Si duhet të veprojmë, kur tundohemi?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 14.03.2010

“Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte. Dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria. Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë”. Por ai, duke iu përgjigjur, tha: “Është shkruar: “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë””. Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: “Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbi duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur””. Jezusi i tha: “Është shkruar gjithashtu: “Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd””. Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre, dhe i tha: “Unë do të t’i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron”. Atëherë Jezusi i tha: “Shporru, Satan, sepse është shkruar: “Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij””. Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin” (Mateu 4:1-11).
Parathënie
Djalli është armiku i çdo besimtari të vërtetë të Jezus Krishtit. Ai mundohet të na shkatërrojë. “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë” (1 Pjetrit 5:8). Edhe pse jemi të shpëtuar, prapëseprapë duhet të luftojmë kundra djallit. Perëndia na ka pajisur mirë, me qëllim që të dalim fitimtarë. Djalli përdor tundime të formave nga më të ndryshmet, që të na mundë, por secili tundim i tij mund të mposhtet, nëse fjalën e Perëndisë e kemi në zemër e në mendje. Takimi i Jezusit me djallit na shërben si shembull, për ta mposhtur tundimin dhe armikun.
Bibla, apo buka?
Vini re se si Jezusi ishte i uritur, pasi kishte agjëruar për dyzet ditë me rradhë. Satanai iu afrua, për t’i dhënë atë, që kishte nevojë, por jo falas. Ai, që së shpejti do ta krijonte Vetë bukën, për t’i ushqyer me mijëra njerëz, mund t’i kthente kollaj gurët në bukë. Pse e konsiderojmë këtë ngjarje, atëherë, si tundim? Ngaqë ishte Satanai ai (e jo Perëndia), që i sugjeroi Jezusit, që t’i kthente gurët në bukë. Një veprim i caktuar mund të na duket i mirë dhe i ligjshëm për momentin, por, po qe se nuk është prej Perëndisë, atëherë ai veprim është i gabuar. “Çdo gjë që nuk bëhet me besim, është mëkat” (Romakëve 14:23). Duhet ta hedhim poshtë tundimin, pavarësisht se sa i mirë mund të na duket.
Satanai mund të përpiqet të na mundë me problemet e jetës së përditshme, por ne mund ta mposhtim atë, ashtu siç veproi edhe Jezusi, me fjalën e Perëndisë. “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit” (Ligji i Përtërirë 8:3). Njerëzit mund të shkojnë në Ferr me barkun plot, por, për të shkuar në Parajsë, iu duhet ta kenë Ungjillin në zemër. Fjala e Perëndisë është ushqimi ynë i përditshëm. Është shpata, që e mund djallin. “Shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë” (Efesianëve 6:17).
Në majë të malit dhe plot fuqi?
Gjithmonë jemi më të dobët e më të pafuqishëm, kur ndodhemi në një vend të lartë, ku nuk na ka caktuar Perëndia. E ngushëllojmë veten atëherë me vargje inkurajuese prej Biblës. Por edhe Satanai e di fjalën e Perëndisë, prandaj edhe të shumtë janë ata njerëz, që bien pre e doktrinave të rreme të kulteve të ndryshme fetare. Le të mos e harrojmë faktin se Satanai shpesh e maskon veten si ëngjëll të Perëndisë. “Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit. Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre” (2 Korintasve 11:13-15).
Zoti Jezus e mposhti përsëri Satanain me fjalën e Perëndisë. “Nuk do të tundoni Zotin, ashtu si u përpoqët në Masa” (Ligji i Përtërirë 6:16). Izraelitët e tunduan Perëndinë, duke u ankuar (Eksodi 17:7), duke mos i besuar (Numrave 14:22), duke dashur të ktheheshin mbrapsht në Egjipt (Psalmi 78:41) dhe duke i ngurtësuar zemrat (Hebrenjve 3:8).  A nuk e tundojmë edhe ne Perëndinë në të njëjtën mënyrë? Mashtrimeve dhe tundimeve të djallit duhet t’i drejtohemi gjithmonë me fjalën e vogël: “nuk”.
Perëndia, apo madhështia?
Prej majës së malit, Satanai i tregoi Jezusit tërë mbretëritë e botës, si për t’i thënë se ato do të ishin të gjitha të tijat, po qe se Zoti do të bënte qoftë edhe një mrekulli të vogël. Jezusi mund të ishte bërë menjëherë një udhëheqës i famshëm, i mirëpritur prej të gjithëve, pa patur nevojë të vuante e të vdiste. Por kjo do ta çonte botën drejt shkatërrimit të përjetshëm. Edhe ky tundim u mposht po prapë me fjalën e Perëndisë.
Të gjitha fetë e rreme adhurojnë, në fakt, Satanain. Ne jemi thirrur për t’i shërbyer vetëm Perëndisë e për ta adhuruar vetëm Atë. “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijve të tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia” (Eksodi 20:3-6). 
 
Përfundim
Ç’i tregoi Satanai Jezusit? Thjesht gurë! Gurë, në vend të bukës; gurë përtokë dhe gurët e mbretërive të botës. Mbretëria e djallit përbëhet thjesht prej gurësh imcakë (apo prej rëre, siç thuhet edhe tek Mateu 7:24-27). Por mbretëria e Zotit është shkëmb i fortë e i patundur. Prandaj, pra, çdu tundim, pavarësisht se sa i këndshëm mund t’i duket trupit, s’është gjë tjetër veçse një gur i paqëndrueshëm, e jo një themel i vërtetë. Fjala e Perëndisë është themel i sigurtë dhe shpata, që e mund armikun tonë. 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
  
       

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com