Si mund të kemi një jetë të krishterë të suksekshme?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 20.04.2010

Parathënie
Ky predikim është i bazuar tek një pamflet i shkruar prej evangjelistit Billi Sandej (1862-1935), për të krishterët, që janë të rinj në besim. Është Perëndia Ai, që na ka shpëtuar me anë të hirit të Tij, por rritja në besimin dhe në njohjen e Jezus Krishtit varet nga përkushtimi ynë ndaj Tij. Është e pamundur që të bëhemi të vlefshëm për Perëndinë, po qe se nuk i vëmë në praktikë ato gjëra, që janë absolutisht të domosdoshme për rritjen shpirtërore.
Studimi
Çdo ditë, na duhet që të shpenzojmë kohë, duke studjuar Biblën. “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës” (2 Timoteut 2:15). Por si mundet ta studjojmë Biblën, po qe se nuk dëshirojmë, që të ushqehemi prej Frymës së Perëndisë? “Posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij” (1 Pjetrit 2:2). Fjala e shkruar e Perëndisë është ushqim për shpirtrat tanë dhe, nëse kjo fjalë është e rrënjosur thellë në zemrat tona, atëherë do të forcohemi edhe më shumë, për t’iu bërë ballë tundimeve të ndryshme, që mund të na i sjellë Satanai përpara. “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11).
Lutja
Lutja është thjesht bisedë me Perëndinë. Ai nuk pret, që ne t’i flasim në mënyrë fetare. Ai thjesht kërkon, që ne t’ia hapim zemrën. “Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:24). Perëndisë mund t’i tregojmë gjithçka që na shqetëson, që na frikëson, që na dëshpëron. Mund t’i tregojmë Atij rreth miqve dhe armiqve tanë e madje edhe rreth mëkateve tona. “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falenderim” (Filipianëve 4:6).
Ungjillizimi
Duhet t’iu tregojmë të tjerëve se Krishti është i vetmi Shpëtimtar, që ka për të patur ndonjëherë bota. Ky nuk është thjesht një sugjerim, por, përkundrazi, Perëndia këtë kërkon, që t’iu dëshmojmë të tjerëve. “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15). E kemi për detyrë, që t’iu tregojmë të tjerëve se ç’pasoja do të kenë ata, po qe se e hedhin poshtë Jezus Krishtin si Shpëtimtar. “Në rast se unë i them të pabesit: “Me siguri ke për të vdekur,” dhe ti nuk e njofton dhe nuk flet për ta lajmëruar të pabesin që të braktisë rrugën e tij të keqe për të shpëtuar jetën e tij, ai i pabesë do të vdesë në paudhësinë e tij, por unë do të kërkoj llogari prej teje për gjakun e tij” (Ezekielit 3:18).
Mënjanimi
Duhet t’i mënjanohemi shoqërisë së keqe, d.m.th. atyre, që kanë një zemër të ligë, dhe mendime të këqija, prej atyre, që e tallin Zotin dhe popullin e Tij. Tek Psalmi 1, na thuhet: “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi. Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan. Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve. Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim”. Kjo është një nga gjërat më të vështira, që duhet të bëjmë në jetën tonë të krishterë, por kjo ka shumë rëndësi, nëse duam që të kemi vërtet sukses. “Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin? Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin? Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: “Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im”. Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti” (2 Korintasve 6:14-17). Duhet të përpiqemi që t’iua fitojmë zemrën jobesimtarë e t’i drejtojmë ata tek Krishti. Por nuk duhet të bëhemi shokë me ta, nëse ata e mohojnë Zotin. “Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira” (1 Korintasve 15:33).
Bashkësia e krishterë
Një pasues i vërtetë i Krishtit adhuron besnikërisht në praninë e fëmijëve të tjerë të Perëndisë. Jetojmë në një epokë të dobët nga ana shpirtërore, ngaqë shumica e besimtarëve kujtojnë se nuk kanë nevojë, që të shkojnë fare në kishë. “Pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa” (Hebrenjve 10:25).
Të mblidhesh së bashku me besimtarët e tjerë nuk do të thotë vetëm që të shkosh në kishë të dielën, por edhe që ta mbështesësh kishën e t’i dedikosh asaj kohë dhe të ardhura. Shpeshherë, ka besimtarë, që kujtojnë se mirëmbajtja e kishës i takon dikujt tjetri e jo atyre. Nuk pyesin se kush e hap derën, para se të fillojë takimi, apo se kush është i pranishëm në kishë për t’i mirëpritur vizitorët, apo nëse ka apo jo fonde të mjaftueshme për të paguar faturat e ndryshme të qirasë, dritave, etj. Duhet të angazhohemi, pra, në kryerjen e detyrave të tilla. “Sa për të mbledhurit e ndihmave për shenjtorët, bëni edhe ju ashtu si i urdhërova kishat e Galatisë. Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë aq sa mundet sipas të ardhurave të tij” (1 Korintasve 16:1-2)… “Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar” (2 Korintasve 9:7). Të gjithë anëtarët e kishës, e jo vetëm pastori, duhet të jenë përgjegjës për mirëqënien e kishës, si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo shpirtërore.
Vendosmëria
Çdo pasues i vërtetë i Krishtit do të ballafaqohet me momente zhdekurajuese apo me vuajtje nga më të ndryshmet. Por momente të tilla janë pjesë përbërëse të luftës sonë shpirtërore. “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Perëndia na ka përgatitur për çdo lloj luftimi. “Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore. Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë. Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë, dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes, mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë, duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët” (Efesianëve 6:10-18)… “Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi” (Psalmi 46:1). Ai ka për të na ndihmuar në çdo vështirësi, që të ndodhemi. “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” (1 Korintasve 10:13). Romakëve 8:28 na thotë: “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij”.
 
Përfundim 
Nuk duhet t’ia vëmë fajin as Perëndisë, as të tjerëve, nëse nuk kemi një jetë fitimtare. Dobësia shpirtërore vjen gjithmonë si rezultat i ndonjë pjese të jetës sonë, që nuk është në përputhje me vullnetin, që na ka shfaqur Perëndia. Perëndia na i ka siguruar të gjitha mjetet, që na duhen për të qenë të suksesshëm në jetën tonë të krishterë. Le t’i zëmë besë Atij.
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com