Shtegu i Dritës



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 27.04.2008

“Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmi 119:105).

Parathënie
Një nga arsyet pse Perëndia na dha Biblën, është që ajo të na udhëheqë dhe të na ndriçojë jetën tonë të përditshme. Por kjo dritë iu jepet vetëm atyre, që i mbajnë sytë hapur. Ata që jetojnë sipas standarteve të botës, nuk duan të ecin në rrugën, që i pëlqen Perëndisë. Bibla është një mesazh shpirtëror prej Perëndisë, për ata që kanë marrë jetë prej Frymës së Tij të Shenjtë (Efesianëve 2:1).

Drita e llampës
“Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14). Para se njeriu ta kuptojë fjalën e Perëndisë, ai duhet të ketë përjetuar një lindje të re (d.m.th. të jetë bërë besimtar i Krishtit). Sa ç’ka vlerë drita e diellit për ata që janë në varr, aq vlerë ka edhe drita e lavdishme e Biblës për ata që janë të vdekur në mëkate.
Ishte pikërisht kjo dritë hyjnore, që na e ndriçoi shpirtin, në momentin kur dëgjuam për herë të parë rreth Krishtit. Na solli nga errësira shpirtërore në dritën e shpëtimit: “Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur” (Kolosianëve 1:13). Që nga ai moment, drita e llampës së Perëndisë na ka udhëhequr gjatë “rrugës së shenjtë” (shiko Isaia 35:8). Na e ndriçoi mendjen e errësuar: “Urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë” (Psalmi 19:8). Na bëri që t’i kuptojmë çështjet shpirtërore: “Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë” (Psalmi 119:130). Na ka udhëzuar se si të ecim: “Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës” (Fjalët e Urta 6:23).

Shtegu
Fjala e Perëndisë vërtet që iu jep dritë atyre, që i lexojnë faqet e saj. Por kjo fjalë është e frytshme, vetëm atëherë kur e vëmë në praktikë. Nuk mund ta dimë sesi të jetojmë si të krishterë, thjesht duke parë programe të krishtera në kanalet fetare të televizorit, apo duke lexuar libra të krishterë. Përkundrazi, njohuria e jetesës së krishterë vjen duke e vënë në praktikë fjalën e Perëndisë. Qëllimi kryesor i të mësuarit e i të predikuarit të Biblës nëpër kisha, është që t’i inkurajojë njerëzit e Perëndisë që ta lexojnë e ta studiojnë vetë Biblën: “Që t’u çelësh sytë atyre dhe t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve” (Veprat e Apostujve 26:18). Ashtu siç e ka thënë edhe Gjon H. Samis në himnin e tij:

“Kur ecim me Zotin,
Në dritën e Fjalës së Tij,
Sa shumë që na e ndriçon rrugën lavdia e Tij!
Kur bëjmë vullnetin e Tij të mirë,
Ai banon me ne,
Dhe me të gjithë ata, që i besojnë dhe i binden”.

Errësira
Fjala e Perëndisë nuk mund t’ia ndriçojë dot mendjen njeriut, vetëm atëherë kur atij i është mbushur mendja për të ecur në shtegun e së ligës: “Dhe, duke qenë në mospajtim njëri me tjetrin, u larguan, pasi Pali u tha pikërisht këto fjalë: “Mirë u foli Fryma e Shenjtë me anë të profetit Isaia etërve tanë, duke thënë: “Shko tek ai popull dhe i thuaj: “Do të dëgjoni, por nuk do të merrni vesh, do të vështroni, por nuk do të shikoni; në fakt zemra e këtij populli u bë e ngurtë, dhe i janë rënduar veshët dhe kanë mbyllur sytë, që të mos shohin me sy dhe të mos dëgjojnë me veshë dhe të mos kuptojnë me zemër dhe të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj” (Veprat e Apostujve 28:25-27). Ata që janë të zhytur në errësirën shpirtërore, ndodhen në këtë gjendje, ngaqë nuk duan që t’iu hapen sytë prej dritës. Për më tepër, nuk duan që t’iu hapen sytë prej dritës, ngaqë e kanë qejf shumë mëkatin: “Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij” (Gjoni 3:19-20).
Ka shumë të krishterë, që i kanë sytë e mbyllur përpara fjalës së Perëndisë. Këta të krishterë po shkojnë drejt shkatërrimit: “Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre, të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre” (Efesianëve 4:17-18)… “Çfarë afrie ka drita me terrin?” (2 Korintasve 6:14). Është për të ardhur keq atëherë, kur e vetmja dritë që kemi në jetën tonë, është errësira e botës: “Por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!” (Mateu 6:23). Nëse jemi shpenguar nëpërmjet gjakut të Krishtit, atëherë duhet të ecim në dritën e fjalës së Perëndisë: “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pjetrit 2:9).
     
Përfundim
Jemi populli i Perëndisë. Por, pa fjalën e Tij, jemi si të humbur në errësirë: “Prandaj ndershmëria është larg nesh dhe drejtësia nuk arrin deri te ne; prisnim dritën, por ja që erdhi errësira, prisnim shkëlqimin, por ja që ecim në errësirë. Prekim murin si të verbërit, ecim verbazi sikur të ishim pa sy; pengohemi në mesditë sikur të ishte mugëtirë; në vende të shkretuara jemi si të vdekur” (Isaia 59:9-10). Ne që e kuptojmë rëndësinë e fjalës së Perëndisë në jetën tonë të përditshme, duhet të ecim në dritë: “Ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time; o Zot, Perëndia im, ti ndriçon errësirën time” (Psalmi 18:28)… “Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja” (2 Pjetrit 1:19)… “Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur, dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty. Sepse ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dëndur mbulon popujt; por mbi ty ngrihet Zoti dhe lavdia e tij duket mbi ty” (Isaia 60:1-2). Kombi dhe populli ynë janë të humbur në errësirën e mëkatit. Ka ardhur koha që ne ta hapim Biblën dhe ta shpërndajmë përsëri kudo dritën e saj.

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net