar, ose për ta hedhur poshtë një plan të tillë e, si rezultat, duhet t’i pranojë pasojat e vendimit të vet. “Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t’i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e Amorejve, në vendin e të cilëve ju banoni sot; sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit” (Jozueu 24:15).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



