Si duhet të veprojmë, kur inatosemi?
“Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj; dhe mos i jepni vend djallit” (Efesianëve 4:26-27).
Parathënie
Jetojmë në një botë mëkatare, ku shumica e njerëzve janë të padisiplinuar e nuk munden që t’i kontrollojnë dot ndjenjat e tyre. E si rezultat, njerëz të tillë janë të paduruar dhe bëhen shumë shpejt me nerva. Ne, si besimtarë që jemi, ballafaqohemi çdo ditë me tendenca mëkatare, por, edhe pse ka shumë gjëra në këtë botë, që mund të na bëjnë me nerva, prapëseprapë, duhet të tregohemi të kujdesshëm, që të mos e lejojmë inatin të na çojë në mëkat.
Nuk është mëkat të inatosesh
Shumica e njerëzve kujtojnë se një i krishterë që inatoset, është hipokrit. Madje edhe midis besimtarëve, egziston ideja se të inatosurit është mëkat. Bibla na mëson se jeta jonë duhet t’i përngjajë Perëndisë dhe karakterit të Tij. Por, le të mos harrojmë se edhe Ai inatoset me ata, që janë vazhdimisht kokëfortë e që jetojnë në mëkat e mosbindje. “Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Moisiut” (Eksodi 4:14). Në Dhiatën e Re, Zotin Jezus Krisht e shohim të zemëruar me drejtuesit fetarë. “Atëherë ai… i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre” (Marku 3:5)… “Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur; dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat, dhe shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!”. Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: “Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!” (Gjoni 2:14-17). Kur Sauli mori vesh rreth planeve të liga të Amonitëve, “Fryma e Perëndisë përfshiu Saulin, zemërimi i të cilit u rrit me të madhe” (1 Samuelit 11:6). Kështu pra, e shohim se edhe Perëndia Atë dhe Perëndia Bir inatosen dhe Fryma e Shenjtë, gjithashtu prodhon inat e zemërim. Atëherë inati, në vetvete, nuk është mëkat.
Si duhet t’iu përgjigjemi situatave të jetës?
Po ta ndezim televizorin e të dëgjojmë lajmet, për shembull, shumë shpejt do të bëhemi me nerva, kur dëgjojmë se qeveria kërkon të nxjerrë një ligj qesharak. E si të mos inatosemi, kur shohim djem rrugaçë, që shkatërrojnë gjithçka që iu del përpara? Në raste të tilla, kur ‘marrim zjarr’, tek shohim mëkatin në shoqëri e në kishë, duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos inatosemi aq shumë, saqë të mëkatojmë. Shkurtimisht, duhet ta kontrollojmë veten. Ja, disa nga mënyrat, se si duhet të veprojmë, kur bëhemi me nerva:
a) Mbani mend mëshirën: kur inatosemi, për shkak të padrejtësive dhe mëkateve të shumta në botë, në vend të zemërimit, duhet të tregojmë mëshirë. Edhe pse Perëndia “zemërohet çdo ditë me keqbërësit” (Psalmi 7:11), nuk duhet ta harrojmë se Ai është “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri” (Eksodi 34:6). Bibla na nxit që edhe ne të shfaqim të njëjtin karakter si Ai. “Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim, sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë” (Jakobit 1:19-20). Kjo do të thotë se jo vetëm mënyra jonë e të menduarit, por edhe rrethi shoqëror që na rrethon, duhet të ndryshojë për mirë. “Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak, që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd” (Fjalët e Urta 22:24-25).
b) Mos u hakmerrni! “Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve. Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti”. “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur”. Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën” (Romakëve 12:17-21). Nëse reagojmë në mënyrë mëkatare ndaj atyre, që na kanë ofenduar, atëherë jemi po aq fajtorë sa edhe ata vetë. Për më tepër, duke vepruar kështu, ia marrim Perëndisë autoritetin nga dora. Lërjani Atij shpërblimin.
c) Qepeni gojën! Kur jemi me nerva, është kollaj të themi fjalë që s’duhen thënë dhe sa më shumë që të inatosemi, aq më shumë ka të ngjarë që të mëkatojmë. “Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë” (Fjalët e Urta 10:19). Nganjëherë, është më mirë ta mbajmë gojën mbyllur. “Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul” (Fjalët e Urta 29:11)… “Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj” (Kolosianëve 3:8)… “Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë” (Efesianëve 4:29).
d) Jini të matur. Kur shpërthejmë nga inati, e turpërojmë veten përpara atyre, që na dëgjojnë e që na shohin. Bëhemi njëlloj si fëmijët e vegjël, që nuk dinë si ta kontrollojnë veten, kur bëhen me nerva. “Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin” (Fjalët e Urta 12:16). Ai që është i matur, iu shmanget atyre gjërave, atyre njerëzve, apo atyre situatave, që e bëjnë që të inatoset. “Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet” (Fjalët e Urta 19:11)… “Është një lavdi për njeriun t’u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to” (Fjalët e Urta 20:3).
e) Mbani me vete një pasqyrë. Duhet t’i hedhim një sy vetes sonë, para se t’i gjykojmë të tjerët. “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni. Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t’ju masin të tjerët” (Mateu 7:1-2)… “Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra” (Romakëve 2:1).
Përfundim
Nuk është inati ai, që na bën të mëkatojmë, por mënyra se si veprojmë, kur inatosemi. Duhet të tregohemi të kujdesshëm, që të mos i japim vend djallit në jetën tonë. “Por atij që ju do t’i falni diçka, e fal edhe unë, sepse edhe unë, nëse kam falur gjë, kujtdo që t’ia kem falur, e bëra për ju përpara Krishtit, që të mos na mposhtë Satanai, sepse ne i dimë qëllimet e tij” (2 Korintasve 2:10-11).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



