A mund të dalë dicka e mirë nga Shqipëria?
Një grup shenjtorësh ecën buzë detit,
për Zotin e tyre bisedojnë menduar,
Për shpengim thërret njerëzimi i rënë,
por vec zemrat që gjejnë Krishtin janë të shpenguara…
………………………………………………………………….
Fryma jonë e braktis trupin.
kalon përtej hapësirës, kohës,
shkon ulet në këmbët e Krishtit,
harron çdo gjë që vjen prej botës.
Me sytë e Krishtit shohim një grua,
që është bërë prostitutë,
që të gjithë rënien e mishit
e ka ndjerë t’i therrë në trup.
Me veshët e Krishtit dëgjojmë një zë,
që del nga shpirti i dërrmuar
që thërret me mall, me vaj e lot
“Ti je Imzot, më ke shpenguar!”
Grethorja e turpit i shndërrohet,
i bëhet një vello e bardhë borë
që i rrethon trupin e bukur
dhe mbi kokë shndërrin një kurorë.
Shumë moralistë e kanë rrethuar
dhe duan ta vrasin me gurë
“Kush s’ka mëkat, le të hedhë gurin e parë!”
dëgjoj nga turma të thërrasë një Burrë.
O vendi yne, sa poshtë ke rënë
je bërë pagan si Nazareti
mbi dheun tënd, Engjëll i vdekjes,
ka vënë kurorë porsi mbreti
Sytë e mbushur plot me lotë,
po i drejtojmë sot nga Krishti,
“Ku është o Zot Froni Yt sot?”
na del një pyetje që rrjedh nga shpirti.
“Në Shqipëri!” përgjigjet Krishti
“Kam ngritur Fronin Tim Unë sot
Aty banon sot Nusja Ime,
qe vetëm Mua më ka Zot!”
Në Shqipëri, në dheun e vrarë,
ku korrupsioni shkatërron njerinë,
ku dheu ka mbetur i djerrë,
dhe vdekja ka mbjellë skllavërinë,
Në atë tokë ku dheu djerrë,
vec vdekje dhe dhimbje prodhon,
Në atë tokë që si mall pa vlerë,
bijat e saj i eksporton,
Ku foshnjës në vend të qumështit,
i japin plumba dhe barot,
Në atë tokë ku dhe shiu,
kur bie prej qiellit, ngjan si lot!
Në atë vend ku shqiptari,
e ka për turp të jetë shqiptar,
se etërit e kombit e kanë shitur,
si tregëtarët në pazar!
“A mundet Zot nga Shqipëria,
të dalë dicka e mirë?”
pyet zemra rëndë e dërrmuar,
pyet cdo shiptar me frymë të mpirë
“A doli gjë nga Nazareti,
nga Nazareti i ndyrë, pagan?”
“Po, dole Ti Zot!” përgjigjemi
dhe syri lotin dot s’e mban…
“Po!” thotë Krishti buzagaz,
“Nga Nazareti dola Unë,
që jam Zoti i Amëshuar,
nga Shqipëria del një Vajzë,
që e kam zgjedhur përjetë Grua!
Në Shqipëri kam ngritur Fronin,
Aty kam sot Unë Nusen Time,
Aty vdekja është dërrmuar,
Aty banon sot Fryma Ime!
Në atë tokë ku ka ngelur,
e ngurosur gjurmë e Palit,
po ngrihet prapë sot Kisha Ime,
Atë as vdekja nuk mund ta ndali…
……………………………………………..
Një grup shenjtorësh ecën buzë detit,
për Zotin e tyre bisedojnë menduar,
Për shpengim thërret njerëzimi i rënë,
por vec zemrat që gjejnë Krishtin janë të shpenguara
————————————-
Shenim: Vellezer dhe motra, ne qe kemi besuar ne Jezus Krishtin, jemi pjese e kesaj Nuseje te bukur, te lavdishme qe quhet Kishe. Nqs vendi yne mund te jete i fundit ne Evrope persa i perket ekonomise, politikes, etj, ka shansin e madh te jete i lavdishem ne perkushtimin ndaj Jezus Krishtit. Ne nuk u rritem ne nje ambjent fetar ashtu si bashkemoshataret tane ne Evrope apo USA, pra kemi shansin qe ta duam Jezus Krishtin, jo per hir te edukimit apo per per hir te traditave, por per faktin e thjeshte qe Ai eshte Zoti dhe Shpetimtari yne, Dhendrri yne qiellor. Kemi shansin ta duam kedo qe beson tek Ai, si vella apo moter te shenjte, pa e paragjykuar per arsye doktrine apo dogme.
Me dashur ne Krishtin
Eltoni



