Siguria (Garancia) e shpëtimit
“Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht, i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të” (1 Thesalonikasve 5:9-10).
Parathënie
Pali bëri një deklaratë të tillë (si kjo e mësipërmja), tek 1 Thesalonikasve 1:10, ku thuhet: “Dhe për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish, Jezusin, që na çliron nga zemërim që po vjen”. Lloji i zemërimit, që përmendet në këtë varg, ka të bëjë drejtpërsëdrejti me shpëtimin, e jo me caktimin e datës së rrëmbimit të kishës lart në qiell. Për apostullin, s’ka gjë më të rëndësishme sesa fakti që lexuesit e tij të jenë plotësisht të siguruar për shpëtimin dhe jetën e përjetshme: “Le t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjës së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar. Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:22-23).
Të caktuar për shpëtim
Kisha e vërtetë nuk është e destinuar për zemërim, d.m.th. për gjykimin e përjetshëm të Perëndisë. Përkundrazi, kisha e vërtetë është e destinuar për ta kaluar përjetësinë me Zotin Jezus Krisht. Jemi zgjedhur: “Duke ditur, vëllezër të dashur prej Perëndisë, të zgjedhurit tuaj” (1 Thesalonikasve 1:4)…”Por ne duhet ta falënderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t’ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën” (2 Thesalonikasve 2:13) dhe jemi të destinuar për në lavdi: “Që të ecni denjësisht për Perëndinë, që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij” (1 Thesalonikasve 2:12).
Një shpëtim i tillë nuk erdhi prej nesh. Nuk ishte meritë e jona: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianëve 2:8-9)… “Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë, që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi” (Titit 3:5-7). Shpëtimi ynë u ble me anë të gjakut sakrifikues të Krishtit: “Të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij” (Veprat e Apostujve 20:28). Kjo do të thotë se siguria e shpëtimit tonë bazohet vetëm në veprën e përfunduar të Krishtit mbi kryq: “Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë” (Hebrenjve 10:10).
Një shpëtim i tillë përfshin çlirimin prej mëkatit dhe dënimit, që ka lidhje me të: “Krishti vdiq për mëkatet tona” (1 Korintasve 15:3)… “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 8:1)… “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20).
Besimi ynë në një shpëtim të tillë është garancia (siguria) jonë e jetës së përjetshme: “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1). Një garanci e tillë është e vulosur prej pranisë së Frymës së Shenjtë, që banon në jetën tonë: “Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj, dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij” (Efesianëve 1:13-14).
Zemërimi i Perëndisë
Zemërimi i Perëndisë derdhet vetëm mbi ata, që refuzojnë të besojnë në Krishtin dhe që nuk e pranojnë Atë si mënyrën e vetme të shpëtimit e të jetës së përjetshme: “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:36)… “Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Romakëve 1:18)… “Për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes” (Kolosianëve 3:6). Por, ç’është, vallë, një zemërim i tillë? Është gjykimi final mbi jobesimtarët - Liqeni i Zjarrtë. “Do të pijë edhe ai nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij dhe do të mundohet me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit” (Zbulesa 14:10). Gjon Uesli ka shkruar kështu lidhur me vargun në hyrje të këtij studimi: “Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim - ashtu siç i ka caktuar ata që janë rebelë, kokëfortë, e që nuk pendohen”.
Përfundim
Pali na vë në dukje se pak rëndësi ka, nëse vdesim para se të vijë Zoti, sepse, po qe se jemi vërtet të shpëtuar, atëherë do të jemi përgjithmonë me Krishtin. Dhiata e Re e Popullit thotë kështu: “Prandaj, pra, shpëtimi ynë është kaq i sigurtë e kaq i garantuar, saqë as vdekja nuk mund të na e grabisë dot”. Ndërkohë që presim për ta takuar personalisht Perëndinë, e kemi për detyrë që të jetojmë në mënyrë të ndershme në këtë botë mëkatare e të mos i kthehemi më një jete, që si shpërblim ka vetëm zemërimin e Perëndisë: “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14). Kemi privilegjin e mrekullueshëm e të qënit pjesë e tempullit të gjallë të Perëndisë, derisa të kthehet Vetë Ai në tokë, apo derisa të na thërrasë e të na rrëmbejë lart për në Qiell: “Edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 2:5).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



