Si një pemë e mbjellë gjatë ujit



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 07.10.2011

“Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi. Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan. Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve. Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.” (Psalmi 1).
 
Parathënie
Fjalët e Psalmit 1 shprehin sigurinë, që ndjen i krishteri ndaj Zotit. Ato përshkruajnë faktin se mund të jemi të sigurtë në një botë të pasigurtë. Por, që të jemi si ajo pema e patundur, duhet të jemi të mbjellë thellë gjatë ujit të jetës, duke i qëndruar besnik Perëndisë dhe fjalës së Tij.
 
Të mbjellë thellë
Në fjalën e Tij, Perëndia na ka siguruar gjithçka që na nevojitet, për të jetuar jetën e krishterë. Përveç kësaj, Ai na ka dhënë edhe Frymën e Shenjtë, për të na udhëhequr në çdo hap të jetës. “Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë” (Gjoni 16:13). Kështu pra, një pasues i bindshëm i Krishtit nuk ka kurrë arsye pse të vyshket apo të vdesë. Përkundrazi, ai/ajo duhet të prodhojë një jetë të frytshme. Kjo arrihet “duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim” (Kolosianëve 2:7).
Bibla nuk është thjesht një libër thëniesh të lashta apo filozofike. Përkundrazi, ajo na jep udhëzime të caktuara për çdo problem, që mund të hasim në jetë. Mund të jemi më të avancuar nga ana teknologjike, sesa ata njerëz, të cilët Perëndia i përdori për të shkruar fjalët e Tij, por, sadoqë të kalojnë shekujt, zemra e njeriut mbetet po e njëjta, d.m.th. të gjithë jemi të lindur mëkatarë. Bibla na drejton, na ndihmon për të jetuar një jetë të bekuar dhe, mbi të gjitha, na bën të mundur që ta duam e ta nderojmë Zotin. Duhet të shpenzojmë kohë, duke i transferuar fjalët e Perëndisë nga fleta e Biblës në zemrën tonë. “Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde. Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu. Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate” (Fjalët e Urta 7:1-3). Davidi e dinte se, duke vepruar kështu, ai kishte mundësi për ta parandaluar veten prej së mëkatuarit. “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11).
Zoti Jezus Krisht iu tha dishepujve të Vet, që ta vinin Perëndinë në plan të parë në jetën e tyre. Fjalët e Tij kanë vlerë edhe për ne sot. “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij” (Mateu 6:33). Kjo nuk është thjesht një këshillë, por një detyrim për të gjithë ata, që duan t’i afrohen edhe më shumë Perëndisë. Një detyrë e tillë nuk është e lehtë, por është e domosdoshme që të synojmë drejt drejtësisë, paqes dhe gëzimit, që mund të na i japë vetëm Perëndia. “Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden” (Luka 13:24). Do të kemi paqe të përsosur, nëse e lëmë Perëndinë të na udhëheqë. “Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti” (Isaia 26:3). Ai do të na japë gjithashtu edhe gëzim të papërshkruar. “Të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme” (1 Pjetrit 1:8).
 
Frytshmëria
Uji që i ushqen rrënjët e pemës, e inkurajon atë që të prodhojë një trung plot me gjethe të gjelbra dhe degë pjellore. Uji, që ushqen rrënjët e njeriut të bekuar, është uji i gjallë që na jep Krishti. “Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: “Më jep të pi!,” ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë” (Gjoni 4:10). Autori i Psalmit 1 na tregon se ata që jetojnë pranë ujit, që rrjedh prej Perëndisë, do të kenë fuqi, qëndrueshmëri dhe frytshmëri. A nuk na tha qartë Zoti Jezus se na duhet që t’i qëndrojmë afër Atij, nëse duam që të kemi po të njëjtat gjëra, që na përshkruhen edhe tek Psalmi 1? “Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:4-5). Një njeri, jeta e të cilit është e mbjellë thellë tek Krishti, ka për të thithur shumë ujë prej fjalës së Tij, ka për të dhënë shumë fryte dhe ka për të patur një jetë me bollëk. “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10).
Apostulli Pal shkruan kështu: “Fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj. Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij” (Galatasve 5:22-24). Nëse ia bashkangjitim këto vargje Psalmit 1, do të nxjerrim si konkluzjon se një fryt i tillë nuk mund të prodhohet në jetën tonë, po qe se pranojmë të jetojmë sipas këshillës së mëkatarëve, apo po qe se jetojmë si bota, apo po qe se zëmë shoqëri me ata, që e tallin Perëndinë. Fryti nuk mund të prodhohet në asnjë tokë tjetër, përveçse në zemrën e atyre, që e duan fjalën e Perëndisë, e studjojnë dhe e vënë atë në praktikë në jetën e tyre. “Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli frut që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind… Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind” (Marku 4:8, 20).
 
Përfundim   
Nëse duam të qëndrojmë “të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit” (1 Korintasve 15:58), nëse duam që të qëndrojmë “në besim me themel dhe të patundur” dhe nëse duam që të mos luajmë “nga shpresa e ungjillit” (Kolosianëve 1:23), atëherë duhet të jemi të mbjellë thellë në Krishtin, duke pirë vetëm prej ujit që na jep Ai. Le të mos shkojmë tek përrenjtë e ndotur të kësaj bote, por le ta mbjellim veten pranë lumit jetë-dhënës të Perëndisë. “Ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua” (Psalmi 36:8).
  
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com